Për herë të parë pas rreth dy vjetësh, inflacioni ka shfaqur stabilitet mbi nivelin prej 2%. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, për muajin mars norma vjetore e inflacionit rezultoi 2.2%, në rënie të lehtë nga niveli 2.3% i shkurtit.
Peshë kryesore në ndërtimin e indeksit agregat prej 2.2% të inflacionit edhe për marsin e dha grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, me 1.84%, i ndjekur nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, me 0.23%. Ndikimin kryesor në inflacionin më të lartë gjatë muajve të parë të vitit 2015 e ka dhënë shtrenjtimi i produkteve të freskëta bujqësore.
Sipas INSTAT, krahasuar me një vit më parë, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 14,6%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate, përfshirë patatet” me 13,8% dhe “qumësht, djathë e vezë” me 2,5%. Ushqimet e përpunuara dhe veçanërisht ato me origjinë nga importi vazhdojnë të regjistrojnë inflacion në rënie. Grupet e tjerë përgjithësisht po shfaqin inflacion të ulët dhe kontribut modest në normën e përgjithshme të inflacionit. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 4,4% , pasuar nga grupi “Transporti” me 2,2%.
Megjithatë, në krahasimin me bazë mujore, për t’u shënuar në mars është rritja e çmimeve të karburanteve krahasuar me shkurtin, ku çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4% dhe çmimi i benzinës u rrit me 2,5 %.
