Forumi rinor i Frymës së Re Demokratike ka përkujtuar sot 22-vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Në një deklaratë për mediat, rinia e FRD-së thekson se theksuar se është koha të rrëzohen bustet e reja të korrupsionit, papunësisë dhe vjedhjes së votes.
“Më 23 qershor vota e saj masive do të bëjë ndryshimin, duke rrëzuar bustete vjetra e të reja që pengojnë të ardhmen tone. FRD beson tek rinia, te forca e saj morale e politike, tek energjitë dhe aftësia për të marrë vetë fatet e vendit në dorë. Si 22 vjet më parë edhe sot rinia është forca e ndryshimit. Koha nuk është për buste të reja, koha është për shtetin dhe qytetarët” thuhet në deklaratë.
Ata theksuan më tej se sot 22 vjet më vonë Shqipëria nuk ka më buste diktatorësh por buste të reja që mbajnë peng të ardhmen e saj. “Sot Shqipëria është ende jashtë Evropës. Politika e vjetër dhe konflikti personal për pushtet mban peng vendin, mban peng integrimin dhe mban peng ëndrrën studentore “E duam shqipërinë si gjithë Evropa”. Sot Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë pa zgjedhje të lira, vendi ku zyrtarët janë të pasur e populli i varfër, ku për të hyrë në punë nuk ka rëndësi CV profesionale por tesera e partisë, ku të gjitha institucionet janë në dorën e një njeriu dhe ku vendin e Byrosë Politike e ka zënë kryesia e partisë në pushtet” shtuan ata.
Sipas tyre, sot shqiptarët ndjehen të zhgënjyer, të keqpërdorur, të fyer dhe të harruar nga ata që erdhën në pushtet me premtimin për politikë të pastër dhe janë kthyer në një kastë të korruptuar që grabit cdo ditë votën, pasurinë, të drejtat dhe liritë qytetare.
“Sot pushteti ka braktisur dhjetorin 1990, ka braktisur të përndjekurit politikë, ka braktisur elitën intelekturale e qytetare dhe mbahet në këmbë me polici, shërbime sekrete e militantë të rrethit nepotik familjar dhe partiak. 22 vjet më parë regjimi mbylli universitetet sepse studentët ishin kundër tij, sot regjimi e ka zhvlerësuar aq shumë diplomën dhe shkollën sa praktikisht i vënë kycin botës akademike. Qeveria kërkon mandat të tretë dhe premton punësim të rinisë, por prej vitesh ajo e ka braksisur rininë, papunësia është në rekorde maksimale, varfëria është në cdo tryezë familjare pa pushtet dhe se rinia ashtu si më 1991 është masivisht kundër qeverisë” thuhet në deklaratë.