Moikom Zeqo
Shumica e librave të botës shkruhen për t’u harruar. Shkrimtarët mëtojnë pavdekësinë. Por pak, shumë pak arrijnë tek kjo ëndërr mikluese, më shpesh zhgënjyese.
Para vdekjes Benjamin Fraklini e shkroi një epitaf, që mund (jo domosdo) të vihej mbi monumentin mbivarror.
Epitafi qe: “Këtu prehet Beniamin Fraklini, ish tipograf. Trupi i tij do të hahet nga krimbat, por libri i tij s’do të harrohet. Do të ribotohet me fletë që prishen, me kopertinë më të praruar, në ditën e Gjykimit nga Tipografia Qiellore.”
Gjysmë shaka, gjysmë e vërtetë! Dorëshkrimin e epitafit e la mbi tryezë. U hap dritarja, një fllad ajri e lëvizi letrën, që ra në një qoshe të dhomës. Fraklini kishte dalë nga dhoma. Një mi i rastësishëm, por me një sens hyjnor e hëngri letrën dhe kuptimi i rreshtave testamentarë humbi. Kur Fraklini u kthye në dhomë u ul në tryezën e shkrimit. U përqendrua në një meditim të gjatë. Donte të kujtonte diçka. Por s’mundej dot. Po më le kujtesa, mendoi. Ndoshta e humba një ide. E pra disa çaste më parë kishte parandjerë një ide, e kishte perceptuar, por ironikisht perceptimi i çastshëm qe shpërbërë lehtësisht, sikur të mos kishte qenë kurrë.
Sytë e tij përmes syzeve befas e panë në qoshen e dhomës miun. Edhe miu po e shihte me sytë e tij të veckël dhe të shndritshëm.
Ah, një mi, tha me vete gati i ngazëlluar plaku madhështor Beniamin Fraklini. Kam vite që nuk kam parë një mi të gjallë. Tërë shembëlltyra e jetës lëvizte misteriozisht tek ky mi.
Sa mi i bukur, tha me zë Fraklini. Pastaj ra në një dremitje me sytë e mbyllur. Mbi tryezë zbardhte një letër e pashkruar. Që s’do ta shkruante dot asnjëherë.
Durrës, 1989
