Ai është djali i biçikletës në terrene të vështira. Në fund të dhjetorit Bashkia e Tiranës e shpall personalitet të vitit me motivacionin “Për promovimin e vazhdueshëm të zonave të bukura turistike malore të Tiranës, nëpërmjet organizimit të garave me Mountain Bike”.
Enid Mero, 24 vjeç nuk e imagjinon dot jetën e tij pa biçikletë. Të ecësh me këtë dy-rrotak në qytet ke venë kokën në rrezik, por imagjinon ç’ndodh të bësh gara në terrene të thepisura, kodra e male… Enidi, jo vetëm merr pjesë në gara të tilla, por edhe i organizon ato.
Djali me origjinë nga Bilishti ka përfunduar studimet e larta për gjeo-informatikë, degë e cila e ka ndihmuar shumë në gjetjen e shtigjeve të reja dhe krijimin e hartave që i shërbejnë për aktivitetet që organizohen por edhe për promovimin e vendit tek të huajit.
Më poshtë një bisedë me Enidin…
-Enid, jeni përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës si një nga njerëzit e vitit 2015. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Nuk e prisja këtë çmim dhe është një vlerësim shumë i madh. Shumë i rëndësishëm është edhe fakti që për herë të parë një institucion po vlerëson dhe mbështet atë që ne bëjmë. Këtë çmim nuk e meritoja vetëm unë, por i gjithë ekipi i vullnetarëve që ndihmon në realizimin e këtyre aktiviteteve.
-Në motivacion ju është vënë në dukje fakti që keni promovuar zonat e bukura turistike malore të Tiranës, nëpërmjet organizimit të garave me Mountain Bike. Sa e pasur ka qenë 2015 me aktivitete?
Në 2015 ndryshe nga viti 2014 ne arritëm të realizonim tri gara në kategorinë Mountain Bike. Njëra prej të cilave në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe e Rekreacionit dhe Bashkisë u realizua në liqenin e Kasharit. Një park kaq pranë Tiranës dhe kaq i panjohur.
-Prej sa kohësh merreni me këtë angazhim?
Mountain Bike ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Kam nisur ta ushtroj në moshën 12-vjeçare kur kthehesha në qytetin e lindjes. Më pëlqente të isha në kontakt me natyrën dhe të shikoja ato vende që mungonin në kryeqytet. Gjithmonë kishte një fshat të ri për të shkuar gjatë verës ose ndonjë mal gjatë dimrit. Më pas kuptova që mund ta bëja këtë gjë edhe në Tiranë. Prandaj para 5 vjetësh me disa miq themeluam organizatën e parë të çiklizmit malor në Shqipëri, Mountain Bike Albania.
-Si keni kaluar nga pedalimi i thjeshtë në atë sportiv në zona të thyera malore?
Biçikleta ka qenë gjithnjë pjesë e ditëve të mia. Pas disa viteve pushim mendova se kishte ardhur koha t’i kthehesha pedalimit. Lëvizja në rrethinat e Tiranës ishte më e thjeshtë, për shkak se trafiku ishte më pak i rënduar. Pas çdo xhiroje kuptuam që na duhej një biçikletë më e mirë, të dinin sa kilometra kishim bërë, për sa kohë e kishim bërë dhe sigurisht masa më të mira mbrojtëse. Në momentin që filluam të organizonim gara mori formën e mirëfilltë të sportit.
-A janë rrethinat e Tiranës për të përshtatshme për të organizuar gara Mountain Bike?
Mountain Bike është një sport që përfshin gjashtë disiplina të cilat zhvillohen në mal ose në kodër. Duke qenë se Tirana ka male dhe kodra në rrethina, nuk na është dashur të largohemi prej saj. Më i bukur është variacioni i terreneve, gjë që na e lehtëson shumë punën për të organizuar aktivitete dhe xhiro. Kryeqyteti ka gjithashtu teleferikun që ndryshe nga diku tjetër mund të arrish shumë shpejt në Malin e Dajtit dhe fshatrat pranë.
-A ju janë bashkuar njerëz që ndajnë të njëjtin pasion gjatë këtyre viteve, në këtë lloj sporti?
