FOTO-REPORTAZH/Kemi dalë në Pazar

redaktor

Nëse bën një xhiro nga këto anë, e sigurt që pas pak minutash qerpikët e tu do të duken si gjethet e palmës të rënduara nga pluhuri, dhe jo vetëm qerpikët. Imagjinoni ç’ndodh me: djathin, gjizën, peshkun, ullirin, pulën… që shiten aty, pranë e pranë njëri-tjetrit. Ndodhemi në sheshin “Avni Rustemi”, aty ku pak metra larg qendrës së Tiranës, gjendet një nga tregjet më të vjetra të kryeqytetit, i njohur me emrin “Pazari i Ri”.

Nëse i bën një vizitë të shkurtër këtij tregu, gjëja e parë që të tërheq vëmendjen është aroma e pakëndshme dhe ambienti aspak higjenik. Duket sikur e keqja më e madhe vjen nga nëntoka se sa nga sipër saj, e kemi fjalën për ujërat e zeza që shfaqen herë pas here. Gjithashtu, mënyra e organizimit lë për të dëshiruar, për të mos thënë që çdo gjë është “rrumpallë”. Duhet pranuar që vit pas viti ka patur përmirësime, por sot e kësaj ditë është ende shumë larg standardit që duhet të ketë një treg. Ndryshimet të ngjajnë me qepjet që mund t’i bëhen një cope të grisur, të cilën nuk ke ku ta kapësh më parë.

Pamja që të ofrohet sot është një katrahurë. Kudo sheh produkte ushqimore në qiell të hapur mes mizave, pluhurave dhe tymit të dhjetëra makinave që e përshkojnë çdo ditë këtë treg. Ajo është një nga zonat me intensitet të lartë lëvizjeje të automjeteve. Me një infrastrukturë rreth e rrotull që është e pamundur ta mendosh, por që është e vërteta që këtë treg e përfaqëson. Mjafton vetëm një herë të kalosh përmes këtij tregu, kupton dhe shikon se ai është i tejmbushur me produkte të ndryshme ushqimore duke filluar nga fruta-perimet e deri te llojet i mishrave që ofron për shitje. Peshqit gjenden nëpër dyqane, por me dyer hapur, ose dyqane me të gjithë faqen e murit në anë të rrugës të hapur. Por së paku, tregtarët e peshkut zakonisht e përpiqen ta mbajnë të larë trotuarin dhe rrugën përpara tyre, duke menduar se do t’i mbrojnë nga pluhuri produktet e tyre.

Fruta-perime të freskëta, të thata apo frigoriferi, të paçara apo të çara, të pambushura apo të mbushura, shiten jashtë edhe ato, në anë të rrugëve kuturu gjithë pluhur. Më shpesh mbi disa arka ngritur nga toka, por edhe përtokë fare. Më të tmerrshme mes tyre duken turshitë e mbushura me salcë, të cilat s’mund të lahen, por edhe gjithçka tjetër që normalisht nuk duhet të shitet në ambient të hapur.

Tek u afrohesh tregtarëve, disa nuk të presin dhe kërkojnë të largohesh, me pretekstin se i pengon në punë. Disa të tjerë nuk të kthejnë përgjigje dhe nuk pranojnë që t’i pyesësh për diçka tjetër përveç çmimeve të produkteve që ato shesin. Kanë frikë mos zgjojnë mendjen e ndonjërit që mund t’i shkojë e t’i ndërpresë punën. E me të drejtë, ata mbajnë familjet me ato të ardhura. Janë të paktë ata që pranojnë të thonë vetëm dy fjalë. Teksa i drejtohesh një zonje rreth të 50-ve duke e pyetur për gjendjen e tregut, e heshtur të dëgjon me vëmendje dhe me qetësi të përgjigjet: “Vajzë unë nuk di asgjë, pyet ndonjë njeri me shkollë”. Nga kjo gjë kupton që ata hezitojnë të flasin për arsye që nuk i thonë. Megjithatë, më shumë se sa fjalët, flasin pamjet e këtij tregu!

 

Pak histori

I ndërtuar në vitin 1972, ky treg për vite më radhë ka qenë në shërbim të vendasve që në atë kohë numëronte më pak se 200.000 mijë banorë. Ky treg zëvendësoi atë që quhej tregu i vjetër, i cili më përpara ndodhej në vendin që sot njihet si Pallati i Kulturës.

Karakteristika kryesore ishte se edhe pse hapej çdo ditë, dita e enjte cilësohej si ditë pazari për vendasit. I gjithë prodhimi shitej brenda ditës, pasi dhe çmimet ishin në bazë të nivelit të popullsisë. Të gjitha mallrat vinin nga fshati dhe mblidheshin në një magazinë të madhe për t’iu shpërndarë më pas tregtarëve. Puna ishte e ndarë në grupe apo siç e quanin ata, në kooperativa, për mirëmbajtjen e saj rolin kryesor e luante qeveria, e cila ishte dhe institucioni që ndërhynte në çmimet e mallrave të konsumit. Organizimi i tregut ishte i realizuar në mënyrën më të mirë. Çdo tregtar gëzonte një banak prej betoni dhe një çezme uji që ishte në shërbim të frutave dhe perimeve, si edhe i gjithë tregu ishte i mbyllur për të evituar pluhurin e rrugës. Në atë kohë, krahas tregut të mallrave të konsumit, në aty gjeje edhe shumë dyqane prej dërrase për ndërtim, këpucari, metrazhe, argjendari si edhe një dyqan posaçërisht për bërjen e opingave, pa harruar edhe artizanalet e shumta, të cilat përgatiteshin nga vendasit për t’u nxjerrë në treg ditën e pazarit, pra të enjten. Por, sot 42 vjet më pas gjendja ka ndryshuar shumë, asgjë nuk është më si më parë…

