Mbi 40 anije luftarake dhe më shumë se 4.000 marinarë morën pjesë në një paradë spektakolare në Shën Petersburg të Rusisë, ku kremtohej Dita e Marinës.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe presidenti Vladimir Putin, si për të treguar forcën e shtetit që ai drejton.
Evenimente të ngjashme u zhvilluan gjithashtu në qytetet kryesore portale në të gjithë Rusinë.
Anijet që përfaqësojnë të gjitha flotat e Marinës Ruse u ankoruan në lumin Neva dhe Putin u shpreh nga aty se “ushtria ruse ruan me sukses sigurinë e vendit, kontribuon në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe luan rol jetësor në ruajtjen e barazisë strategjike.”
Ai tha se e gjithë historia e Marinës “ka të bëjë me guximin, vlerën dhe shpirtin e detarëve”.
I rrethuar nga ministri i mbrojtjes Sergej Shoigu dhe Admirali i Flotës Detare Vladimir Korolev, Putin shtoi: Ne jemi krenarë për Marinën tonë, standardin e tyre më të lartë të gatishmërisë, aftësitë e tyre, si dhe forcën dhe bukurinë e tyre.
Krahas anijeve luftarake, kishte edhe avionë detarë si Su-33 dhe MiG-29K e helikopterë Ka-52K dhe Ka-27M.
Flota e Marinës së Rusisë u themelua në vitin 1696 nga Perandori Pjetri i Madh dhe këtë vit ka shënuar 322 vjetorin. Ndërsa Dita e Marinës së Rusisë u krijua në Bashkimin Sovjetik më 1939. Ajo është festuar të dielën e fundit të korrikut që nga viti 1980.




s.a/dita
