Barcelona mund të forcojë skuadrën në verën e ardhshme, pasi FIFA ka pezulluar ngrirjen e merkatos për klubin katalanas. Disa javë më parë, organizmi botëror mori vendimin që ndalonte hyrjen në merkato të Barcelonës për 14 muaj, për shkak të parregullsive të bëra në transferimet e lojtarëve me moshë të re. Klubi spanjoll e apeloi vendimin, por nuk ka mundësi që Apeli të jetë shprehur në lidhje me këtë çështje deri më 1 korrik, kur hapet zyrtarisht merkatoja, ndaj FIFA ka vendosur që ta mbajë pezull vendimin e saj, i cili mund të hyjë në fuqi në të ardhmen, në rast se nuk hidhet poshtë nga Apeli. Pezullimi i vendimit të FIFA-s është lajmi më i mirë që mund t’i vinte Barcelonës në këtë periudhë tepër të vështirë. Skuadra ka nevojë urgjente për përforcime dhe problemi më i madh qëndron te porta. Barcelona ka rënë prej kohësh dakord me portierin Ter Shtegen për të zëvendësuar Viktor Valdes, por transferimi i gjermanit nuk ishte më i sigurt pas ngrirjes së merkatos. Si për ta shtuar dozën e hidhërimit, Valdes u dëmtua dhe nuk luan deri në fund të vitit, ndërsa portieri i dytë, Pinto, kishte njoftuar largimin, ashtu si dhe mbrojtësi Pujol. Ndërkaq, pasi arrin të sigurojë dy përforcime për sezonin e ardhshëm, me Ter Shtegen dhe kroatin Alen Haliloviç, Barcelona është pranë rinovimit me Leo Mesin. Sipas “El Mundo Deportivo”, klubi dhe lojtari janë shumë pranë, me diferenca të vogla në pretendimet e tyre. Dëshira e palëve ka qenë gjithmonë vazhdimi së bashku dhe presidenti Bartmoeu e kishte bërë të ditur se nuk e imagjinonte Barcelonën pa Mesin.
