Formula si do llogariten notat e provimeve të lirimit

Ornela

Pranvera Kola

Për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e Covid-19, provimet kombëtare të arsimit bazë (klasat e 9-ta), nuk do të zhvillohen për këtë vit shkollor. Por, pavarësisht kësaj, nxënësit do të vlerësohen me notë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sportit ka konfirmuar tashmë udhëzuesin se si do të veprojnë mësuesit për të vënë notën e secilës lëndë që zhvillohet si provim kombëtar për klasat e 9-ta të arsimit parauniversitar. Arsimtarët e këtij cikli po vijojnë tashmë me procesin mësimor online për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020.

“Vlerësimet e nxënësve me notë për këto provime kombëtare do të bazohen në rezultatet e nxënësit gjatë të gjitha viteve të arsimit të mesëm të ulët”, sqarohet në udhëzimin që MASR ka hartuar për vlerësimin e nxënësve gjatë zhvillimit të mësimit online.

Komisionet e vlerësimit të klasave të IX-ta

Sipas MASR në çdo shkollë të arsimit parauniversitar do funksionojnë komisionet për vlerësimet e lëndëve të provimeve kombëtare të arsimit bazë. Komisionet e Vlerësimit do të jenë për çdo lëndë që është provim kombëtar në klasat e nënta, të cilat kanë në përbërje 3 anëtarë, që janë: drejtori i shkollës, nëndrejtori që mbulon lëndën përkatëse, si dhe mësuesi i lëndës në klasën e nëntë. Nëse shkolla nuk ka nëndrejtor, atëherë mund të jetë një mësues tjetër i së njëjtës lëndë, ose një mësues i një lënde të përafërt me lëndën që është provim kombëtar.

Llogaritja e notës së provimeve të lirimit

Për të kryer procedurat e vlerësimit të nxënësve me notë në provimet kombëtare të arsimit bazë, Komisioni i Vlerësimit për lëndën përkatëse do të nxjerrë në një evidencë, notat e

përfundimtare të klasës së gjashtë, klasës së shtatë, klasës së tetë, si dhe klasës së nëntë. Në këto kushte nota e lëndës përkatëse të provimit të lirimit do të llogaritet si mesatare aritmetike e notave të vlerësimeve të marra nga nxënësi në secilin vit. Konkretisht formula që do të aplikohet në këtë rast është: NPK = [NP klasa 6 + NP klasa 7 + NP klasa 8 + NP klasa 9] : 4, ku NPK është nota e provimit kombëtar në lëndën përkatëse, NP është nota përfundimtare e lëndës për secilën nga klasat. Kjo procedurë llogaritjeje do të zbatohet edhe për vlerësimin e nxënësve të pakicave kombëtare në lëndën “Gjuhë amtare”, si dhe të nxënësve të seksioneve dygjuhëshe, nxënësve të shkollave speciale, dhe të nxënësve mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë. Komisioni i Vlerësimit mban procesverbal për rezultatet e nxënësve për lëndën përkatëse të arsimit bazë, të cilat dërgohen në Zyrën Vendore e Arsimit Parauniversitar, e cila monitoron vlerësimet e bëra nga këto komisione.

Vijimi i mësimit online

Referuar afateve të caktuara në udhëzimin e miratuar nga MASR, mësimi në distancë (online) do të vijojë deri në datën 29 maj 2020, duke u bazuar në planin mësimor dhe në orarin mësimor të hartuar nga secila shkollë për lëndët dhe klasat përkatëse. Ndërsa maturantët do të kthehen në mjediset e shkollës në periudhën 18 maj – 5 qershor, ku do të zhvillojnë vetëm lëndët e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Dy format kryesore mësimore të mësimit në distancë që po përdoren në vendin tonë janë: Mësime të xhiruara dhe të transmetuara në Radio Televizionin Shqiptar, si dhe në platformat e tjera online. Forma tjetër është komunikimi mes nxënësve dhe mësuesve përmes rrjeteve sociale apo përmes platformave të ndryshme që mundësojnë krijimin e klasave virtuale (google classroom, google hangout, edmodo, zoom. etj). Gjatë mësimit në distancë, dy llojet e vlerësimit që rekomandohen më së shumti janë vlerësimi i vazhduar dhe vlerësimi i portofolit elektronik.

