Frashëri ka një histori të veçantë, që, siç është cilësuar nga njerëz të kulturës dhe dijes vendas dhe të huaj, i ngjan historisë kombëtare të Shqipërisë në miniaturë, me të gjitha meritat dhe me të gjitha fatkeqësitë e saj. Qyteti i vogël i Frashërit u shqua dhe u veçua për jetën intelektuale dhe kulturore të periudhave më të vështira historike të Shqipërisë. Ai është fshati që i ka dhënë Shqipërisë universitarët e parë, është fshati që i ka dhënë Shqipërisë institucionin e parë të dritës, Teqenë Bektashiane, shkollën dhe vatrën e parë të ndezur patriotike, është fshati që i ka dhënë Shqipërisë tre Vëllezërit Frashëri, Abdylin, Samiun dhe Naimin, të cilët koha i ka ngritur në tempullin e identitetit tonë kombëtar, për mendimin filozofik, historinë dhe gjuhën tonë të bukur shqipe. Frashëri ka qenë një qendër e madhe ku gumëzhinte jeta, Samiu e ka quajtur “qytet i vogël malor”, që kishte deri në 500 shtëpi, 22 lagje, shumë dyqane manifature, punishte shajaku, veglash pune si dhe një pazar të madh. Ndërsa tani ai është braktisur pothuajse plotësisht, komuna e Frashërit është duke u shkrirë se nuk i plotëson kriteret e një njësie administrative si komunë! Si s’i plotësuaka kriteret?! Nuk mjafton historia e saj e ndritur, simbolika dhe emri i madh, që të jetë një qendër administrative, një qytezë historike!
Frashëri e ka mbajtur Shqipërinë, por Shqipëria s’po mban dot një Frashër…
Reforma administrative-territoriale të vendit, që po ndërmerr qeveria pë bashkimin njësive vendore të vogla në njësi vendore më të mëdha është e drejtë. Por ndarja e re administrative nuk duhet të fshijë mekanikisht nga harta administrative komuna ekzistuese me potencial simbolik madhor historik, pavarësisht numrit të vogël të popullsisë. Sipas projektit që po përëgatitet Komuna e Frasherit do të shkrihet si njësi vendore dhe do t’i bashkohet Bashkisë Përmet, por e vërteta e madhe historike është se Frashëri ka bërë Shqipëri, ndërsa Shqipëria nuk mban dot një Frashër. Pushteti vendor në Frashër dhe disa organizata shoqërore dhe kulturore të rrethit të Përmetit, të interesuar për rigjallërimin e Frashërit, kërkojnë që Frashëri, për vlerat madhore historike të mbarë kombit shqiptar, të vazhdojë të jetë qendra e Komunës së Dangëllisë.
Frashërllinjtë e Mëdhenj e bënë Shqipërinë, duke prishur para, duke sakrifikuar jetën e shëndetin, duke derdhur gjak e duke u dergjur burgjeve të Perandorisë. Shiheni tani Dangëlline dhe Frashërin e Abdylit, Naimit dhe Samiut, Frashërin e Baba Alushit. Do ta ruajmë e t’i kthejmë nderin atdheut, historisë e vetvetes, apo do ta lëmë të humbasë e të mbetet vetëm në këngët e dhimbshme e faqet e historisë. Frashërin nuk e bën e nuk e mban dot as komuna, as nënprefektura. Ai është i Kombit e ashtu duhet të vlerësohet. Ai është unikal dhe kërkon që sheti e shoqëria shqiptare ta shohë unikal, si një zë më vete . Komuna ka hedhur idenë dhe ka përpunuar programin e alternativës: Nëse Frashëri duhet të ketë jetë e nder, duhet të kthehet në një Qëndër Historike Turistike-muzeale. Kur Abdyl Frasheri krijonte Komitete për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, pa marrë parasysh asgjë, ne pse të mos bëjmë si ai, të mbrojmë Frashërin nga eliminimi fizik, por edhe historik.
Frashëri në shekuj
Frashëri ngrihet 1030 metra mbi nivelin e detit në qendër të krahinës së Dangëllisë së trevës së Përmetit. Hapësira e tij gjeografike është 15.5 km2, e barabartë kjo me 7.2 % të sipërfaqes së Dangëllisë dhe me 1.7 % të hapësirës gjeografike të trevës së Përmetit. Në Frashër e Dangëlli qielli zbret në tokë dhe toka lartësohet në qiell, ndaj frashërlliut dhe dangëlliotit forcën e karakterit ia jep toka dhe mirësinë e shpirtit ia jep qielli, ndërsa bukurinë e trupit dhe forcën e mendimit ia japin sa toka aq edhe qielli. Banorët e Dangëllisë njihen për trimëri, guxim dhe zgjuarsi, – ka thënë Sami Frashëri.
Një nga lagjet më të vjetra të Frashërit, lagjia Vilë, emër me orgjinë romake, i ka të paktën fillesat e veta brenda hapësirës së shekullit të 2-të para lindjes së Krishtit. Në burimet e shkruara osmane, Frashëri në vitet 1431-1432 del me 12 shtëpi, më 1506 me 41 shtëpi, më 1583 ka 58 shtëpi dhe në vitet 1878-1881 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka 175 shtëpi të ndara në 22 lagje dhe me popullsi 1650 banorë. Ishte fshati më i madh ndër 48 fshatrat që përfshinte në atë kohë Dangëllia. “Frashëri është një fshat i madh ose një qytet i vogël”, – ka shkruar Sami Frashëri. Në vitet 1913 – 1914, Frashëri u rrafshua nga okupacioni grek, nga bandat e parregullta të andartëve të Gjiritit dhe ushtria e rregullt e Athinës, u dogjën 318 shtëpi dhe u lanë pa strehë 1112 banorë. Popullsia u rrit në vitet ’30 – ’80 të shekullit XX, por në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm u larguan shumë banorë dhe sot, në dhjetvjeçarin e parë të shekullit XXI, ka po aq shtëpi sa kishte në shekullin. Akoma më shumë janë larguar sot, duke ngelura vetëm 5-6 shtëpi.
*Kryetari i shoqatës Atdhetare kulturore mbarëkombëtare” Vëllezërit Frashëri”
