Të rinjtë eurosocialistë, nën moton “Doktor Kasaphana, të dënon FRESSH Tirana” kanë protestuar sot para Kryeministrisë në lidhje me therjen e 1000 qengjave dhe 1000 deshve, akt të cilin e kanë konsideruar si një tribal, që nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratat evropiane te popullit shqiptar.
Nënkryetari i FRESSH, Juxhin Çela, ka theksuar se therja masive e kafshëve për 100-vjetorin është një gjest që nuk përmban kurrfarë simbolike.
“Është e papranueshme ajo që po ndodh. Therja masive e 1000 qengjave dhe deshve, nuk përmban asnjë simbolikë për një popull i cili aspiron për vlera oksidentale. Përkundrazi, ky gjest e tribalizon aspiratën tonë”, është shprehur Çela. Keisi Seferi, një tjetër anëtare e FRESSH Tirana, e quajti një “megakurban” të turpshëm atë që do të ndodhë në Tiranë më 28 Nëntor: “Më 28 Nëntor në Tiranë do të tubohet me një megakurban kafshësh të pafajshme. Ky është një turp shumë i madh për kombin tonë”, tha ai.
Gjatë protestës, të rinjtë eurosocialistë mbanin në duar postera të mëdhenj në të cilët përmes fotomontazheve, karikaturave dhe sloganeve ironizohej dhe kundërshtohej ideja mesjetare e kryeministrit për ta kthyer kryeqytetin në një kasaphanë gjigande. Ata shprehën bindjen se qytetarët e Tiranës, por edhe të mbarë Shqipërisë, jo vetëm nuk e miratojnë, por e neverisin një akt të tillë.