Frederiku dhe PS, një histori shkodrane për të majtën

redaktor

 

 

Nga Bedri Islami

 

Nuk kam qenë në miqtë e ngushtë të Frederik Reshpjes. Nuk e kam pasur këtë fat. Por kemi qenë miq të mirë, megjithëse ka qenë një miqësi me mungesa të zgjatura. Herë-herë mungesën e krijonin burgosjet e Frederikut, herë droja që ishte e natyrshme për të bërë njohëse për të gjithë miqësinë me një të dënuar, në fund largimi im nga Shqipëria. Ishin muajt e pikut të një miqësie që, më pas, edhe kur ai u bë biznesmen i fuqishëm, edhe kur ra në shkallët e mjerimit, vazhdoi si kishte nisur, me mungesa të lëna nga koha.

Duke shkuar nga “Truma e Dugajve të Reja” për në Serreq, dy lagje të njohura të Shkodrës së vjetër, në të majtë, në një rruginë të vogël, ishte shtëpia e Frederikut, banesë e vogël, ku mund të gjeje gjithnjë Nënën  e tij, ose më saktë, adhurimin e shenjtë, ndoshta të vetmin adhurim që kishte ai në jetë. Moskokëçarës, i shpenguar, nganjëherë harrakat i madh e nganjëherë i përvuajtur deri në taban, gjithëherë i paparashikueshëm, gjithsesi rebel me kohën, miqtë e me veten, në atë shtëpizë të vogël e kam takuar për herë të parë, kur sëbashku me shokun tim të gjimnazit, më pas në Universitet, Tonin Shtjefnin, shkuam t’i tregojmë poezitë e para. Mund të ishte me gjithçka mospërfillës, por kurrë nuk mund të ishte i tillë me poezinë, edhe kur ajo në fillimet e saj nuk kishte kurrfarë vlere. Tonini ishte një vit më i madh se unë, vëllai i tij, Paulini, ishte po ashtu poet, babai, Kola ishte njeri i arteve, pra, si të thuash, ai kishte prekur edhe më parë artin me dorën e tij. Në shtëpinë e nënës sime, e njohur si Shtëpia e Madhe e Gjylbegajve, ku jetoja asaj kohe e jetoj edhe tani, ishte biblioteka e madhe e Fisit, për të cilën, si do të thoshte poeti i njohur, Skënder Buçpapaj, ishte më e madhe se Biblioteka e Shtetit. Të gjitha revistat e botuara në Shqipëri, prej një shekulli ishin aty, dhe, nëpër faqet e tyre kisha “njohur” poetë që shkruanin e flisnin ndryshe. Ashtu fliste edhe Frederiku, si i ardhur nga një kohë tjetër në kohën tonë, e cila e vriste ashpërsisht. Nënës sime, për shembull, i thoshte Zonjë, kur ishte në fuqi fjala “shoqe”; kur takoheshim me xhaxhallarët e nënës, i thoshte si dikur, Beqir beg, Ragib beg; donte fort një burrë të shquar, Hamza begun, gjyshin e ministrit të Punëve të jashtme, zoti Bushati dhe citonte fjalët që i biri, Nuriu, kishte shkruar natën e fundit para se të pushkatohej nga gjermanët, “Vritet nga gjermanët Nuri Bushati nga Shkodra. 17 vjeç. Lulëzofsh atdheu im”, dhe , kur po rrinim në atë takim të parë, e gjithë bota e revistave më kishte ardhur përmes një njeriu shtatshkurtër, që fliste ndryshe, shkruante poezi ndryshe dhe përtallej me gjithçka ndryshe.

Frederiku ishte njeriu më i pakapshëm në botë. I paduruar për të thënë çka duhej thënë. Ishte mësues kur u arrestua për herë të parë, nuk e dinte askush se ku kishte punuar kur u arrestua për herë të dytë. Nuk ishte një familje e rënë nga vakti, e përndjekur; vëllai ishte mjek, njerëz të shkolluar, të cilët mund të vegjetonin nën një regjim që ia terrinte mendimin, por ishte i tillë, kundërshtar i çdo të keqeje.

