Frutat janë një mrekulli për lëkurën e fytyrës. Jo më kot, specialistët rekomandojnë herë pas here maska me fruta të freskëta, por këshillojnë që edhe në konsum, sasia e tyre të jetë e bollshme. Universiteti i St. Andrews ka kryer një studim, i cili doli në përfundimin se konsumimi i frutave dhe perimeve në sasi më të mëdha se zakonisht i jepte fytyrës shëndet dhe shkëlqim natyral. Sipas përllogaritjes së studiuesve, 2.9 racione fruta dhe perime në ditë për një periudhë gjashtë javore janë të mjaftueshme për ta bërë lëkurën të duket më e shëndetshme, ndërsa nëse arrihet në 3.3 racione, efekti bëhet akoma më tërheqës. Studiuesit i kërkuan një grupi njerëzish të krahasonin fotografitë e atyre që morën pjesë në studim. Në foto, secili prej vullnetarëve shfaqej në fillim dhe në fund të dietës gjashtë javore me fruta dhe perime. Të anketuarit zgjodhën si më tërheqëse fotografitë e bëra pas dietës.
Studiuesit thonë se frutat dhe perimet përveçse janë të dobishme për organizmin, na bëjnë të dukemi edhe më tërheqës, pasi disa prej tyre janë përgjegjëse për ngjyrën dhe shkëlqimin që reflekton një lëkurë e shëndetshme.