Që nga fillimi i organizimit të aktiviteteve na janë bashkuar shumë të rinj dhe të reja, që shtohen pas çdo xhiroje. Në të vërtetë ne na duken shumë, por për Tiranën janë ende pak. Prandaj vështirësia qëndron në promovimin dhe tek përgatitja fizike siç e kërkon çdo sport.
-Ka femra në grupet tuaja?
Po ka. Jemi vërtet krenarë që këtë vit për herë të parë në Çiklizmin Shqiptar organizuam garën Mountain Bike në kategorinë e femrave. Ishte hera e parë që femrat merrnin pjesë në një garë çiklistike dhe kjo është arritje e madhe për ne dhe për ato.
-Çfarë do të bëni këtë vit për të konkurruar në aktivitete vitin 2015?
Ndryshe nga 2015 ku kishim vetëm tre gara të realizuara me sukses, po përpiqemi që në 2016 të realizojmë një kalendar me aktivitete, ku mos të përfshihet vetëm Tirana, por të përhapet si sport edhe në rrethet e tjera. Kjo do të ishte një ‘fitore’ mbi 2015.
-Cili është itinerari më i gjatë dhe i vështirë që keni bërë me biçikletë?
Itinerari më i gjatë që kam bërë është rruga pas Dajtit që kalon në këto fshatra: Qafë Priskë, Selbë, Darshen, më pas kaluam pranë lumit Erzen dhe u kthyem në Tiranë nga përmes një kanali ujitës pranë Shpellës së Pëllumbasit. Përveç faktit që ky itinerar ishte më shumë se 60 km, kishte edhe shumë ndryshime terreni.
-Mund të na tregosh një histori të sikletshme, të vështirë që ke përjetuar?
Gjatë një xhiroje në Dajt na është shpuar goma dhe kishim harruar veglat për ta rregulluar. Ishim shumë larg rrugës kryesore dhe zonave të banuara. Na është dashur që me mjete rrethanore të shpiknim një pullë që të ktheheshim para se të errej. Nuk kishim as valë në celular. (qesh)
-Je i fiksuar vetëm te biçikleta? Po garat me makina?
Garat me makina janë shumë të bukura, por më pëlqen të mbetem tek biçikletat.
-Enid, e lëmë për pak biçikletën, për çfarë ke studiuar?
Kam studiuar për Gjeo-informatikë, por tani merrem me Fotografi dhe Design. Sigurisht që një pjesë të mirë të ditës e kaloj duke organizuar aktivitete për Mountain Bike.
A e ushtron profesionin dhe ku?
Duke qenë se profesioni im ka të bëjë me hartat, më ka ndihmuar shumë në gjetjen e shtigjeve të reja dhe krijimin e hartave që do t’i shërbejnë të gjithë aktiviteteve që ne organizojmë si dhe promovimin e vendit tonë tek të huajit.
-Cila është vendlindja jote?
Kam lindur në Bilisht dhe një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar atje, ku mundësitë e eksplorimit me biçikletë kanë qenë të shumta. Më pas erdha në Tiranë dhe zbulova që ky qytet më ofroi po të njëjtën mundësi.
-Çfarë mendimi ke për Shqipërinë turistike dhe si mund të zhvillohet ajo?
Vitet e fundit është vënë re shtimi i numrit të turistëve që bashkë me biçikletat e tyre vijnë për të eksploruar Shqipërinë. Së bashku me qeverinë dhe disa shoqata gjermane po përpiqemi të promovojmë këtë sport në Shqipëri, pasi terreni është shumë i përshtatshëm për mountain bike.
-Ka disa lloje turizmi, por cili është ai të cilit duhet t’i mëshojmë dhe promovojmë më shumë?
Turizmi outdoor është shumë i përshtatshëm pasi ne nuk ofrojmë resorte me pesë yje ose rrugë me standarde të mirëfillta evropiane, por ofrojmë një kontakt të madh me natyrën.


Haha, Ky eshte nje fluske e origjines se tij, dhe ska biciklete as per qytet. Po ska faj gazetari ketu. kur ky thote jam pasionant i dizajnit, dhe ju e nxirrni si hero te bicikletes. Arritjet e ketij jane bere ne interes te bashkise, se edhe gara qe organizoi tek liqeni ishte jashte standarteve, sidomos kur vodhi 2000 leke te reja nga cdo garues dhe nuk i preu kupon tatimor. Suksese me dizajnin cunak.