Kur doli nga burgu i fundit takoheshim jo shpesh me njëri tjetrin. Isha ndër gazetarët, ose krijuesit, që nuk kisha qenë dëshmues në asnjërin prej gjyqeve të tij. As nuk e kisha ditur se kur ishin bërë gjyqet, zakonisht të mbyllura, me pak njerëz. Ndoshta se nuk isha në Shkodër ose, pasi dihej burgosja, rreth tij binte heshtja. Gjyqe të mbyllura. Ishte e vështirë të përballeshe me një mjeshtër të fjalës së folur, po aq sa të fjalës së shkruar.

Në librin e parë, “Rapsodi shqiptare”, ka një poezi për Kosovën. “Lamtumirë, Kosovë, ne mbetëm pa atdhe”, kishte shkruar dhe atij i dukej vetja i tillë, i huaj në vendin që e donte, i zbrazët në qytetin e legjendave, i vetmuar në shtëpinë e tij, ku prehjen e gjente tek nëna. Vite më vonë do të më thoshte se Nëna kishte qenë njeriu që nuk e kishte tradhtuar kurrë.

Ishte i çuditshëm në ndjenjën e faljes, ndoshta ndikimi kristian, megjithëse jam i bindur, ishte ateist i thekur. Si duket i mjaftonte një zot, Shqipëria.

Po vinte pranvera e vitit 1991 dhe kisha disa muaj, në fundin e monizmit, që kisha filluar punë në “Zëri i Popullit”. Pas janarit të vitit 1991 gjithçka ishte shthurur. Gazetarët kryesorë të Zërit, ata që ishin të përkëdhelurit e sistemit, kishin vrapuar, pas urdhrit të dhënë dhe duke e ditur se ku ishte fitimi, tek opozita që do të bëhej shpejt qeveri. Edhe bufi e dinte se opozita do të bëhej qeveri. Të parët që e nuhatën dhe shkuan me turr ishin gazetarët e udhëheqjes. Në gazetë më mori Spiro Dede, më liberali në një strukturë konservative, më i dituri mes shumë të tjerëve, mik i madh i Kadaresë dhe Xhevahir Spahiut. Spiro Dede ishte mik edhe i Frederik Reshpjes, pasi Frederiku i donte njerëzit me mend.

Po rrinim tek “Kafja e Madhe”, në tavolinat jashtë, dhe ishte një simbiozë e çuditshme për ata që nuk e dinin se kishim qenë miq. Njëri i “Zërit të Popullit”, tjetri ish i burgosur politik. Në rrugën pranë nesh kalon një i njohur i vjetër, njeri i letrave, si duket kishte qenë dëshmitar në gjyqin e Frederikut, sepse ktheu kokën pas. Frederiku e thirri në emër dhe i tha: “Pse nuk flet? Të mos të të flas unë, edhe kuptohet, ti përse nuk flet?”. Tjetri u ndal dhe e kuptova se Frederiku kishte sjellë paqen.

Socialistët në Shkodër, në janarin e vitit 1991, ishin në një buzë humnere, nga e cila vështirë se besonte kush se mund të dilej. Një grup i vogël ishte mbledhur rreth Shaqir Vukajt, që kishte marrë përsipër ringritjen e një force politike që po asfiksohej. Po asfiksohej kudo, ndërsa në Shkodër dukej e pashpresë. Në selinë e vogël ku u spostuan vinin pak njerëz, por ishin të dorës së parë për karakterin, dinjitetin dhe respektin ndaj tyre. Ishte koha kur halabakët po shkonin diku tjetër dhe këtu, në atë godinë, po mblidhej pjesë e mendimit të qytetit. “Zëri i Popullit” thuajse kishte kaluar në ilegalitet. Lexohej gjysmë tinëzisht, deri ditën kur katër mjekë të shquar, Skënder Zaimaj, Fatmir Ibrahimi, Zamir Shazi dhe Sabri Caka vendosën mbi tavolinën ku pinin kafenë e mëngjesit katër gazetat “Zëri..”.  Respekti për to bëri të heshtin të tjerët. Mjerisht, nga të katër mjekët sot jeton vetëm njëri, Fatmir Ibrahimi, por edhe ai i plagosur në ngjarjet e vitit 1997.

Çudia tjetër, e cila një ditë a dy, nuk u besua nga askush, ishte Frederik Reshpja. Njeriu që kishin pritur të shpallte hakmarrjen ishte më toleruesi, ndoshta në natyrën e tij, si e thashë,  ishte zbutja dhe jo egërsimi. Dhe në këtë grumbullim ngjarjesh, mëkatesh e faljesh, rënie e ngritje, përplasje e zbutje, drojë dhe besim, lindi ideja e botimit të një gazete nga socialistët në Shkodër. Ideja ishte e Shaqir Vukajt, njeriut të cilit Frederiku i besonte shumë, por edhe e mirëkuptonte. Frederiku, megjithëse gjysmën e miqve e kishte tek socialistët, ku shquhej deri në çastin e fundit, Moikom Zeqo, e gjysmën tjetër në opozitën e kohës, ku shquhej Pjetër Arbnori, jo thjesht për shkak të burgut të përbashkët, gjënë që largonte më shumë nga vetja ishte urrejtja. Më thoshte një ditë se “ata që janë sot antienveristët më të tërbuar, ishin ata që e kishën dënuar sepse nuk ia kishte dashur Enverin. Atë botë më dënuan dy herë, janë gati të më dënojnë përsëri, pse sot nuk jam antienverist”. Nuk e donte Enver Hoxhën, nuk e donte kohën e tij, por nuk e duronte përbuzjen ndaj një njeriu të cilit, ata që sot çirreshin më shumë kundër tij, një vit më parë i përuleshin kujtimit të tij.

Shaqir Vukaj na thirri në zyrë një ditë dhe na e tha mendimin e tij. Fjala ishte për gazetë të socialistëve, por e pavarur nga ato, që kishte dorë të lirë pro e kundër, që nuk paragjykohej, por që mund të fliste me njerëzit me një zë ndryshe, qoftë edhe nga “Zëri i Popullit”. Natyrisht nuk do të ishte një gazetë e opozitës, por e mendimit ndryshe, gjithsesi. Unë propozova emrin e saj, gazeta “Ora”, dhe Frederikun si botues të saj. Aty ku punoja kisha shumë për të bërë, nga gazeta kishin ikur shumica dhe shpesh herë na duhej të bënim dy apo tre shkrime brenda ditës. Dhe do të ishte një mrekulli nëse Frederiku do e merrte përsipër. Isha në dyshim, besoj se ashtu ishte edhe Shaqir Vukaj, kur ai befas tha se do e merrte përsipër. Atë ditë Shqair Vukaj i propozoi që të ishte edhe kandidat për deputet i PS në zonën e Dajçit e të Oblikës, dhe ai përsëri ishte i një mendjeje. Do të ishte, ndoshta,  i burgosuri i parë politik që bëri këtë. Tani mendoj se sa lehtë ishte puna asaj kohe, por edhe sa demokratike. Kryetari i PS në një rreth a qark, me shokët e tij, vendosnin për kandidatët për deputetë dhe nuk ishte çdo gjë në dorën e Njëshit.

Gazeta “Ora” u bë më domethënësja në botën e mediave. Pa asnjë dyshim më e kulturuara; satirat, rrëfimet, intervistat, shkrimet e Frederikut ngjallën tërmetin e ndjeshëm politik. Ishte befasi e madhe, por duam apo nuk duam, ishte shembulli i madh i ringritjes. Përmes tij po bëhej, si të thuash, ajo që duhej, ribesimi se ishte fjala për një forcë ndryshe, që nuk mallkonte, nuk anatemonte, por bëhej pjesë e asaj jete që po vinte. Ishte gazeta më interesante e kohës, krejt ndryshe nga sa ishte menduar dhe, socialistët, përmes saj , filluan të ngrinin veten e tyre. Nuk e di nëse ia dinë ende këtë të mirë të habitshme që iu solli Frederik Reshpja kur vetë ata ishin të asfiksuar. Socialistët, zakonisht, harrojnë shpejt. Të rinjtë që u bënë pjesë e saj në dekadën e fundit kujtesën e kanë po ashtu, në shumë raste, të shkurtër. Frederiku, i burgosuri politik i kohës së Hoxhës, do të bëhej zëdhënësi më i besuar i një kohe tjetër.

