Fshati Malbardhë-Kurbin, marrëdhënie të harmonishme ndërfetare

redaktor

 

Para disa numrash të gazetës “Dita”, është dhënë një njoftim nga gazetari Ermir Hoxha se në fshatin Malbardhë të Kurbinit banorët myslimanë të fshatit kanë ndërtuar një kishë për banorët katolikë, dhe këta si shenjë mirënjohjeje dhe për t’ua kthyer nderin, po ndërtojnë një xhami për bashkëfshatarët e besimit tjetër.

A mos është lajm i parëndësishëm ky, sidomos duke pasur parasysh atë kronikë aq të zezë që na servirin me bollëk përditë mediat? Në këtë fshat, që na jep një mesazh mirëkuptimi, një shembull të bukur mirënjohjeje, në kohën kur dëgjojmë për kaq shumë mosmarrëveshje, nganjëherë nga shkaqe nga më të pakuptimtat, do të duhej të përqendrohej vëmendja e mediave tona.

Një sërë pyetjesh lindin për të kuptuar natyrën, zakonet, formimin e këtyre fshatarëve, që kanë ditur kaq mirë të gjejnë me njëri-tjetrin një gjuhë paqeje e respekti të ndërsjellë.

Si ka lindur kjo nismë? Si kanë qenë qysh prej kohësh marrëdhëniet mes tyre? Si kanë arritur të bien në vet? Me ç’mjete financiare i kanë përballuar këto ndërtime kulti? Po shkollimin e fëmijëve ku e bëjnë? Kjo harmoni, përveç se në fushën e fesë, a shfaqet edhe në marrëdhënie të tjera: familjare, shoqërore, ekonomike etj.?

Një mendje, kur dihet sa vështirë e ka shqiptari këtë, sepse secili do mendjen e gazetarëve të mediave të shkruar e pamore, sociologëve etj., në mos për tjetër, po të paktën për kureshtje njerëzore apo profesionale, duhet t’u tërheqë vëmendjen një rast i tillë. Aq më mirë në e tregofshin këtë interes me qëllim që t’i japin lexuesit a shikuesit një shembull edukativ, që vlen shumë të ndiqet.

Veç të tjerash, do të thyhej monotonia, do të lexonim diçka ndryshe nga moria e pafund e ngjarjeve të zymta, me të cilat mediat tona nuk po lodhen së godituri sytë, veshët e mendjet e njerëzve, ditë për ditë e orë për orë.

 

Letër e nënshkruar

Donika Omari

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *