Një ngjarje tepër e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Laç në futbollin e të rinjve. Vendasit e moshave U-17 dhe U-19 u përballën me kundërshtarët e tyre të Kukësit, por takimet janë shoqëruar nga një dhunë e paprecedent, e cila ka bërë që të dërgohen në spital dhe 2 futbollistë të Kukësit U-19, Uka dhe Kashanjeva.
“Për futboll nuk flitet dhe rezultati kalon në plan të dytë, pasi vetëm dhuna ka qenë prezente jashtë fushe dhe brenda e saj. Kjo e lejuar edhe nga arbitri i ndeshjes. Ai pasi ka nxjerrë dy lojtarë të Laçit me karton të kuq, i ka rifutur në lojë, pasi nga frika dhe presioni i shënoi si të verdhë. Klubi F.K. Kukësit do e ndjekë deri në fund këtë çështje dhe do të përgatisë të gjithë dokumentacionin e duhur për ta dorëzuar në FSHF. Kjo sjellje është prishje e qartë e garës dhe si gjithmonë ndodh në Laç“, thuhet në njoftimin e klubit të Kukësit. Drejtuesit apelojnë për marrjen e masave të menjëhershme dhe dënimeve shembullore për protagonistët e ngjarjes.

