Formula si do përzgjidhen fituesit e rinj tek Drejtësia

Ornela

Pranvera Kola

Për vite me radhë, Drejtësia listohet si një ndër degët më të preferuara nga maturantët që konkurojnë për vijimin e studimeve të larta. Përzgjedhja e fituesve në këtë program studimi bazohet në tre kritere, që janë: mesatarja e shkollës së mesme, ajo e provimeve të Maturës Shtetërore 2020, si dhe mesatarja e lëndëve formuese që vetë Fakulteti i Drejtësisë i ka përcaktuar si prioritet.

Më shumë shanse për të qenë fitues në këtë program studimi kanë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollave të mesme të përgjithshme, seksioneve dygjuhëshe, etj, pasi këto profile shkollash vlerësohen me koeficientin maksimal 1.2, ndërsa profilet e shkollave profesionale vlerësohen me koeficientin 1.0.

Kriteret për fituesit e 2020

Për secilin prej kritereve të përmendura është vlerësuar edhe ndikimi që do të kenë në shpalljen e fituesve që do të vijojnë për herë të parë studimet në këtë fakultetet përgjatë këtij viti. Kështu, sipas formulës së përcaktuar, 40 për qind të pikëve maturanti do t’i sigurojë nëpërmjet mesatares së shkollës së mesme, 10 për qind të pikëve nga vlerësimi i mesatares së provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe 50 për qind të pikëve nga vlerësimi i mesatares së lëndës formuese.

Konkretisht për garën e pranimeve të reja të 2020-s, janë përcaktuar si lëndë preferenciale nga vetë fakulteti, lëndët gjuhë shqipe, gjuhë e huaj, letërsi, qytetari, histori ekonomi dhe matematikë. Tre lëndët që kanë ndikimin më të madh, e që vlerësohen maksimalisht sa i takon këtij kriteri, janë: gjuha shqipe, letërsia, si dhe gjuha e huaj, ku secila prej tyre ka 10 për qind të ndikimit në rezultatin final të pikëve që do të sigurojë aplikuesi në këtë degë. Ndërsa lëndët e tjera të kësaj liste vlerësohen me 5 për qind të ndikimit në rezultatin final që do të sigurojë kandidati që aplikon për këtë program studimi. Mesatarja e këtyre lëndëve do të  llogaritet nga të gjitha vlerësimet që maturanti ka marrë po në këto lëndë të zhvilluara përgjatë tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë këtu edhe notën e provimit të Maturës Shtetërore nëse maturanti e ka përzgjedhur për ta dhënë si lëndë me zgjedhje.

Kuotat e pranimeve

Pavarësisht fluksit të kërkesave, në këtë program studimi do të pranohen 640 kandidatët që sigurojnë nivelin më të lartë të pikëve nga vlerësimi i kritereve të përmendura më lart.  Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në fushën e Drejtësisë realizohen me 300 kredite, për një kohëzgjatje prej jo më pak se 5 vite akademike. Personat që kryejnë studimet e integruara në drejtësi, ose në një program të ciklit të dytë të studimeve, të barasvlershëm me to, mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, pasi të kenë kryer provimin e shtetit në drejtësi.

Konsultimet e maturantëve

Prej disa ditësh në të gjitha shkollat e mesme të vendit maturantët po zhvillojnë konsultimet finale për testet e Maturës Shtetërore 2020, të cilat kësaj here për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 kanë pësuar një sërë ndryshimesh, jo vetëm në nivelin e administrimit, por edhe të përmbajtjes së testeve. Kjo pasi tezat e provimeve do të jenë vetëm me alternativa.

Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2020, për shkollat e arsimit të mesëm janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje ( nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, sportive dhe shkollave profesionale).

Në datën 8 qershor do të zhvillohet provimi i parë i detyruar në lëndën e gjuhës së huaj, pastaj në datën 11 qershor testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, me 15 qershor provimi i matematikës, si dhe me 18 qershor do të zhvillohet testi i lëndës më zgjedhje.

Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) saktëson se në programet orientuese janë hequr tashmë njohuritë lëndore që janë zhvilluar gjatë mësimit në kushtet e shtëpisë, që përkojnë me periudhën mars-maj 2020. Këto njohuri nuk do të përfshihen në testin e lëndëve të detyruara, si dhe lëndës me zgjedhje.

Po gjatë ditës së djeshme QSHA dhe MASR kanë zbardhur edhe modelet konkrete se si do të jenë testet e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje që do të zhvillohen përgjatë muajit qershor. Këto modele gjenden online në faqet e këtyre dy institucioneve. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:00. Me vete duhet të keni detyrimisht krahas maskës dhe dorezave edhe mjetin e identifikimit, pa të cilin nuk do të mund të hyni në ambientet e testimit.

Sipas kushteve të përcaktuara, testi i çdo lëndë që do të jepet si provim i Maturës Shtetërore 2020 do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Gjithashtu është përcaktuar edhe pragu minimal i pikëve që duhet të grumbulloni për të qenë kalues. Maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi.

 

Kriteret për fituesit e rinj të 2020-s

 

Kriteri 1

Nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme 40 për qind të vlerësimit.

 

Kriteri 2

Nota mesatare e të gjithë provimeve të maturës shtetërore 10 për qind të vlerësimit.

 

Kriteri 3 Lëndët formuese që vlerësohen me 50 për qind të ndikimit në total:

  • Gjuhë Shqipe (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 10 për qind
  • Gjuhë e huaj, e parë (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 10 për qind
  • Letërsi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 10 për qind.
  • Qytetari (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 5 për qind.
  • Histori (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 5 për qind.
  • Ekonomi (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 5 për qind.
  • Matematikë (të gjitha vlerësimet përfshirë dhe notën e provimit Maturës Shtetërore) 5 për qind.

 

 

Koeficienti i shkollës së mesme

 

  • Të gjitha shkollat e mesme gjimnaze (përjashtuar gjimnazin me kohë të shkurtuar) e kanë koeficientin 1.2
  • Të gjitha shkollat e mesme me karakter profesional e kanë koeficientin 1.0

 

 

Shifrat\Shkon në 1050 numri i të prekurve, prej tyre 205 janë raste aktive

 

Dje 21 raste, QSUT bëhet vatra më e re e Covid-19

 

Vijojnë të mbeten të larta shifrat e infektimeve të reja me Covid-19 në vendin tonë. Edhe përgjatë ditës së djeshme janë konfirmuar nga strukturat e shëndetit publik 21 raste të reja, të gjitha në kryeqytet, teksa vatër e re infektimi tashmë është kthyer edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku janë konfirmuar si të infektuar 9 punonjës të shëndetit, si dhe katër pacientë.

 

“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur vetëm në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Dr. Flutura Beqo. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend.

 

“Vijon të ketë edhe shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, ka shtuar më tej Beqo.

 

Deri dje janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me Covid-19 dhe këshillim psikologjik, ju mund të telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.  Ekspertët e shëndetit vijojnë të apelojnë për kujdes të shtuar sa i takon masave të higjienës dhe mbajtjes së distancimit fizik, si të vetmet masa që ndihmojnë në shkëputjen e zinxhirit të infektimeve të reja të Covid-19.

 

 

Shifrat rreth Covid-19

 

Testime totale                        15094

Testime molekulare    13768

Testime serologjike    1326

Raste pozitive                          1050

Raste të shëruara                     812

Raste Aktive                            205

Humbje jete                  33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

 

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë           101

Durrës           51

Krujë             23

Shkodër         12

Kamëz            9

Berat              6

Fier                 2

Korçë             1

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *