Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka braktisur planet për ndryshimin e Kushtetutës, sipas të cilave, militantët e dënuar për sulme terroriste do tu hiqej shtetësia franceze.
“Kompromisi duket se nuk mund të arrihet”, ka thënë Hollande, pasi dy dhomat e Parlamentit francez kanë dështuar të bien dakord për reformat.
Planet për ndryshim të Kushtetutës kanë pasuar sulmet e nëntorit në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.
Por, ato kanë hasur në kundërshtime të fuqishme dhe kanë bërë që ministrja e Drejtësisë së Francës, Christiane Taubira, të japë dorëheqje në muajin janar.
Taubira ka qenë njëra nga politikanët e paktë me ngjyrë në Francë dhe është përballur shpesh me përqeshje raciste nga ekstremi i djathtë.
Hollande, duke folur sot para mediave në Paris, ka thënë se lufta kundër terrorizmit do të jetë e gjatë.
