Franca mendon për Shqipërinë. Kombëtarja e vendit organizator ka zbritur në fushën stërvitore të Clairefontaine ku ra në sy mungesa e Paul Pogba dhe Eliaquim Mangala.
Sipas mediave franceze, mesfushori i Juventusit dhe mbrojtësi i Manchester City nuk u vunë nën urdhrat e trajnerit Didier Deschamps pasi zgjodhën të stërviteshin veçmas në ambjentet e mbyllura të qëndrës stërvitore. Nuk dihet ende nëse mungesa e tyrë në seancën stërvitore lidhet me ndonjë dëmtim të mundshëm, por vendimi është marrë pas konsultimit me trajnerin e Francës.
Sipas mediave vendase, seanca stërvitore e bluve nuk zgjati më shumë se 60 minuta për shkak edhe të reshjeve të shiut që përfshinë qëndrën stërvitore.
21 lojtarët që morën pjesë në seancën stërvitore u janë nënshtruar kryesisht ushtrimeve fizike për të ulur sa më shumë peshën e ngarkesës fizike, por Deschamps e vazhdoi punën me lëvizjet taktike duke e ndarë skuadrën në dy pjesë por pa dhënë pika referimi për formacionin titullar.
Franca do të ndeshet me Shqipërinë të Mërkurën në “Velodrome” të Marsejës pas 3 pikëshit të marrë kundër Rumanisë.
