Moikom Zeqo
Në mëngjesin e funeralit të Frederik Rreshpes, u nisa herët nga Tirana për të qenë i pranishëm në funeralin e mikut tim.
Kishte ardhur nga Durrësi me makinë vëllai im i vogël që quhet Frederik, i cili e njihte shumë mirë Frederikun poet, kishte kujtime me të, sepse kishim qenë bashkë shumë herë.
Ishte një mëngjes madhështor dhe gati i artë, si një lak kohor i çuditshëm i ndërrimit të kohërave.
Gjatë gjithë rrugës për në Shkodër, mendoja për muzgjet e zymta të Rreshpes.
Në ka poet që u ka kënduar muzgjeve, është Rreshpja.
Në ka çast të kohës që artikulohet në muzg, është pikërisht vepra lirike, e patjetërsueshme e Frederik Rreshpes.
Po shkoja drejt fundit të jetës së tij, drejt çastit të mbramë të mikut tim të trishuar dhe të guximshëm.
Drejt Shkodrës, për të cilën Migjeni i madh ka thënë: “Shkodra, dashnorja eshekujve”.
A ishte Frederik Rreshpja dashnori më i fundit dhe më i vërtetë i Shkodrës?
Pa dyshim.
Nuk kisha dilema dhe qeshë çuditërisht i qetë.
E dija se vdekja e Frederikut ishte paqja dhe qetësia e tij.
E dija se nuk do të kisha më shqetësime, as situata të paparashikuara prej tij.
Ai vetë e kishte mbyllur sagën e tij të pabesueshme dhe plot paradokse tokësore.
***
Ora 9 e mëngjesit.
Kapërceva portën e shtëpisë së tij (porta e vdekjes, të cilën ai e kishte ndërruar), pa asnjë frikë, pa asnjë shqetësim, pa asnjë apologji, pa asnjë klithmë të brendshme.
I tillë ishte miku im.
Si Sokrati i vjetër që jetoi keq, që ishte tmerrësisht i qetë përballë vdekjes.
Në ka patur njeri që nuk e ka urryer vdekjen, por e ka kërkuar, ishte pikërisht Frederik Rreshpja.
***
Shtëpia karakteristike e Rreshpajve.
Kam hyrë në portën e kësaj shtëpie që në vitet ’60 të shekullit të kaluar.
I kisha njohur të gjithë pjesëtarët e familjes, madje edhe ata që nuk janë më.
Kishin kaluar vite të shqetësuara, unë nuk isha më i ri. E njihja mirë oborrin, fizionominë e shtëpisë, mobiljet e saj qindravjeçare.
Kisha fjetur shumë herë në këtë shtëpi, ashtu si edhe Rreshpja kishte fjetur shpeshherë në shtëpinë time në Durrës, kishte ngrënë bukë nga duart e nënës sime të ndjerë.
Të gjitha këto i takonin tashmë kujtesës.
Kujtesa ishte ajo që na ngurtësonte çdo gjë.
Por kujtesa nuk mund të identifikohet me vdekjen.
Kujtesa nuk mund të jetë identike me fosilet.
Nuk dija, asgjë nuk më alarmonte në lidhje me kujtesën. Veçse përplasja ballin tim në kujtesë.
Hyra në dhomën ku ishte vendosur arkivoli, mes arkivolit ishte miku im i përkorë dhe i qetësuar më në fund.
E kishin veshur me një kostum të ri dhe me këpucë të reja, një repertor i vdekjes, asnjëherë nuk ishte veshur në këtë mënyrë në të gjallë.
I shtrirë në arkivol, ishte identifikuar me një gjumë, dukej se nuk kishte ndër mend për gjësend, por vetëm të flinte. Pagjumësia e tij nuk e torturonte më.
Pagjumësia e tij qe diku, por jo tek ai vetë.
***
Frederik Rreshpja kishte mbyllur sytë, nuk e kishte më kapelen e tij proverbiale.
Të dy kishim mbajtur kapele.
Shpeshherë na ngatërronin për shkak të kapeles.
Sa herë i kam blerë kapele Frederikut.
Ai e humbte shpesh atë në kafenetë e Tiranës.
