Në vigjilje të përvjetorit të tij të nëntëdhjetë, regjisori i njohur italian, Franko Zefireli, thotë se ka projekte që duan edhe të paktën një 10-vjeçar për t’u realizuar. Me një karrierë të jashtëzakonshme si regjisor, skenarist, skenograf e piktor, Zefireli falënderon Zotin për karrierën e gjatë dhe me prodhimtari të bollshme. “Kam shumë projekte që do të më mbajnë të zënë me punë deri në fund të 100-vjetorit”, thotë ai, duke veçuar mes këtyre objektivave themelimin e një fondacioni me emrin e tij në vendlindjen e vet, Firence.
Franko Zefireli njihet për regjinë e filmave që bënë epokë në kinematografi si “Jezu Krishti i Nazaretit”, “Një çaj me Musolinin”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Vëllai Diell dhe motra Hënë”, dhe vënien në skenë të operave lirike si “Aida”, “Don Zhuani”, “Otello”, “La boheme”, “Turandot”, Traviata”, Toska”, “Hamleti” etj.