Lidhur me situatën e fruthit në vend, edhe përgjatë ditës së djeshme Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u kërkoi qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të vaksinohen, pasi analizat e kryera tregojnë një shtim të rasteve me këtë sëmundje, veçanërisht në kryeqytet.
Sikundër është theksuar edhe më herët, fëmijët e vegjël nën dy vjeç mbeten edhe më të rrezikuarit nga ndërlikimet e fruthit. Sipas autoriteteve të ISHP-së katër prej rasteve të analizuara në laboratorët e këtij institucioni rezultojnë të jenë të importuar nga Greqia dhe Kosova.
“Deri më 28 janar nga rastet e testuara, Instituti i Shëndetit Publik informon se janë 41 raste të konfirmuara me fruth (pozitive). Këto raste i përkasin kryesisht qytetit të Tiranës dhe janë nën moshën dy vjeç. Rastet e importuara deri tani janë 4, përkatësisht 3 nga Greqia dhe 1 nga Kosova”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së. Ndërkohë që numri i të infektuarve mund të jetë disa herë më i lartë, duke qenë se shumë prej pacientëve trajtohen në kushtet e shtëpisë.
Prej muajsh Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe ISHP kanë nisur fushatën e ndërgjegjësimit për bërjen e vaksinës dhe këshillimin me mjekun për parandalimin dhe reduktimin e pasojave që fruthi mund të shkaktojë në shëndet.
Për shkak të natyrës ngjitëse të kësaj sëmundjeje, autoritetet e shëndetit kërkojnë nga qytetarët që t’u drejtohen poliklinikave për të kryer vaksinën mbrojtëse, veçanërisht tek të vegjlit që janë edhe më të rrezikuarit.
“Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve për grupet që janë më të rrezikuara. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit. Drejtohuni për të vizituar apo vaksinuar fëmijët tuaj në Qendrat Shëndetësore afër vendbanimit”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.
Rreziku nga fruthi
Fruthi infekton aparatin e frymëmarrjes dhe përhapet nëpërmjet spërklave nga hunda, goja ose nga fyti i personave të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, si dhe nga kontakti i ngushtë personal ose kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionet e infektuara të hundës ose të fytit.
Shenjat e përgjithshme të këtij infeksioni përfshijnë: Kollë, temperaturë, skuqje të syve dhimbje muskulore, dhimbje fyti, disa njolla të bardha në gojë, rrufë. Ndër shenjat më karakteristike të kësaj sëmundje është një skuqje (rash) e lëkurës që përhapet në të gjithë trupin. Kjo skuqje shfaqet që në ditët e para të infeksionit, fillimisht në fytyrë dhe kokë e më pas përhapet dhe në trup.
Masat e ndërmarra për mbrojtjen nga fruthi dhe ndaj epidemisë të shkaktuar prej tij janë masa të kontrollit spitalor, si dhe në qendra shëndetësore.
Duhet të kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni të keni disa shenja të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin.
Ndërlikimet tek gratë shtatzëna
Mjaft të rrezikuara nga kjo sëmundje janë edhe gratë shtatzëna. Nëse nuk jeni të mbrojtura nga fruthi dhe infektoheni gjatë shtatzënisë, ju rrezikoni, të abortoni apo të lindni bebin të vdekur, të kryeni lindje parakohe (para javës së 37-të të shtatzënisë), si dhe të lindni bebe nën peshë. “Kështu, nëse jeni shtatzëna dhe keni rënë në kontakt me dikë të infektuar me fruth, ndërkohë që nuk jeni të mbrojtura, ju duhet të takoni mjekun e familjes sa më shpejt të jetë e mundur. Ai do t’ju këshillojë rreth masave që duhet të merrni për të zvogëluar rreziqet e përmendura”, udhëzon ISHP.
Çfarë duhet të dini!
- Një person me fruth mund ta shpërndajë atë tek 9 nga 10 persona të pavaksinuar rreth tij.
- Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar.
- Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.
- Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarrjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar dhe persona të tjerë.
- Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni të keni disa shenja të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin. Këshillohuni me mjekun tuaj për këtë.
- Mbrojtja e vetme është vaksinimi. Vaksina e FRP (MMR) të mbron nga fruthi, rubeola, dhe shytat. Mjekët rekomandojnë që fëmijët të marrin dy doza vaksine për mbrojtje më të mirë. Doza e parë merret në moshën 1 vjeç, ndërsa e dyta në moshën 5 vjeç. Ndërsa foshnjat e moshës 9 deri në 11 muaj, të cilat nuk janë vaksinuar duhet të marrin një dozë vaksine para se të udhëtojnë jashtë shtetit.
o.j/dita

Shendetsia falas qe as vaksinet bazike nuk i mundeson…