Foto Strakosha ka provuar shumë kënaqësi në jetën e tij sportive. Karriera pati një ngjitje meteorike, teksa nga Minatori i Memaliajt shkoi te Dinamo, me të cilën fitoi edhe titullin kampion dhe iu hapën dyert e kombëtares, ndërkohë që hapja e kufijve i krijoi menjëherë mundësinë që të provonte vlerat jashtë Shqipërisë, konkretisht në Greqi. E nisi “aty afër”, te Janina, për të kaluar më pas në shumë skuadra të tjera, deri te Olimpiakos i Pireut, me të cilin fitoi një Kupë të Greqisë, ndërsa karrierën e mbylli me Panioniosin. Pikërisht aty hodhi hapat e parë edhe djali i tij, Thomas Strakosha, që nga i ati trashëgoi pikërisht pasionin dhe aftësitë për të mbrojtur portën. Tani Thomasi ushtron të njëjtin zanat, veçse në Itali, te Lacio, ku mbron portën e skuadrës së të rinjve, Primavera, por është i federuar edhe me skuadrën e parë, ku është portieri i tretë. Paraqitja në derbin roman, ku Lacio mundi 1-0 Romën, ishte e shkëlqyer dhe ai ishte ndër protagonistët e fitores.
Flet babai
“La Gazzetta dello Sport”, shkruan se sikur të mos ishte Igli Tare, ndoshta Strakosha i ri nuk do të kishte shkuar kurrë te Lacio. Por, djaloshi i hodhi shpejt poshtë dyshimet, dhe tani, “kushdo që e sheh e kupton që është një profesionist i vërtetë”. Fjalët e mira për djalin bëjnë të lumtur çdo baba dhe Foto Strakosha nuk bën përjashtim. “Jam krenar për djalin tim”, thotë ish-portieri i Shqipërisë. “E kam ndjekur ecurinë e tij dhe jam i lumtur deri tani, por sigurisht që ai nuk ka arritur asgjë. Është portier i skuadrës së të rinjve dhe ka një rrugë të gjatë përpara”. Fakti që e bën më tepër të lumtur është që djali ka çarë me këmbët e veta dhe emri i babait nuk e ka ndihmuar, përkundrazi, shpeshherë mund t’i bëhet barrë. “Më vjen mirë që ka çarë vetë, falë aftësive të tij. Në sport nuk mund të kesh sukses me mik, duhet talent dhe punë e madhe dhe natyrisht që për këtë krenohem shumë”, thotë Strakosha, tani trajner i kombëtares U-19. Aty ka portier edhe të birin, i cili natyrshëm shpreson që të arrijë deri në kombëtaren e madhe. Babai nuk futet mik: “E them përsëri që nuk ka arritur asgjë. Këshilla që i jap gjithmonë është vetëm që të qëndrojë me këmbë në tokë e të punojë për të arritur atë çka synon”. A është Tare i rreptë me Thomasin? Fotoja thotë: “Atij ia do puna të jetë i rreptë, se është drejtor sportiv. Por, nuk flas me Iglin për djalin, nuk dua të ndikoj për asgjë. Për çdo gjë duhet të çajë vetë dhe unë nuk ia kam falur asgjë deri tani”.
Porta në duar të sigurta
Kur Thomas Strakosha u shfaq për herë të parë në Formelo (qendra stërvitore e Lacios), pasi kishte kaluar edhe nga Trigoria (qendra stërvitore e Romës), pati shumë nga ata që shtrembëruan buzët, duke e lidhur ardhjen e portierit shqiptar (por i lindur në Greqi, i rritur te Panionios) me miqësinë e Igli Tares me Foto Strakoshën, babai i Thomasit dhe ish-shok skuadre i drejtorit sportiv në kombëtare, ku tani është edhe Cana. Nëse Tare nuk do të ishte drejtor sportiv, ndoshta Strakosha te Lacio nuk do të kishte ardhur kurrë, por merita e Thomasit, i lindur më 1995, është ajo që ka arritur të heqë në fushë etiketën e “të ardhurit me mik”, e cila e shoqëroi në fillesat e tij në Itali.
Nga Formelo ka pasur pëshpërima se disa shokë skuadre kishin shprehur dyshime për cilësitë e tij teknike, të njëjtët shokë tani kanë mbetur me gojë hapur nga rritja e tij, çka e dëshmon edhe bashkimi me portierët e skuadrës së parë, ku tani është portier i tretë, pas Marketit e Bizarrit. Në hierarkinë e Bolinit (trajner i të rinjve) dhe të Petkoviçit ka parakaluar Skarfanjën, atë që pas largimit të Berardit shihej si titullari i skuadrës Primavera për këtë vit. Kështu edhe ndodhi në tre muajt e parë të sezonit, më pas Skarfanja u penalizua edhe nga disa dëmtime, por ndryshimin midis shtyllave nuk e ka pritur aspak mirë…
Kush e sheh çdo ditë, flet për një profesionist dhe punëtor ekzemplar, i cili, pas vështirësive të para të ambientimit tani ndihet në shtëpinë e tij. Para derbit me Romën, për televizionin e Lacios u shpreh: “Asnjë pritje, asnjë mrekulli nuk vlen sa kjo ndeshje”. Vjen vërtet nga Shqipëria, por atmosferën e ka thithur menjëherë.
Ej o babe te te ngjaj… Larte e me larte Djalit te Fotos. Dhe i ati keshtu ka qene, kerkues, ambiciz. Mbaj mend qe Fotua ne fazen e tij fillestare kur lozte me Tepelenen ne ategorine e dyte , hante gola nga 30m apo bente dalje te gabuara…por vendosmeria dhe stervitja e palodhur me Sander Qiqin e ben ate nje legjente tete futbollit Shqiptare.