Me rezultat 3-0, kombëtarja e Francës e ka mposhtur Hondurasin në ndeshjen e vlefshme për Grupin E, e cila u zhvillua në Porto Alegre.
Trikolorët ishin padyshim skuadra dominuese në fraksionin e parë, mirëpo ata e kishin të vështirë t’i konkretizonin rastet e tyre. Një nga rastet më të mira e pati Matuidi, por goditjen e tij e mbrojti portieri.
Les Bleus bënë presion të vazhdueshëm përpara portës kundërshtare dhe më në fund ia dolën të realizonin para se të shkonin në pushim.
Palacios ndërhyri në mënyrë të gabuar në Paul Pogban në zonë dhe arbitri akordoi penalti dhe e ndëshkoi me të verdhë, e që ishte i dyti për të, kështu që u përjashtua nga fusha. Karim Benzema u tregua i saktë nga pika e bardhë (45’).
Me epërsinë numerike në fushë dhe forcën e skuadrës, francezët e dominuan tërësisht gjysmën e dytë, në të cilën shënuan edhe dy gola.
Pas një goditjeje të Karim Benzemas, Noel Valladares shënoi autogol (48’), i cili u vendos me teknologjinë e re të FIFA-s.
Mbrëmjen e tij fantastike, sulmuesi i Real Madridit e mbylli me një gol të bukur (72’).
Franca merr kreun e Grupit E me pikë të barabarta me Zvicrën. Në xhiron tjetër, dy përfaqësueset evropiane luajnë ndaj njëra-tjetrës.
