Fotografitë e papublikuara të Bekim Fehmiut

Dita

Fotografi të Bekim Fehmiut, që janë shkrepur nga fotografi Fahredin Spahija, më 2 maj të vitit 2008, konsiderohen të jenë fotografitë e fundit të Bekim Fehmiut, dhe të njëjtat kanë plotësuar ëndrrën e Spahisë, për të përmbushur kështu arkivin e tij të fotografive me figura të rëndësishme kulturore shqiptare. Spahija ka thënë për KultPlus se këto fotografi nuk janë publikuar deri më tashti dhe se këto fotografi, por edhe fotografi të personaliteteve të tjera kulturore, një ditë do ti prezantojë edhe nëpërmjet një ekspozite.

Ardianë Pajaziti
Fotografitë: Fahredin Spahija 

Fotografi Fahredin Spahija, eksluzivisht për KultPlus ka publikuar fotografi të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, të cilin e kishte fotografuar për herë të fundit, në vitin 2008, pikërisht më 2 maj, me rastin e varrimit të vëllait të Bekim Fehmiut, arkitektit Bashkim Fehmiu. Këto fotografi janë shkrepur në vitin 2008, pikërisht dy vite para se të ndërronte jetë Bekim Fehmiu, dhe konsiderohen të jenë fotografitë e fundit që kanë potretizuar këtë aktor me përmasa botërore.

“Bekim Fehmiu ishte një nga idhujt artistik të rinisë sime. Filmi i parë i tij që e kam parë në kinema, kur isha në moshën dhjetëvjeçare, ishte “Avanturisti”. Për këtë simpati ndaj Bekim Fehmiut, meritat më të mëdha i kishte vëllau im imadh, Faruku i cili perveç se më morri në kinema “Tesla” më fliste vazhdimisht për aktorin shqiptar të përmasave botërore, me fotografitë e të cilit, më vonë si adoloshent mbusha njërin nga muret e dhomës që ndaja me dy vëllezërit e mi”, ka shpjeguar për KultPlus Fahredin Spahija, i cili edhe sot mendon se .dashuria për fotografinë filloi pikërisht nga mbledhja e fotografive të Bekim Fehmiut, që dilnin në revistat dhe gazetat e Jugosllavisë së atëhershme.

“Pastaj kur fillova të merresha me artin fotografik, njëra nga dëshirat e mia ishte që ta realizoja portretin e aktorit tonë të madh. Këtë provova ta bëja për herë të parë në vitin 2000 kur e takova për herë të parë në barin e kinemasë ABC, dhe ku pata rastin me i kalu me të më shumë se dy orë në shoqëri edhe të drejtorit të atëhershëm të kinemasë, Milazim Salihu. Me atë rast e luta që të më lejonte ti bëj fotografi, derisa po rrinim në tavoline të përbashkët, por me mirësjellje maksimale më tha se i vjen keq që i duhej të refuzonte këtë kërkesë. ‘Mos e merr personale, por une ka vite që nuk jap intervista dhe nuk lejoj të më fotografojnë…’, ishte ajo që më tha”, ka thënë Spahija, i cili shpjegoi se ishte ndjerë keq që nuk kishte arritë të realizonte as edhe një foto të vetme me idhullin e tij artistik të rinisë, anipse, sipas tij, ai kishte aparatin me vete.

Ndërkohë, sipas tij, si projekt fotografik, kishte nisur të bënte portrete të personaliteve të njohura të kulturës shqiptare si: Ismail Kadare, Dritero Agolli, Ali Podrimja, Roland Gjoza, Eelena Kadare, Agim Deva, aktoreve Kadri Roshi, Agim Qirjazi, Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Rikard Ljarja, Alfred Trebicka, solisteve të operës: Agim Hushi dhe Inva Mula… regjisoreve: Muharrem Qena, Fatmir Koçi, Kujtim Çashku, Saimir Kumbaro, piktorëve: Sali Shijaku, Nysret Salihamixhiqi, Hasan Nallbani, Budim Berisha, Engjell Berisha e shumë të tjerëve. “Por, në arkivin tim të fotografive me personalitete të njohura vazhdonte ti mungonte ai që respektoja më shumë ndër të tjerët, Bekim Fehmiu”, ka thënë Spahija.

Dhe për të ardhur deri te fotografitë e Bekim Fehmiut, që po publikohen për herë të parë në KultPlus, Spahija ka thënë se më një maj të vitit 2008, kishte kuptuar se kishte vdekur arkitekti i parë shqiptar Bashkim Fehmiu, të cilin, vetë Spahija e kishte njohur edhe personalisht. “Të nesërmen, më 2 maj shkova në Prizren për të marrë pjesë në varrimin e Bashkim Fehmiut, dhe duke qenë i sigurtë se aty do të jetë i pranishëm edhe vëllau i tij, Bekim Fehmiu që asokohe jetonte në Beograd, unë mora aparatin fotografik dhe vendosa që ta fotografoja pa tërhequr vëmendjen e tij”, ka thënë Spahija.

Dhe duke pas parasysh se tashmë ka një numër të madh të fotografive të artistëve të mëdhenj, ku një pjesë e tyre nuk jetojnë më, ai e sheh të rëndësishme që këtë bagazh artistik ta prezantojë edhe nepërmjet një ekspozite, gjithnjë duke pas parasysh se të rinjtë, nuk e kanë idenë se kush ishin ata.

“Prandaj, një ekspozitë me këto personalitete , besoj që do të zgjonte kërshërinë e publikut tonë. Natyrisht, ekspozita me personalitete të kulturës kërkon një përkushtim të madh, dhe për këtë arsye nuk do të ngutem që ta prezantoj”, ka thënë për fund Spahija./KultPlus.com

Share This Article
1 Comment
  • Bekim Fehmiu, Nje nga pak shqiptar i permaqsave boterore, qe debutoi si aktore holliwood-i per shyume vite…Me kujtohet nje interviste e tij ne vitet ’80, kur e pyeten se si te duket teatri shqiptar tha; vuan nga patetizmi,…dhe kur i thane se a do ta “besh” djalin aktor, si vetja, u pergjigj me shpoti, po jo une nuk ja diktoj atij se cafre do te behet ai ai eshte i lire te behet shte doje…!!! I ndritte shpirti ne paqe, I paharruar kujtimi i tij!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *