Nga Tobias Xhaxhiu
“Gjërat që thuhen në letërsi janë përherë të njëjtat. Ajo që është e rëndësishme është mënyra se si ato thuhen”.
JORGE LUIS BORGES, The Paris Revieë, dimër-pranverë 1967
I lodhur nga pandehmat për një të ardhme të paqartë dhe në kërkim të mënyrave alternative për të vrarë kohën e palëvizshme të karantinës, një pasdite maji vendosa të shfletoj një libër që prej muajsh vetonte në bibliotekën time, por që për një arsye a një tjetër nuk kam mundur ta lexoj. Bëhet fjalë për titullin “Letërsia e turpit” me autore Alda Bardhylin, Drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Le ti kapim gjerat nga koka. Përse “Letërsia e turpit”? Së pari, kjo përmbledhje esesh dhe kritikash letrare shtjellon me lehtësinë pluskuese të një vepre të realizmit magjik, mungesën deri diku atrofizuese të dashurisë në letërsinë tonë, ballafaquar kjo me praninë gjithëpërfshirëse të elementit dashuri në veprat e autoreve perëndimorë. Doemos ky është një problem kulturor. Shoqëria jonë karakterizohet nga një droje puritane sa i përket shprehjes së ndjenjave dhe diskutimit rreth tyre, dhe duke qenë se shumica e prodhimtarisë letrare shqiptare të shekullit XX-të u takon burrave të brumosur nga një estetike shoviniste, letërsia e dashurisë shpejt u vulos me damkën ciklaminë të turpit. Pikërisht këtë fenomen Alda Bardhyli ka ditur ta shpluhurojë dhe të evidentojë ato kulme shkëlqyese të erosit dhe romancës në letërsinë shqipe, por jo vetëm, ajo na ka njohur me botëkuptimin global mbi shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore, përmes zbërthimit të veprës dhe stilit të shumë emrave që ndërtojnë korpusin e letërsisë post-moderne.
Në pavetëdije, mënyra se si Bardhyli e shtjellon letërsinë është i ngjashëm me botëkuptimin që Susan Sontag u jep rrymave dhe modelimit letrar në veprën e saj publicistike “Kundër interpretimit”. Ashtu si në përmbledhjen e Sontag, edhe në “Letërsia e turpit” kemi të bëjmë me një marrëdhënie që rreket të zgjidhë konfliktin midis së kaluarës dhe së tashmes në letërsi, duke ripërtërirë vepra arti dhe duke i ruajtur ato në një nivel të caktuar respekti dhe adhurimi.
Pas leximit të secilës ese na lihet të kuptojmë se ndërtuesit e letërsisë – shkrimtarët – kanë një përgjegjësi të caktuar në gërshetimin e miteve me të cilat ne pajtohemi, si një mënyrë për të gjallëruar botën, derisa prej nesh të venitet çdo barriere në dukje e patundshme e drojës dhe turpit.
Në të njëjtën kohë, “Letërsia e turpit” është lehtësisht një nga antologjitë më të mira në historinë e publicistikes shqiptare, me një lexim nxitës, që depërton në vetëdijen e lexuesit. Po kështu, Alda Bardhyli ofron një qasje dukshëm feministe që zbulohet edhe nga autoret e zgjedhura për studim si Maya Angelou, Erica Jong, Helena Kadare, Wislawa Szymborska apo Simone De Beauvoir, letrat e dashurisë të së cilës, Bardhyli i solli në shqip vitin e kaluar gjatë panairit të librit.
Me fjalë të tjera, “Letërsia e turpit” është një ftesë e çdokohshme për lexim, si një manual për të kuptuar letërsinë përtej kontureve të saj tashmë të njohura.

Koncepti i turpit?
Turpi dje dhe sot?
E ha turpin me buke?
Jemi komb i turpshem apo i pa turpshem?