U bënë 25 vite të një force politike, që mund të ishte asfiksuar, nëse disa nga mendjet e shquara të kulturës, mendimit shkencor e të artit nuk do të ishin pjesë e saj. Nuk do të bëhej forcë qeverisëse, nëse nuk do të ishte prania e Dritëroit, Spiro Dedes, profesor Servetit, Limos Dizdarit,  Xhevat Lloshit, Ethem Rukës, Ermelinda Meksit, Arta Dades, Moikom Zeqos, Namik Dokles, Ismail Lleshit, të gjithë drejtuesit e parë të saj; por nuk do të ishte ajo që u bë më pas, nëse zëra të tillë dhe statura të jashtëzakonshme si Frederik Reshpja nuk do të bëheshin pjesë e saj, pa qenë anëtarë, por që bënë më shumë se shumë e shumë të tjerë.

E kam në mendje edhe tani Frederikun kur dolën numrat e parë të gazetës “Ora”. I lëvizshëm në elementin e lëvizshëm, analist, moskokëçarës nga sulmet që i bëheshin, i kujdesshëm me miqtë, polemist i dorës së parë,shpërfillës ndaj kërcënimeve që i bëheshin, tolerues, por edhe agresiv, i pasur dhe i varfër njëkohësisht, poet i madh dhe mik brilant. Nuk e di se si më duket Shkodra pa praninë e tij. Ndjej ende një boshllëk të madh.

Socialistët do të bëjnë festën e tyre. Kur vdiq Frederiku, në varfëri të skajshme, munguan shumë miq, por jo Moikomi. Shumë prej atyre që mburreshin dikur se Frederiku i madh u bë pjesë e tyre, e kishin harruar.

Të paktën mos e harroni tani. Rruga juaj do të ishte kaq e gjatë nëse njerëz si Frederiku nuk do t’ju kishin përkrahur kur ishit më ngushtë se kurrë.

***

Foto kryesore: Frederik Reshpja dhe Moikom Zeqo

Share This Article
8 Comments
  • Pa dyshim ne ate mjedis kur ne shkoder thuhej urrejme cdo parti qe fillon me soc. si socialiste, socialdemokrate, socialiste per integrim e te tjera soc Frederik Reshpja ka qene nje fenomen qe eshte ngritur kunder njerezeve pa karakter e moral qe deri dje qanin per enverin sot e quanin kriminel vetem per te perfituar sic pershkruhet ne shkrimin e Z.Islami
    Shkruan rrjedhshem X kemi patur nje thenie ne shqiperi. Bedri Islami eshte nje nga ata qe shkruan rrjedhshem dhe megjithse nganjehere nuk te pelqen tema qe prek sa fillon leximin e shkrimit nuk mund ta lesh pa mbaruar.Talenti eshte talent

  • Bedri ,je i madh , je i drejte dhe , mbi te gjitha je i ekuilibruar , pavaresisht jetes se vrullshme , te furishme ku nuk te kane munguar edhe fatkeqesite ,pengesat dhe cgenjimet .
    Dua te them qe nuk ke degraduar apo (popullorce , nuk ke rrjedhur) si shume intelektuale te ketij vendi .
    Te uroj jete te gjate e te shendeteshme , miku im i munguar !
    P.S. Te kam njohur ne moshen me te bukur , ne ate te para adoleshences ne vitet ´60 , dhe pastaj nuk kam degjuar per ty pervecse me angazhimin tend ne luften e Kosoves . Nuk jetoj ne Shqiperi , por kur te kaloj nga Shkodra gjate udhetimit per ne Atdhe do perpiqem te te takoj ! Do te ishe nder per mua te te takoja .

