Shkrumbimi nga zjarri i “Audit të Verdhë” në Itali nuk i ka shuar të gjitha shpresat e ekspertëve se mund të gjejnë gjurmë për të shkuar tek autorët.
Hajdutët e dinë mirë se djegia është e vetmja mënyrë për të shkatërruar gjurmët e gishtërinjve, qimet e flokëve të rëna, apo elementë të tjerë që mund të çojnë në zbulimin e ADN-së.
Nuk ka mbetur asgjë nga automjeti përveç pjesës së llamarinës. Prokurorët e rajonit të Parmas gjetën edhe një levë dhe aty shpresohet të gjendet ndonjë gjurmë e grabitësve që terrorizuan Italinë.
Hetuesit po analizojnë me kujdes atë pasi mendojnë se aty mund të kenë mbetur shenja gishtash të vlefshme për të zbuluar udhëtarët e “Audit” të famshëm.
Mbi 80 denoncime u bënë ndaj tre personave, të cilët dyshohet se janë shqiptarë.
Fotot e tyre janë publikuar masivisht, por njëri prej atyre që ishte në fotografi u vetëdorëzua në polici duke deklaruar se nuk kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa për dy të tjerët tha se ishin në Shqipërisë. /Dita/