 

Vlerësimi për nxënësit që nuk janë online

Duke marrë në konsideratë kompleksitetin e situatës që po kalojmë, të papriturat që sjell mësimi në distancë dhe faktin që çdo shkollë dhe nxënës ka specifikat dhe nevojat e veta, udhëzuesi jep disa skenarë dhe ide se si shkollat dhe mësuesit mund të vlerësojnë nxënësit duke iu përshtatur rrethanave, mundësive dhe specifikave të tyre. Në kushtet e zhvillimit të mësimit në distancë, në rastet kur nxënësit nuk kanë mundur të angazhohen në mësimin online për shkak të mungesës së teknologjisë, vlerësimi i tyre do të bazohet në notat dhe shënimet që ka mbajtur mësuesi deri në periudhën e qëndrimit në shtëpi.

Udhëzimet për mbylljen e vitit shkollor

  • Nxënësit e klasave 1 -11 do të vijojnë mësimin në distancë deri në datën 29 maj 2020, duke u bazuar në planin mësimor dhe në orarin mësimor të hartuar nga secila shkollë për lëndët dhe klasat përkatëse.
  • Provimet kombëtare për klasën e 5-të dhe për klasën e 9-të nuk do të zhvillohen
  • Nota e nxënësve për provimet kombëtare të klasës së 9-të do të llogaritet si mesatare aritmetike e notave përfundimtare të nxënësve për katër klasat e arsimit të mesëm të ulët (klasat 6, 7, 8, 9).
  • Maturantët do të vijojnë mësimin në distancë deri në datën 15 maj gjatë mësimit në distancë do të zhvillojnë vetëm lëndët e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj e parë, si dhe lëndën që kanë zgjedhur në provimin me zgjedhje të Maturës Shtetërore.. Maturantët do të mbyllin lëndët që nuk kanë provime të Maturës Shtetërore deri në 30 prill.
  • Maturantët nga data 4 maj – 15 maj, gjatë mësimit në distancë do të zhvillojnë vetëm lëndët që kanë provim në Maturën Shtetërore. Shkollat do të përshtasin orarin.
  • Maturantët kthehen në mjediset e shkollës në datën 18 maj – 5 qershor. Gjatë kësaj periudhe shkollat përshtasin orarin për të zhvilluar vetëm lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore. Mësimi do të zhvillohet sipas parimit të distancimit social.
  • Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në periudhën 8-18 qershor.
  • Mësuesit gjatë mësimit në distancë ndjekin orarin mësimor të hartuar nga drejtoria e shkollës, duke mbajtur shënim temën e zhvilluar për çdo orë mësimi dhe pjesëmarrjen e nxënësve.
  • Të gjithë mësuesit dhe maturantët mund të gjejnë në faqen zyrtare të ASCAP-it programet orientuese të rishikuara, ku janë hequr të gjitha njohuritë e zhvilluara pas datës 9 mars, gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë.
  • Gjatë periudhës së kthimit në shkollë, mësuesit e lëndëve të provimeve të Maturës Shtetërore do t’i shënojnë në regjistër temat e përsëritjes që do të zhvillojnë me nxënësit maturantë.
  • Të gjithë mësuesit do të shënojnë në regjistrin e klasës temat që kanë realizuar, numrin e orëve të realizuara për gjithë vitin shkollor, si edhe numrin e orëve të parealizuara.
  • Për nxënësit maturantë do të llogariten mungesat vjetore të nxënësve në çdo lëndë, si dhe mungesat totale vjetore.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *