Është meritë e Eqrem Çabejt e posaçërisht e Androkli Kostallarit, që duke kërkuar arkivat vite më parë, në Vjenë, gjetën një dorëshkrim me titullin: “Getichte”, që përmban poezi të Nopçes nga harku kohor 1885-1932, me pseudonimin Kolec Marku, emri i mikut të ngushtë shqiptar të Nopçes.
Kostallari ka botuar një studim si dhe përkthimin e një pjese të madhe të poezive në shqip. Ky opus poetik i jashtëzakonshëm ka 5 cikle: 1) Lirika (42 poezi), 2) Në Karpate (23 poezi), 3) Filozofi (35 poezi), 4)Tregime të shkurtra (27 poezi), 5) Nga Shqipëria (18 poezi). Theksojmë se jo vetëm cikli nga Shqipëria, por tërë ciklet lidhen shpirtërisht me Shqipërinë, ndaj nuk duhen marrë të ndarë ose të veçuara.
Shqipëria për Nopçen është një Fata Morgana e fantazisë dhe e fuqisë së tij krijuese. Nopça shpall se: “Do të mësoj të heq dorë – nga bota e Perëndimit dhe se ka akoma një vend këtu – që kurrë s’e ka mposhtur gënjeshtra – një i tillë vend po ma bën me shenjë e po më thërret – është Shqipëria, ndër këngë e kënduar”.
Apostrofimi i Nopçes ka nota profetike: “Kjo është një botë që s’e gjen asgjëkundi – nga Perëndimi po i vjen fatkeqësia – prandaj po vete me këmbë të lehtë – në atdheun e ri që zgjodha vetë.”
Për Nopçen Shqipëria është vendi i tij përrallor në mbretërinë e ideve, pra, një ide platonike e një vetmije të pafund dhe të tmerrshme të Nopçes, sepse, në qytetërimin europian, zemra e trazuar e Nopçes humbi, por vetëm në Shqipëri ai, “mund të lindte përsëri si një bishë e egër”. Shqipëria është “Ultima Thule”, visi hyperboreal i të lashtëve, nga Shqipëria vështrimi i brendshëm i Nopçes arratiset në kozmos dhe Nopçja shpall: “Kozmosi është shteti im” dhe se: “Ç’janë 1000 vjet? – janë sa një orë – ç’farë ekzistonte para eonëve – quhet kohë tek natyra. – Kur në botë më shtyp mua cmira e njerëzve të vegjël – kujtoj djejtë e mëdhenj – dhe kujtoj amëshimin”.
I tronditur nga tmerret e Luftës së Parë Botërore Nopça kalon në mohim ekleziastik: “Ç’është kultura e njeriut? -një shtresë e jashtme – në të natyra e bishës grabitqare – me forcë del në shesh” dhe se “Ajo që na ndan prej njerëzve të egër – është një mur prej letre”. Vetëkuptohet është një pikëllim i skajshëm dhe qytetërimi modern krahasohet me Pandemoniumin e Miltonit.
Por nuk është thjeshtë një pesimizëm horoskopik dhe fatal, sepse humanizmi është substanca poetike e Nopçes. Duhet kuptuar se poeti i pakrahasueshëm Rilke (1875- 1926) e konsideronte veten mik të botës “Der Welt Freund”. Rilkja është modeli poetik i Nopçes. Për Rilken poezia është gjithmonë “dikund”, “dikush” “diku”, “diçka”. Psikogramet e Rilkes, adhurimi i tij për të thjeshtën dhe të lashtën, janë sintetizuar në kryeveprën poetike, që e botoi më 1923 “Sonetet e Orfeut”, ku njeriu është si natyrë dhe natyra është si njeri, ide kjo themelore për vizionin poetik të Nopçes.
Të mos harrojmë se edhe filozofi më i madh ekzistencialist i kohës sonë Martin Haideger (1889- 1976) ka shkruar se qytetërimi teknologjik është “kohë e varfër, sepse bëhet gjithnjë e më shumë e varfër, kështu që në rendin teknologjik shuhet çdo gjurmë e afërsisë vendlindëse të njeriut ndaj ekzistencës”.
Por ky është vetëm një mendim alternativ. E veçanta e njerëzimit, por jo tërë njerëzimi. Injorantët janë tepër të sigurtë. Të mënçurit luhaten si Hamleti. Ndoshta monologu i Hamletit për vetëvrasjen, shembulli fabulesk i Empedoklit, që u hodh mbi llavën e vullkanit mbasi lexoi “Fedonin” e Platonit, ka luajtur një rol strukturor në tragjedinë e jetës vetiake të Nopçes. I mikluar nga origjina prej fisniku të Almanakut të Gotës, ky aristokrat baron jetoi mes shqiptarëve llahtarisht të varfër nëpër male, ndonëse mes privacioneve të patregueshme, ndonëse “ëndrra mbretërore – kjo ëndërr inkubi” iu shfaq edhe Nopçes në rrugën e jetës, ashtu si ju shfaq pantera e mistershme dhe ndjellafrikëse Dantes.
Ndoshta është e pabesueshme, që Nopça në vitin 1913, qe një nga rivalët kandidatë të Princ Vidit, për t’u bërë Mbret i Shqipërisë. Por të mos tregohemi sarkastikë, as të padrejtë: Nopça është Mbret i Shqipërisë albanologjike i vërtetë dhe jo thjesht prej letre e shkronjash, është prej dashurie të thellë dhe jo prej një epshi prej momenti.
Dituria e Nopçes është një llampë Aladini për ne shqiptarët, mbase Nopça është njëri nga ne, por me një ndryshim sepse është i ndryshëm, ka një lebër të artë në fytyrën e tij, talentin dhe gjeninë, që e kanë rrallë njerëz në këtë botë.
Dashuria e Nopçes për shqiptarët është e pashlyeshme. Në kohën e tij Virhofi, nga një kompleks madhështie të pashpjeguar, i quajti shqiptarët “Racë superiore”, kurse akoma më skajshëm Breillsford i quajti “Mbinjerëzit e Niçes bjondë dhe sykaltër”. Paradokset e historisë, marrëzitë tona të pakufishme, një prirje vetëvrasëse që kanë shqiptarët për vetveten, që e kanë vënë në dukje në një libër të tij edhe Ernesto Sabato, “Nata Valpurgjike” e diktaturës dhe e demokracisë së shpërdoruar llahtarisht, eksodet, varfëria e frikshme dhe e plotpushtetshme na kanë bërë të përjetojmë skajin e kundërt, kompleksin e inferioritetit, të kalojmë tek ideja e eutanazisë. Por shpresa ekziston dhe Lukreci ka më të drejtë se sa Hesiodi kur thotë se “Koha më e mirë është ajo që kemi përpara”.
Midis skajeve gjithmonë do të qëndrojë vepra kolosale, intelektuale e Nopçes, ndonëse me kontradiktat e saj heraklitane të pashmangshme, me çuditë e fshehura në brendësi, me sfidat e hatashme, por edhe me këngën prej Orfeu, që di të shkojë në ferr dhe të kthehet nga ferri. Duke kuptuar Nopçen ne kuptojmë vetveten dhe duke kuptuar vetveten mund të kuptojmë dhe Nopçen.
Së fundi një kumtim tronditës për ata që nuk e dinë: Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ruhen 6 vëllime me dorëshkrime origjinale të Nopçes nga viti 1905 deri në vitin 1922, të pabotuara. Botimi i ardhshëm i tyre do të na mrekullojë dhe do të na bëjë të jemi më të ndërgjegjshëm se sot për rëndësinë e këtij tubimi, jo thjesht ceremonial, por substancial.
I frigohem tërë rastësive që nuk kanë asnjë kuptim, lojë boshe e lëvizjeve dhe përplasjeve të kota. Por takimi me Nopçen është një rastësi më me kuptim që e bën akoma më simbolike domosdoshmërinë, sepse ne shqiptarët tashmë nuk bëjmë gjë tjetër veçse vazhdojmë në kohë letërkëmbimin legjendar midis Shtjefën Gjecovit dhe Nopçes, letërkëmbim që mbase ata vetë e vazhdojnë në tejjetë, në pasvdekje, d.m.th, në amëshim, kurse ne, vdektarët e zakonshëm, konvertojmë në këtë letërkëmbim mendimet tona siç bëjmë zakonisht – ritualisht në çdo rast jubilar.