Edhe unë mbaja kapele si ai, por nuk e humbja nëpër kafene.
Ja një dallim i vogël.
Dikur i kisha folur për poetin e madh portugez Fernando Pesoa. Pesoa kishte thënë dikur se nëse mund të shohësh ndonjëherë ndonjë njeri të heshtur me kapele në ndonjë rrugë të humbur, ai do të ishte patjetër një poet.
Rreshpja ishte pa dyshim një poet.
***
Takova vëllezërit e tij që kanë mbetur gjallë: Kelin dhe Gjonin.
Prisnin njerëzit.
Vinin pa pushim njerëz, patjetër edhe malësorë nga Dukagjini.
Disa gra që nuk i kisha takuar asnjëherë, rrinin pranë arkivolit të të vdekurit.
Befas ra telefoni im celular.
Mori Sadija, gruaja e Dritëro Agollit.
Pastaj bisedova në telefon me vetë Dritëro Agollin i cili m’u lut t’i jepja ngushëllime familjes së Frederik Rreshpes, këtij poeti të çuditshëm dhe të vërtetë.
Dritëroi kishte dërguar edhe një telegram në emër të familjes.
Në librin e tij të parë “Rapsodi shqiptare”, Rreshpja kishte edhe një poezi ku fliste për “një gajde që tingëllonte në hapësira si zëri popullor i Dritëro Agollit”.
Frederik Rreshpja e donte Agollin, por qe i ndryshëm si poet.
Agolli ishte i vetmi nga Tirana që mori në telefon për Rreshpen.
Askush tjetër nga shkrimtarët e tjerë të Tiranës, nuk e bëri këtë gjë.
Pse vallë nuk morën shkrimtarët e tjerë nga Tirana, pse vallë nuk çanë kokën për vdekjen e Rreshpes?
Frederik Rreshpja nuk kishte nevojë për ata.
Vdekja e Frederik Rreshpes, kishte një autonomi të brendshme dhe një dinjitet më të madh se kinse-telefonatat e të tjerëve.
Le që nuk duhet harruar, ai tashmë ishte i vdekur, për të ishin të huaj pafundësisht telefonat, madje edhe telegramet.
Ai tashmë nuk ndiente më asgjë.
Ai tashmë ishte në pragun e portës së vdekjes, ai kishte dorëzuar shqisat e tij, nuk mund të shkruante më poezi, poezitë të cilat i kishte shkruar, ishin të vetëmjaftueshme dhe të patjetërsueshme.
***
Vëllezërit e Frederik Rreshpes, më konsideronin njeri të familjes dhe unë prisja ngushëllimet së bashku me ata.
Por kjo nuk kishte shumë rëndësi.
Të njëjtën gjë e kisha bërë në vdekjet e motrave të Frederikut, Netës, Ciatës dhe Pashkës.
Duke pirë duhan, bisedonim për gjithçka, por jo për vetë Frederikun.
Në orën 13.00, do ta conim arkivolin me trupin e të ndjerit në mjedisin e Teatrit të Shkodrës për homazh.
Për këtë, kishte ngulur këmbë shkrimtari i shuquar i Shkodrës, serioz dhe i paepur, Skënder Drini.
Ndërkohë, në oborrin e shtëpisë së Rreshpajve, shkëlqente Dielli.
Lëkundeshin në erë degët e një druri të madh të dafinës, bimë që ishte mbjellë para 6 viteve në këtë shtëpi.
Pranë dafinës, rrëzëllitej në dritë shega e vjetër, që e kishte mbjellë vetë Hilë Mosi.
Kisha biseduar shumë herë me Frederik Rreshpen për këtë shegë të çuditshme dhe delikate.
Nuk kisha arritur kurrë të kuptoja pse pikërisht kjo shegë ishte mbjellë në këtë vend.
Befas, erdhi dhe na takoi në ceremoninë mortore plaku i vjetër shkodran 80-vjeçar, Tomë Sheldija.
Ai e dinte shumë mirë historinë e shegës.
Sipas tij, Hilë Mosi e kishte mbjellë atë, i frymëzuar nga një poezi e Karduçit.