 

Inspektimi

Tiranë, AKU: Shqetësuese ujërat e zeza pranë tregjeve

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shprehur shqetësimin dhjetë ditë më parë për infrastrukturën jashtë njësive të tregtimit, e cila ka të bëjë me kanalizimet, si të ujërave të bardha e të zeza, e cila është detyrë e Bashkisë Tiranë. Deklarata e AKU-së është bërë pas inspektimit në një nga tregjet më të frekuentuara të kryeqytetit, në Pazarin e Ri, pranë Sheshit “Avni Rustemi”. Gjatë kontrolleve që u bënë, janë inspektuar 27 subjekte, ndërsa kushtet higjieno-sanitare të tregtimit ishin të përmirësuara në krahasim me inspektimet e mëparshme. Ndërkohë, janë evidentuar disa raste, kur produktet nuk shoqëroheshin me dokumentacionin e rregullt, si fletë-analizat, certifikatë veterinare etj, ndërsa subjekteve u janë lënë detyra. AKU shprehet se do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme aksionet e koordinuara me drejtoritë rajonale, si dhe policinë e shtetit e atë bashkiake, në tregje të tjera në Tiranë, në qarqet e tjera të vendit si dhe rrugët nacionale.

 

Ka edhe kështu

Paradoksi i Pazarit të Ri, Bashkia e “shpall” turistik!

Pavarësisht gjendjes skandaloze të këtij tregu, si për ironi, Bashkia e ka përfshirë atë në guidën turistike të qytetit të Tiranës, si një destinacion që duhet të vizitohet patjetër nga turistët e huaj. Ndoshta do të ishte më mirë që specialistët e bashkisë, përpara se ta përfshinin në guidën turistike, ta vizitonin njëherë tregun, për të parë gjendjen, se, turp për faqe të zezë, mirë ne jemi mësuar, por do na nxjerrin bojën në botë. Apo na ka dalë boja ne!?

 

Ndotja

Pazari i Ri – 110 mg/m3 është niveli i ndotjes së ajrit nga grimcat e imta (PM10) tek kjo zonë; norma e lejuar nga BE-ja është deri 50 mg/ m3.

1

2 3

4 5 6 7 8 9 10

Share This Article
9 Comments
  • Jo vetem ne Tirane po ne gjith Shqiperin eshte Shqiperi.Shko ne Durres e Vlore e bnjejta gje eshte po qeverin socialistet e mbydhen syte kti gazetarit militaruc.

  • E nderuara gazetare,
    Po t’i referohesh fjalorit te gjuhes shqipe, nuk ka arome te pakendshme. Aroma eshte vecse nje ere e kendshme, e mire, e pelqyeshme nga njeriu. Ne shqip njhet si ere e mire. Ndesa e pakendshmja si ere e keqe, e rende. Aroma-aromatis rrjedh nga greqishtja e vjeter.

  • Shyqyr qe u kujtua me se fundi nje gazete te shkruaj per kete skandal urban ne mes te kryeqytetit. Ai treg duhet shperngulur por aman vetem me pallate mos e zevendesoni

  • mesatarja e mbetjeve te imeta PM10 nuk duhet te kaloje 50 mikro,keto mbetje kryesisht vijne nga motoret diesel te veturave,kamioneve dhe makinerive me motore diesel.Shto cilesine e naftes dhe kryesisht mbi 90 % e makinave diesel pa filtra antipartikolat(PM10)merre vete me mend se çfare ajri qarkullon ne mushkrite e njerezve.Ju thoni per ciklin e fundit,ate te shitjes,por gkyko se ne çfare klime zhvillohen e behen keto prodhime gjersa te dalin ne treg.

  • Per fat te keq une banoj aty prane ketij tregu, jemi ankuar si komunitet per kete treg si dhe per segmentin te rruga Qemal Stafa, ku shiten mobilje te vjetra, dhe trotuaret jane te zena. Nuk ke ku te ecesh kur je vetem dhe jo me te mendosh me karroca efemije te vegjel . Por ankesat tona qe prej me shume se dy vjetesh kane shkuar ne vesh te shurdhet. Jo vetem qe nuk kane bere gje po tallen me ne duke thene se kemi nderhyre dhe nuk do kete me zenje te hapsirave publike. Ku ndodh qe,ne kryeqytet, 500 m larg qendres,te shiten mobilje te vjetra!!!! Eshte per te ardhur keq qe nje nga rruget me te bukra, me te qeta, me te gjelberuara, me te pastra, me te ndricuara te katandiset ne kete gjendje. Tregetareve te paligjshem te mobiljeve te vjetra tashme nuk u dalin as trotuaret dhe i vendosin mobiljet e vjetra edhe ne rruge.
    Tregu ushqimor eshte per faqe te zeze, ushqimet shiten ne toke jashte cdo lloj standarti. Makinat qe kalojne, tymi i tyre…..njerzit qe mundesisht ti blejne domatet nga dritarja e makines…..o zot, kur do veje shteti dore….e kuptoj kur ka nevoje qyteti per investime qe kushtojne dhe ne si shtet mbase nuk i perballojme dot, por kur keto nderhyrje nuk duan asnje lek vetem deshire te mire per te punuar, per te bere dicka per qytetin tend, eshte e pafalshme…..TURP…….

  • Po Lulka ku e ka fut koken?
    Po mos harro more Lul se paguhesh nga ky popull qe ska buke te haj ;te cilit ti i qan hallin.
    Kur te fillosh protesten te gjithe do te te sulen ty per dembel e mashtryes, e do te largohesh me vrap se ditet i ke te numeruara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *