Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar 2.5 milionë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të Kukësit. Në një bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ku të dyja palët do të jenë kontribuuese gati 50 me 50% të investimit, qyteti i Kukësit do të ketë një stadium të ri në vitin 2019.
Mbledhja e fundit e komitetit të FSHF mes disa vendimesh, ka marrë edhe atë për të akorduar këtë shumë në formë ndihme për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit, një gjë që të ngjashme me investimin e bërë në stadiumin “Loro Borici” në Shkodër. Investimi që në total do të shkojë diçka më tepër se 5 milionë euro, është në këto momente në fazë projektimi dhe tenderimi për firmën që do ta ndërtojë.
Në projekt mendohet që stadiumi i ri i Kukësit të ketë një kapacitet prej 6500 vendesh dhe do të jetë i një kategorisë Elite 3 të UEFA-s, duke qenë se kategoria Elite 4 ka mes të tjerave si kusht edhe kapacitetin, gjë që nuk e plotëson dot ky stadium. Gjithsesi edhe në këtë kategori që është parashikuar të ndërtohet, në këtë stadium të ri mund të zhvillohen ndeshje deri të fazave të grupeve të Kupave të Europës, gjë që nuk do të pengojë as vendasit dhe as ndonjë skuadër tjetër shqiptare për të zhvilluar ndeshje atje.
Sipas planifikimit mendohet që fillimi i punimeve mund të ketë si periudhë nisjeje fillimin e vitit të ardhshëm dhe kohëzgjatja e këtyre punimeve mund të shkojë deri në rreth 9 muaj.
v.l/ Dita

Po Durresin the Vloren pse nuk i beni me stadiume modern?