Ja edhe vargjet e Karduçit, që Sheldija e kishte shkruar në një copë letër të cilën ma dha mua:
“L’albero e eni tendevi,
la pergoletta mano,
il verde melograno;
dai bei vermigli fior …”
Domethënë, pema e mbjellë nga një dorë delikate, ishte një shegë jeshile e lulëzuar nga farëra të mira.
Kurse vetë Hilë Mosi, kishte bërë një poezi të cilën e kishte quajtur “Shegës së kopshtit”, ku thoshte:
“Ka kohë, o shegë, që të mbolla,
e ti je rritë …”
Sa herë kisha biseduar me Frederikun për këtë shegë të çuditshme dhe gati inkadeshente.
Shega do të mbijetonte, por Frederiku jo më.
E kam ditur gjithmonë se shega ka qenë një simbol i mbijetesës, edhe në kohën e Solomonit që përmendet në Bibël.
Sa herë vija në shtëpinë e Frederikut, e merrja një kokërr shegë për ta ruajtur në shtëpinë time në Durrës.
Këto janë simbole të kujtesës krej naive, por që tashmë më zhvlerësoheshin prej vdekjes së mikut tim.
***
Mendoja që do të vinin shumë njerëz në funeralin e Frederik Rreshpes.
Por nuk ndodhi kështu.
Nuk di ta shpjegoj këtë gjë, por vetëm ta konstatoja.
Në orën 13.00, e çuam trupin e tij në mjedisin e Teatrit, për kinse t’i bënin nderimet e fundit qytetarët e Shkodrës. Përshpëritej se do të vinte kinse “një njeri i madh” nga Tirana, kinse do të vinte Kryetarja e Kuvendit ose dikush tjetër.
Askush nuk erdhi nga Tirana. Ishin vetëm disa miq që rrinin të heshtur.
Shteti u tregua indiferend dhe i pamëshirshëm për shkrimtarin e vdekur.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Kjo gjë ishte shumë e kuptueshme dhe e lexueshme.
Shkrimtari i shquar nga Shkodra Skënder Drini mbajti një fjalë të shkurtër, tha për Rreshpen se ai ishte “një fortunë njerëzore”.
***
Arkivoli me trupin e Frederik Rreshpes, e çuam në varrezat e Rrëmait, ku është varri dhomë i Rreshpajve.
Para disa muajve, qemë në këtë vend, në varrimin e Pashkës, motrës së madhe të Frederikut.
Tani, përsëritja e ceremonialit ishte për Frederik Rreshpen. Në kapelen mortore të varrezës së Rrëmait, një prift i ri mbajti ritualin e domosdoshëm.
Njerëzit ishin të heshtur, por jo aq të pikëlluar sa ç’duhej të ishin.
Nuk ishin më shumë se 80 njerëz në këtë ceremoni.
Nga Tirana, kishte ardhur vetëm shkrimtari Shpëtim Kelmendi, si edhe poeti Myftar Gjanaj; kurse shkrimtarët e Shkodrës nuk ishin të pranishëm.
Përse vallë? Përtonin të vinin në varreza?
Po ç’janë këta shkrimtarë përpara Frederik Rreshpes?
Nuk kanë mësuar ende të nderojnë të vdekurit e mëdhenj?
Nëse nuk kanë mësuar të nderojnë të vdekurit e mëdhenj, atëherë përse shkruajnë?
***
Momenti i fundit: Kalojnë njerëz të familjes për t’u ndarë me të ndjerin.
Kalova edhe unë, u përkula dhe e putha në ballë Frederik Rreshpen.
Balli i tij ishte tmerrësisht i ftohtë, akull, akullnajë, antarktidë.
Balli i tij, truri i tij, që kishte krijuar poezitë më të çuditshme dhe më të papërsëritshme.
Në kishte pasur ndonjëherë thesar Frederik Rreshpja, ishte pikërisht truri i tij.
Të gjitha të tjerat, i kishte patur të zakonshme, madje të papëlqyeshme.
Ishte i shkurtër, i vogël, ndonëse ai thoshte që në fëmijëri “kishte qenë i bukur”.
Ku vallë kishte qenë kjo bukuri?
