FOTOT: Art me drurët që… sjell lumi

redaktor

Ai është skulptor dhe e njohin pak në Tiranë. Nuk bën kuaj dhe breshka në allçi, por ka zgjedhur të sjellë një art ndryshe, formën e të cilit nuk e kemi parë në Shqipëri.

Gani Çekrezi, ka lindur në Gramsh dhe prej 10 vitesh jeton në kryeqytet. Është 30 vjeç dhe ka përfunduar studimet e larta pranë Akademisë së Arteve në degën e Skulpturës monumentale, sot punon si menaxher pranë një kancelarie në rrugën “Xhorxh Bush”.

Në këtë hapësirë ka gjetur edhe një qoshe ku të ekspozojë edhe disa nga punët e tij. Të varura në mur shohim disa punime që ngjajnë si qytete apo piktura në miniaturë.

Ganiu, lëndën e parë e merr në brigjet e lumenjve dhe detit! Gurë, por edhe copa drush që nxjerr lumi në breg, janë materiali i parë për punën e djalit, i cili arrin t’i kthejë në art.

Kur shkon në vendlindjen e tij, kalon orë të tëra pranë lumit Devoll, duke pritur… “gjahun” e tij.

Sekreti i artit të Ganiut është se ai nuk ndërhyn në formë, por e përshtat atë material në bazë të idesë që ai mund të krijojë në lidhje me formën që i ka rënë në dorë.

Pra, një copë dërrase e kthen në shtëpi. Një gur e kthen në zog. Një copë druri, në mulli, e kështu me radhë, sigurisht duke përdorur ngjyrat mbi to.

Punimet e para i ka filluar në 2009, dhe ajo çka ka dashur të sjellë nëpërmjet artit të tij është një cikël ku në forma të ndryshme, arrin të tregojë shtëpinë shqiptare në fshat, duke filluar nga jugu në veri. Ndërsa intensivisht me këtë stil përkushtohet prej një viti.

Jo rastësisht është këtu. Pasionin për punën e dorës e ka kultivuar që në fëmijëri. Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, shkon në Elbasan për të ndjekur Liceun, ku zgjedh skulpturën.

Ganiu është rritur në një familje të madhe. Ata janë nëntë fëmijë dhe ai është i shtati. Pesë vëllezërit dhe katër motrat, kanë marrë drejtime të ndryshme në jetë dhe asnjë prej tyre nuk ka ndjekur rrugën e artit. I vetmi është Ganiu i cili, me humor tregon se është i treti nga fundi, në radhë.

Megjithatë, ai na tregon se babai është mjeshtër në punimin e drurit dhe këtu kuptohet se nga e ka të trashëguar 30-vjeçari talentin për formën dhe të bukurën. Është i ndrojtur në bisedë, por jo në punimet që realizon. Në këtë intervistë për Dita-n ai na tregon më shumë për veten dhe këtë formë të veçantë të punimeve që “ndërton” dita ditës në kryeqytet.

 

Gani, çfarë të ka shtyrë të profilizohesh drejt skulpturës?

Skulptura është prirja ime e natyrshme në artet pamore. Fillimisht Liceun e fillova me idenë për t’u bërë piktor, megjithatë nuk e pash veten të aftë për t’u marrë me ngjyrën. Në kontaktet e para me “modelimin në skulpturë” pash që kjo ishte ajo që kërkoja. E bëj me shumë pasion edhe vizatimin, më pëlqen shumë vizatimi, gjë te cilin skulptura e përmban në vetvete dhe jo pak, por në të

Gani Cekrezi
Gani Cekrezi

360 gradë. Tjetër, skulptura kthehet në një objekt të prekshëm, më konkret se piktura ose fotografia, dhe duke u realizuar në materiale të llojllojshme mund të ekspozohet lehtësisht si në ambiente të brendshme ashtu edhe jashtë ambienteve të ruajtura nga erozioni. Ndoshta të gjitha këto nga pak më shtynë të zgjedh skulpturën.

Kur ke filluar të merresh me këto punime të veçanta dhe çfarë materialesh përdor?

Nuk ka shumë! Mbase një vit, ose një vit e gjysmë. Materialet janë gur, dru, metale.

Ku i gjen materialet dhe cili është stili që përdor në realizimin e tyre?

I mbledh nëpër shtretërit e lumenjve dhe bregut të detit. Stili është që nuk ia ndryshoj formën natyrale që ato kanë, thjesht i rikompozoj brenda një konteksti që mua më intereson, duke i bërë një ndërhyrje të lehte mbi sipërfaqe me vizatim, aty ku nevojitet, dhe duke i bashkuar 2, 3 ose më shumë element bashkë, varet nga situata.

Si quhen këto punë, a kanë një emërtim?

Këto janë skulptura! Pavarësisht teknikës dhe materialeve të përdorura, ngelen skulptura. Për sa i përket subjektit ai është i ndryshëm, por aktualisht po mundohem të ndërtoj një cikël me “Shtëpitë shqiptare”, duke marrë si bazë ndërtesën shqiptare të banimit, kryesisht shtëpinë e fshatit dhe elementin e kullës, që është një formë interesante e arkitekturës sonë tradicionale, çezmat, mullinjtë etj.

Cila është puna më e veçantë dhe vlerësuar që ke bërë deri më tani?

Për mua mbetet ende diploma, skulptura “5 stinët”. Mbas saj është një kompleks i vogël monumental që e kam quajtur “Çezma e fshatit” dhe e kemi realizuar në fshatin e lindjes, po që ende nuk është përfunduar totalisht. Sa për ciklin e tanishëm jam ende në proces kështu që të shohim, ndoshta më vonë do na pëlqejë ndonjë nga këto më shumë sesa të tjerat.

5Çfarë ke ndërmend të bësh në të ardhmen me këto punë?

Nuk e di saktësisht…! Ekspozitat do ishin hapi i parë, pastaj një dyqan-galeri ku njerëzit të mund t’i gjejnë në mënyrë të përhershme. Mbase me vazhdimin e punës do vij edhe zgjidhja e menaxhimit të tyre dhe lidhja me tregun.

Gjithmonë thuhet se artistët vlerësohen pak, ti vetë si e ke ndjerë, është e vështirë të gjesh vetën në shkollën që ke përfunduar?

Nuk mund të them se vlerësohen pak! Unë vet kur kam sjellë diçka kam gjetur edhe dashamirës por edhe klient, ajo që më shqetëson më shumë është mungesa e kritikës, kritikës konstruktive, debateve artistike, ekspozitave kolektive. Në përgjithësi ndjejmë se është një klimë e vakët në krijimtarinë artistike, megjithatë kur ne kemi diçka për t’i përcjell masës edhe masa e tregon interesin e saj, sidoqoftë. Motori kryesor për të vënë në lëvizje ambientin dhe njerëzit rreth nesh duhet të jemi vet ne. Ne duhet ta kthejmë klimën artistike nga klimë e vakët në të pasur.

1724856_10206441715541837_8587681527642618391_n

1918857_10206416412829285_6622465006954342378_n 10006965_10206363067415683_1639544029031085332_n 10455358_10206453864925564_1884458040743442532_n 10511241_10206570402198923_8575656910199904772_n 11204471_10206510871070682_6497922069965423906_n 11229696_10206416412789284_1842591899730820534_n 11937442_10206378428999713_2734465709869644009_n 12744598_10206200236025000_1147152143497069844_n 12804751_10206279318602015_7808193698036713606_n 12809734_10206510870550669_4462969692926986639_n 12814368_10206279318482012_2836658958760686684_n 12819266_10206338340437524_672530209388411983_o

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *