Frutat dhe perimet e prodhuara në Serbi mund të jenë të helmuara. Këtë konstatim nuk e kanë bërë prodhuesit e Ksoovës, e as politikanët e Prishtinës që bëjnë thirrje për të mos konsumuar produktet serbe, por miqtë më të mëdhenj ndërkombëtarë të Beogradit, rusët.
Një raport i bërë nga inspektoriati bujqësor i Rusisë “Rosseljhoznadzor” thekson se të paktën 10 për qind e frutave dhe perimeve e importuara nga Serbia në vendin evropiano-aziatik, që janë testuar, përmbajnë sasi të tepruara të pesticideve dhe nitrateve.
Lajmi nuk është pritur mirë në Beograd.
“Për shkak të këtij raporti, qeveria duhet të marrë masa urgjente pasi që është e sigurt që në Serbi ka, të paktën, po aq, fruta dhe perime të helmuara sa edhe në Rusi”, ka thënë Petar Bogosavljeviç nga shoqata e konsumatorëve në Serbi, transmetojnë mediat serbe.
“Na duhen trajnime profesionale të prodhuesve, kontroll i rreptë dhe sanksione, por edhe dëmshpërblime për ata që pësojnë nga këto fruta e perime”.
Serbia nuk ka një laborator kombëtar që do të merrte mostra nga prodhuesit dhe më pas do t’i tregonte publikisht rezultatet e analizave të bëra.
Mbrojtësit e të drejtave të konsumatorëve thonë se themelimin e tij nuk po e lejojnnë grupet lobiste që luftojnë për prodhuesit e mëdhenj të frutave dhe perimeve në Serbi.
“Pajisjet për këtë laborator kanë mbërritur në Beograd qysh më 2011 dhe krejt këtë projekt, që ka kushtuar 4 milionë euro, e ka financuar BE-ja. Por, fakteqësisht, ai nuk është vënë në funksion dhe nuk e kemi shfrytëzuar asnjëherë”, ka thënë Mihajlo Nikoliç, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, në Beograd.
Sasitë e tepruara të pesticideve dhe nitrateve në fruta e perime mund të shihen edhe me sy, pa bërë ndonjë analizë të komplikuar.
“Ajo që duket e bukur, nuk do të thotë se është edhe e shëndoshë”, ka thënë Miroslav Kish, drejtor i Asociacionit të të Bujqve të Serbisë.
Kosova është një treg i mirë ku tregtohen produkte të shumta bujqësore të Serbisë.
