“Frontex” dërgon roje kufitare dhe anije në 6 ishuj të Egjeut

Dita

Agjencia europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në kufijtë e jashtëm të BE-së, “Frontex”, njoftoi vendosjen e 293 rojeve kufitarë dhe 15 anijeve në ishujt grekë, duke iu përgjigjur një kërkese zyrtare nga Athina.

Kjo forcë përbën fazën e parë të një operacioni gjigant me emrin e koduar “Poseidon”, pas kërkesës së Greqisë për më shumë ndihmë në kufijtë e saj të jashtëm, në detin Egje.

Ky operacion ka për qëllim mbrojtjen më të mirë të këtyre kufijve të jashtëm deri më 31 mars dhe zhvillohet në 6 ishuj të vendit. Në Lesbos, që ka pranuar edhe numrin më të madh të refugjatëve, mbi 500 mijë, do të vendosen 272 oficerë; 94 në Kios; në Kos 45; në Leros 30 dhe në Samos 73.

Gjatë gjithë kohëzgjatjes së operacionit pritet të marrin pjesë 520 oficerë, ekspertë dhe përkthyes, të cilët do të kujdesen për regjistrimet, kontrollin e të gjithë atyre që hyjnë në vend, gjurmët e gishtërinjve, identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa do të kryejnë edhe patrullime.

Vetëm roje bregdetare do të vijnë në Greqi mbi 400 vetë nga shtete të ndryshme europiane, të cilët së bashku me një numër anijesh, automjetesh dhe aparaturash teknike do të ndihmojnë autoritetet kombëtare për të menaxhuar presionin e paparë të valës së refugjatëve në kufijtë e jashtëm të Greqisë, theksohet nëe deklaratën e “Frontex” nga qendra e agjencisë në Varshavë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *