Gjoba dhe kallëzime penale. Komisioni i Etikës ka vendosur dje të godasë fenomenin e trukimeve të rezultateve në futbollin shqiptar, megjithëse duket se këtë e ka bërë vetëm me skuadrat e dobëta, dhe jo me të mëdhatë, pavarësisht përfoljes së shumtë për truket në Superligë.
Gjatë mbledhjes së fundit Komisioni i Etikës në FSHF ka marrë tre vendime lidhur me trukimet e ndeshjeve. Dy janë skuadrat e dënuara me gjobë, ndërkohë që është kërkuar fillimi i hetimit për trukimin e ndeshjes Shqipëri – Zvicër në futsal.
Shembull për trukimet në Superligë janë bërë skuadra e Kastriotit dhe ajo e Bylisit. Gjobat përkatëse për skuadrat janë nga 1 500 000 lekë. Bëhet fjalë pikërisht për ndeshjen e dhjetorit për Kupën, Kastrioti – Shkumbini, e fituar nga krutanët me rezultatin 4-2.
Ndërkohë Bylisi është dënuar për ndeshjen e të mërkurës së kaluar, ku kjo skuadër hapi portën dhe u mund 3-0 nga Flamurtari.
Me po të njëjtin motivim Komisioni i Etikës ka vendosur shkarkimin nga detyra të trajnerit të kombëtares shqiptare të futsallës Alban Neziri, si dhe të zëvendëstrajnerit Ramazan Konçi.
Ajo që mund të konsiderohet edhe më e rëndë është fakti se ky komisioni, për herë të parë ka vendosur që të bëjë një kallëzim penal për të gjithë ekipin e kësaj kombëtareje, duke e akuzuar për trukimin e ndeshjes Shqipëri–Zvicër.
Me këto vendime Federata Shqiptare e Futbollit duket se dëshiron të tregojë se e ka marrë seriozisht luftën ndaj fenomenit të trukimit të ndeshjeve në Superligë. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë, duke qenë se skuadrat e dënuara janë skuadra që mund të quhen “të vogla” të Superligës. Akuza të shumta në vitet e kaluara ka pasur sidomos për trukimet e ndeshjeve të skuadrave që kanë fituar kampionatet, në një kohë që dënimet e dhëna nga FSHF-ja kanë qenë qesharake.
Komisioni i Etikës vendosi:
1.Dënimin me gjobë të K.S Kastrioti me vlerë 1 500 000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Kastrioti – Shkumbini, në kundërshtim me etikën sportive bazuar në nenin 68.1 të KDS.
2.Dënimin me gjobë kundrejt K.F Bylis me vlerë 1 500 000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Flamurtari – Bylis, në kundërshtim me etikën sportive bazuar në nenin 68.1 të KDS.
3.Kundër këtyre vendimeve lejohet ankimi
1. Për komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Shqipëri – Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Evropian të Futsalit, shkarkimin e trajnerit Alban Neziri dhe zv.trajnerit Ramazan Konci.
2. Kallëzimin penal për trukimin e ndeshjes Shqipëri – Zvicër për të gjithë ekipin kombëtar të futsallës.
3. Kundër pikës 1 të vendimit lejohet ankimi.