A kishte patur me të vërtetë fëmijëri ky njeri?
Atij i mungonte tashmë kapelja karakteristike, dukej i çuditshëm në arkivol pa këtë kapele.
Kisha me vete një aparat fotografik dixhital dhe fiksova për herë të fundit, pamjen e tij.
Çuditërisht, kishte pamjen e një malësori dukagjinas, që janë rikthyer në origjinë, fytyra i ravijëzohej prej mustaqeve, por flokët e tij qenë pa asnjë thinjë.
Pak dashuri dhe kujdes më shumë, do të kishin bërë që miku im të jetonte shumë më gjatë sesa jetoi. Por ja që nuk ndodhi kështu.
Në ka njeri që shpejtonte për të vdekur, në ka njeri që e kërkonte vdekjen pa pushim, ishte pikërisht Frederik Rreshpja. Tashmë, apelin e tij për të vdekur, ai e kishte realizuar qetësisht. Ceremonia e varrimit mbaroi, vëllezërit e tij Keli dhe Gjoni, së bashku me njerëzit e familjes, më vunë edhe mua në radhë së bashku me njerëzit e familjes, morën ngushëllimet e fundit dhe gjithçka mbaroi.
U varros njeriu më i madh i Shkodrës, një nga njerëzit më të shquar të Shqipërisë, rutina e varrimit nuk i përkiste më Frederik Rreshpes.
Ai u fut në dhe’ përfundimisht.
Dhe asnjë fuqi e epërme, nuk do ta nxirrte më jashtë thellësisë së dheut.
Mbidheu dhe qiejt, nuk kishin më rëndësi për të, as Hëna, as muzgjet dhe as perënditë ilire.
Ai nuk mund të shkruante vargje të pikëlluara për vetminë e tij, sepse tashmë ishte përfundimisht në thelbin e vetmisë më të madhe dhe më të pakthyeshme, që ishte vdekja.
***
Në një restorant të thjeshtë, u bë dreka mortore për të. Kisha ndjesinë e drekës mortore të nënës sime, të cilën Frederik Rreshpja e kishte njohur dhe kishte ngrënë bukë nga duart e saj. Frederik Rreshpja ishte një njeri i afërt i familjes sime.
I njihte të gjithë të afërmit e mi, madje kur vajza ime e vogël Kleitja takohej me të në fëmijërinë e saj, Frederik Rreshpja i thoshte: “A jemi shoqe?” – “Po” përgjigjej Kleitia. Kur vajza ime e madhe Arnisa, botoi në moshën 14-vjeçare librin e saj të parë me poezi, ishte pikërisht Frederik Rreshpja që i bëri një Parafjalë të shkëlqyer, gjë që unë nuk mund ta harroj dot kurrë.
Në kujtesën time, seleksionoheshin vetëm motivet e paharrueshme, të ndritura, inkadeshente.
Nuk kisha më fuqi të kujtoja çastet e hidhura dhe paradoksale.
***
Në drekën mortore, fola disa fjalë për Frederik Rreshpen. Thashë në substancë se “poet si Frederik Rreshpja, nuk mund të lindin thjesht për familjen e tyre, madje ata janë të pakuptueshëm për familjarët, ata i përkasin një rendi tjetër, i përkasin një rendi transcendental, jo thjesht të kohës së tyre, madje edhe jo thjesht të kombit të tyre”.
Në kalendarin e Shkodrës dhe të Shqipërisë, dita e varrosjes së Frederik Rreshpes, nuk është një ditë e zakonshme.
Kishte vdekur poeti i madh.
Dhe kjo gjë ishte kuptuar fare pak.
Nuk ka patur pas vdekjes së Migjenit, vdekje më të humnershme, sesa vdekja e Frederik Rreshpes.
Nuk kishte Frederik Rreshpja nevojë për Shkodrën, as për Shqipërinë, por e kundërta.
Ai ndoshta nuk i dha familjes së tij ndonjë gëzim të madh, sepse tërë fuqinë e mrekullisë njerëzore ia dha lirikës shqipe. Ishte pikërisht lirika shqipe, që kishte mbetur jetime. Ishte poezia shqipe, që duhej të vajtonte. Frederik Rreshpja kishte shkuar si Sokrati tek porta e vdekjes, pa frikë, madje me këmbëngulje e kishte kërkuar si një shpëtim, kapërcimin e kësaj porte.
