Financat e partive vazhdojnë të mbeten një gropë e zezë për institucionet që i monitorojnë. Pak ditë para zgjedhjeve Transparency International Albania, publikon raportin “Pushteti dhe partitë në Shqipëri nën ndikimin e parasë”. Ligji është i mirë, konstaton TIA, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar.
Pasi ka analizuar raportet vjetore financiare të partive të dorëzuara në KQZ, TIA vëren se vetëm 5 subjekte e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor. Demokratët kishin raportuar vetëm për paratë e mbledhura dhe shpenzuara gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve vendore të 2011-s, ndërsa PS, PBDNJ, PR dhe LSI për tërë 12 mujorin e kaluar.
“Përmes këtij raporti, TIA i bën apel Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e financimit të partive, të garantojë raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike duke ndërmarrë hetime proaktive për të verifikuar llogaritë e tyre financiare. KQZ duhet të demonstrojë pavarësinë e duhur institucionale për ndëshkimin me cdo kusht të financimit të paligjshëm të partive dhe zbatimin efektiv në praktikë të dispozitave ligjore në fuqi e detyrimeve që lindin nga Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit”, thotë Inesa Hila, TIA.
Sanksionet, konstaton Transparency, nuk parashikojnë të shkojnë përtej gjobave, dhe janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur shkeljes së ligjit.
“Megjithë parashikimet kushtetuese e ligjore, partitë politike në Shqipëri nuk informojnë anëtarët e partisë, votuesit dhe publikun e gjerë mbi financat vjetore cka konsiderohet si treguesi kryesor i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së transparencës. Në këto kushte të shkeljes së vazhdueshme të ligjit e Kushtetutës, rekomandojmë shtimin e një dispozite të vecantë në Ligjin “Për Partitë Politike” për të rregulluar cështjen e publikimit të të ardhurave e shpenzimeve nga vetë partitë politike dhe parashikimin e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ligjit”, vijon Hila.
KQZ është organi përgjegjës për monitorimin e financave të partive dhe fushatës. Më herët ky proces kryhej nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por për shkak të dështimit në këtë fushë, Gjykata Kushtetuese në 2011-n, ia hoqi këtë kompetencë.
Pas analizës në 5 vende të Ballkanit Perëndimor, ku përfshiohen dhe Kroacia, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, transaparenca e financave partiake shqiptare mori nga TIA notën mesatare 5.9.