Frenojnë Kukësi e Partizani, Laçi rrëmben vendin e dytë

anazapta

Laçi ka përfituar në maksimum nga rezultatet e Kukësit e Partizanit, duke rrëmbyer vendin e dytë në renditje, pasi ka mundur Kastriotin me një gol të shënuar nga Vucaj. Kapiteni i bardhezinjve shënoi nga pika e penalltisë që në minutën e dhjetë dhe rezultati 1-0 mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit. Pozicioni sigurisht që mund të ndryshojë që në javën e ardhshme, pasi skuadrat janë të ngjeshura në renditje, por kurbinasit kanë arritur që me këtë renditje të përfitojnë kalendar më të favorshëm në fazën e tretë të kampionatit, me gjashtë ndeshje brenda, nga 11 të mbetura.

Ndryshe nga Laçi, Kastrioti renditet në vendin e fundit, me pikë të barabarta me Lushnjën. Deri dje, vendi i dytë mbahej nga Kukësi, por skuadra e Sulejman Starovës u dorëzuar përballë Tiranës në “Qemal Stafa”. Dy gola të shpejtë me penallti, të ekzekutuara nga Taku e Cikalleshi, e lanë të pandryshuar ekuilibrin në pjesën e parë, por në të dytën vendimtar ishte braziliani Gilberto, me dy golat që sollën fitoren 3-1. Tirana ngjitet në vendin e tetë, për herë të parë e sheh veten jashtë zonës së ftohtë dhe madje tani mund të synojë edhe Europa League, duke parë ecurinë më 2014, ku njeh vetëm fitore dhe një barazim në Vlorë. Kukësi zbret në vendin e katërt, por me vetëm një pikë më pak se Laçi, çka e lë të hapur plotësisht luftën për një vend në zonën evropiane.

Partizani kishte deklaruar se shkonte për tri pikë në Durrës, por në fund duhet të jetë i kënaqur me një të vetme. Për të tretën herë, Teutës i ikën fitorja nga duart në minutën e fundit. Daniel Xhafaj shënoi në minutën e 55-të, por Nexhipi barazoi në të 90-tën për të kuqtë, tani në vendin e tretë, ndërsa Teuta është e pesta, me dy pikë më pak. Pranë zonës evropiane ngjitet edhe Flamurtari, fitues në fushën e Lushnjës, me katër që iu përgjigjën dy të vendasve. Po aq pikë sa vlonjatët ka edhe Besa, e cila barazoi pa gola me Vllazninë, në të vetmen ndeshje ku nuk pati fitues. Shkodranët janë në zonën e ftohtë, ashtu si Bylis, i mundur nga Skënderbeu në Korçë, pas golit të shënuar nga Shkëmbi me penallti 12 minuta para mbarimit, duke prishur barazimin e vendosur në pjesën e parë nga Ribaj e Kelmendi.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *