Fotografi suedez, Paul Hansen, është fituesi i edicionit të 2012-s në konkursin World Press Photo. Hansen ka marrë çmimin e parë dhe fotoja e tij e publikuar në gazetën Dagens Nyheter është cilësuar si fotoja e vitit. Fotoja është shkrepur në funeralin e dy fëmijëve palestinezë të vrarë gjatë një sulmi izraelit me raketa. Një grup burrash transportojnë trupat e pajetë të fëmijëve në një nga rrugët e Gazës. Viktimat janë motër e vëlla, të mbështjellë në një pëlhurë të bardhë që lejon t’u duket vetëm fytyra. Një prej anëtarëve të jurisë që dha çmimin, Mayu Mohanna, thotë se forca e fotos qëndron në mënyrën sesi është dhënë kontrasti mes zemërimit dhe dhimbjes së të rriturve nga njëra anë dhe pafajësisë së fëmijëve nga ana tjetër. World Press Photo është një nga konkurset më prestigjioze për fotografinë gazetareske. Në edicionin e 2012-s u shpërndanë çmime në nëntë kategori për 54 fotografë nga 32 vende të botës. / Përgatiti: Gazmira Sokoli