Mbasi për vite të tëra, i qe mohuar kjo kërkesë e çuditshme, më në fund e kishte arritur çastin e tmerrshëm dhe të pashmangshëm të kapërcimit të portës së vdekjes.
***
Po ç’është porta e vdekjes?
A ka kinse një portë të vdekjes, siç ka porta të dukshme të shtëpive dhe tempujve?
Nuk e besoj.
Vdekja është një konvecion.
A është porta e vdekjes, diçka e lëndëshme, materiale, e prekshme, e ashpër, cinike, e pamëshirshme, e frikshme?
Për fat të mirë, porta e vdekjes nuk mund të shihet me sy. Ajo mund të kapërcehet, por jo duke e parë.
E ç’është vdekja?
Kush e sheh në fytyrë vdekjen?
Askush.
As Frederik Rreshpja nuk e pa dhe nuk dialogoi me sy me sytë e vdekjes.
Vdekja është një aventurë, ose një shaka.
Ajo nuk mund të frikësojë askënd.
Si mund ta ligështonte dhe ta sfiliste Frederik Rreshpen?
E ç’është vdekja përballë Frederik Rreshpes?
Çfarë targu ka ajo mbi të?
Kjo gjë mund të kuptohet, por nuk mund të saktësohet kurrë.
As unë nuk dua të bëj një apologji, ndonëse qartësia po më torturon, sepse vdekja e Frederik Rreshpes, është një nga momentet e vështira për mua.
Ajo që është e pashmangshme, nuk ka përse të na trishtojë. Ajo që është për të gjithë ne, nuk ka përse të mitizohet.
Mitet e Frederik Rreshpes, janë Poezia, por jo Vdekja.( 2006)

Frederik Rreshpja !
Ne Shkoder Rreshpja ka patur dy shoke.Skender Drinin dhe mikun e vet Shtjefen Palushin.Studia e krijimtarise se Frederikut ishte lulishtja ne qender,ngjite me pijacen.Frederiku me Shtjefnin ishin aq ngjitshem sa nuk ndaheshin asnji here nga njeri tjetri.Ishin gadi si me than frut binjak te krijume nen nji thalb.Femijet keto fruta binjake i mbanin per te bukura mjaft interresante.Keshtu dhe ky qifte miqesh ishin mjaft bukur dhe interresant qe qendroni cdo minut bashke ne qetesin e tyre dhe te mbysnin me krijimtari.Nese dikush deshte te takonte njerin prej tyre me siguri i drejtoheshin lulishtes dhe nuk gjenin njerin.Po,te dy bashke.Ku Shtjefni te mbyste me batuta e tija goditese dhe teper interesante.E keto mandej i hidhte ne skica karikaturet.Ishte karikaturisti ma i vecant dhe ma i madh i Shqiperise.Kane pas dhe nji shok ne moshe nuk po me kujtohet emri,jetone ne azil te pleqve.Po ne lulishte e gjeje nga mengjezi deri ne darke.Dhe ky po ne kete lulishte rrinte dhe u mesonte femijve te shkodranve gjermanisht.Shpesh here i shikoje te tre sebashku ne karriget e lulishtes ne qetesin e tyre.
Frederik Reshpja si njeri i letrave eshte i madh. Kam kryer shkollen ne Shkoder. Frederik Reshpja ka qene i denuar politik dhe ka bere 15 vite burg.Kishte thashetheme per te gjate burgut.Pas 1990 Partia Punes e kandidoi deputet ne 31 mars 1991 dhe ai pranoi duke bashkepunuar pikerisht me ato qe e kishin denuar.Normal nuk fitoi. Nga kjo ishte i papranueshem nga shoqeria e burgut dhe nga e djathta. Megjithse kandidoi per te majten perseri te majtet pra komunistet nuk e donin se kishte mbajte qendrim anti parti.Ishte akoma e majta komuniste jo rilindja! Kjo eshte prania e paket e njerezve ne funeral……tung