  • Falmnderes per kujtimet, Bedri!
    Profesor Rreshpja ka kene mesuesi i jem te Ndoc Mazi, ne klasen e gjashte kur asht arrestu.
    E kam has disa here pasi asht liru, e kam pershndet gjithmone, por e pata nal vetem nji here, ne Gjuhadol. Mate mend baben ( e me tha me i ba te fala) dhe konkurset e letersise qe organizote shkolla, e mandej vazhdoshin te Shpia e Pionerit, ku ishte Paulin Selimi.
    E kujtoj shpine ku jetote ne te majte, ne fund te rrugices.
    Ka kene njiri pa mllefe.
    E sa per Oren, mbaj mend 10 numra, me leter te cilesise se nalte, e qe nuk pat mbet asnji kopje pa u shit mrenda 24 oreve.
    Te pershendes e falenderoj per njerzillekun qe ke ne shkrime te tilla, e si zdraljan, kojshi i dikurshem, te uroj me na kujtu se Shkodra hala ka njerez te vlefshem e tane miresi.

  • Jam ne nje mendje me Bedriun qe socialistet duhet ta kujtojne poetin e madh Frederik Reshpja, mbi te gjitha sepse ai u bashkua me ta ne ditet e renda te tyre. Duke perifrazuar nje poezi te te madhit Fan Noli do te thosha se Frederiku per PS ishte i tille qe “e qante kur e qeshnin/E vishte kur e zhveshnin”. I perjetshem kujtimi Frederikut te Mire.

  • Faleminderit Zt. Islami per nivelin dhe dashurine qe ke derdhur ne leter per Frederikun njerezor dhe me bote te pasur,tolerant,largpames e vizionar. Kur lexova shkrimin Tuaj mu krijua nje ndjenje shprese se Shqiperia e ka potencilin dhe njerezit e duhur per tà berre Shtet te respektuar e qyteteruar. Per t`ju afruar Europes mjafton te ribehet Shteti dhe te Udhehiqet nga Intelektuale Patriote,modeste e njerezor. Sa me shume rjedhin Vitet aq me shume e vuaj te qenit larg Atdheut…

  • Ne komunizem sigurimi i shtetit ka bere gjera interesante.Njers me reputacion ne shoqeri i angazhueshin ne sigurim edhe duke i burgosur,per te zbuluar ne mes te burgosurve njers qe flisnin sadopak kunder komunizmit.Si ka mundeshi ky Rreshpja te bahet me ata qe e denuan me burk,kjo te ben te dyshosh se edhe ky paska qene i till pra fuks sic i quante populli njerzit e till.

  • Mark, mos u nxito hej burre ta ngaterrosh Fridrih Garcia Rreshpjen me kamunistet?!
    Rreshpja ishte natyre, shpirt i lire, anti-roberi
    e shpallur si anarki, kishte nje vella qe e donte shume por ore e cast na thoshte neve se ishte budalle komunist! Vellai nuk i merzutej kurre. Se kishin nje nene qe e donin te dy shume. Rreshpja tallej dite e nate me komunizmen, jp vetem me Enverin, qe e quante kriminell, por edhe me te kuqte e pluhuralimit, duke futur edhe Salen brenda!
    Gazeta ORA ishte simpatike se paguhej nga kamunistet por ishte anarkiste, letrare, artitike.
    Ne, miqtw e Fridrihut ishim gjithefaresh, te majte, te djathte, te qendres, por asnjeri nuk ishte dot i pelqyer prej tij dhe njeherexh antar klasik partie!!!

    Po, Frederiku mund te ishte kengetar i nje socisldemojracie, por ne Tirane ka vetem te kuq…Duke futur salen brenda!

  • ps.
    I nderuar moderator!

    nese censurohen deri edhe komentet anonime…provohet edhe nje here se E Majta Shqiptare eshte larg, shume larg, teper teper larg, se qeni sado pak socialdemokrate, qe te mund te perqaset shpirti dhe arti i fjales se lire te Frederik Rreshpjes…
    Aq me pak, aq me larg, kur behet perpjekje per nje Te Majte Shkodrane, zoti Bedri Islami!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *