Franc Veliu do të mbetet kuqezi. Jo te Flamurtari, klub nga i cili u largua pas një beteje të gjatë jashtë fushave të lojës, ku fitoi rrogat e prapambetura dhe u shpall futbollist i lirë në Dhomën për Zgjidhjen e Konflikteve pranë FSHF-së. Karriera e mbrojtësit vlonjat pritet të vazhdojë në kampionatin maqedonas me Vardarin.
26-vjeçari ishte i pranishëm në takimin e luajtur në fushën asnjanëse të Kumanovës, ndërmjet Shkëndijës së Tetovës dhe Vardarit të Shkupit. Të dyja skuadrat e Prva Liga-s kanë shfaqur interes për Veliun dhe këtë e konfirmoi për mikrofonat e SuperSport tekniku Shpëtim Duro: “Jemi interesuar për Veliun dhe kjo është diçka normale, duke qenë se jemi në periudhë merkatoje”.
Por, mbrojtësi duket më pranë transferimit te Vardari. Burime pranë lojtarit theksojnë se gjasat më të mëdha janë që Veliu të firmosë me skuadrën nga Shkupi. Prej disa javësh, për shërbimet e ish-mbrojtësit të Kombëtares është interesuar edhe Tirana. Bardheblutë kërkojnë të përforcojnë repartin difensiv dhe dukeshin fare pranë vlonjatit. Kalimi te Vardari do të shënjonte etapën e dytë në karrierë për Franc Veliun, që e ka kaluar të gjithë karrierën te Flamurtari. 12 vjet me bregdetarët, nga të cilat 9 sezone në ekipin e parë dhe si kapiten, duket se kanë ndikuar që lojtari të vazhdojë të zgjedhë një fanellë kuqezi.