Nga parlamenti Ilir Meta, i është drejtuar Presidencës për ceremoninë e fundit në marrjen e detyrës së re dhe kalimin e stafetës nga Bujar Nishani tek ai.

Ashtu siç edhe e kishte deklaruar më herët Kryemadhi ka hequr dorë nga privilegjet dhe detyrat e ‘Zonjës së Parë’, duke mos e shoqëruar bashkëshortin e saj as në këtë moment historik. Meta është parë në krah me ish-presidentin tashmë Bujar Nishani dhe bashkëshorten e tij Odeta Nishani.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese i ka dorëzuar Kushtetutën e Shqipërisë Presidentit Ilir Meta, i cili është zotuar ta mbrojë dhe garantojë respektimin e saj.

Ndërkohë më herët, Kryemadhi që ka qëndruar bashkë me deputetë e personalitete të tjera, ka patur një takim të përzemërt me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe deputeten Arta Dade. Rama është paraqitur sërish me atletet e tij të bardha, ndërsa është përshëndetur me ministrat.

Ndonëse në parlament nuk ishin, një pjesë e ministrave teknikë ndodheshin në ceremoninë në Presidencë.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ndodhej në krah me deputetin e PS Pandeli Majko, ndërsa Berisha bashkë me deputetët e tjerë. Të pranishëm edhe krerë të komuniteteve fetare dhe ambasadorë si dhe përfaqësues të mediave.





