“Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”.
Ky është fundi që shoqëron të gjitha përrallat me princesha dhe princër të kaltër që bien në dashuri.
Por Dina Goldstein, një fotografe kanadeze e ka sfiduar këtë nocion me një seri fotosh.
Projekti “Rënia e princeshave” i sheh Borëbardhën, Jasminën, Pokahontasin dhe të tjera personazhe ikonë teksa përplasen nga dallgët e jetës, mes luftës me kancerin, alkoolizmin dhe martesat e palumtura.
Dina, një izraelite në origjinë, thotë se projekti lindi si një dëshirë për të kundërshtuar mitin e rremë të “fundit të lumtur” me të cilin ushqehemi që në fëmijëri.
Ideja e parë e saj ishte se si do të ndihej Rapunzela nëse do të humbiste flokët e magjishëm për shkak të kimioterapisë. Fotot tregojnë princeshën ulur në një krevat spitali me flokët e verdhë në dorë.
Ndërsa Hirushja ka rënë pre e alkoolizmit, Kësulëkuqja obeze është fiksuar pas fast food-it, Bela i drejtohet kirurgjisë plastike për të mbajtur rininë, ndërsa Princeshës mbi bizele jo vetëm që i duhet të durojë një të tillë, por edhe ndotjen e ambientit përreth.
Pokahontas ka mbetur vetëm në shoqërinë e maceve dhe televizorit, Bukuroshja e fjetur ka rënë në koma,ndërsa Jasmina e Aladinit ka përfunduar si ushtare në një nga luftërat moderne.
n.s. / dita







