FSHF vendos, Kategoria e Parë dhe e Dytë nisin në fundjavë

redaktor

Merr dritën jeshile starti i rrugëtimit për kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Kategoria e Parë si edhe Kategoria e Dyta do të fillojnë aktivitetin këtë fundjavë. Vendimi u mor këtë të hënë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, siç njoftohet nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare të institucionit shqiptar të futbollit. Pas shtyrjes fillestare të kampionateve për shkak të problematikës në lidhje me detyrimet financiare të klubeve si dhe garantimin e sigurisë nga ana e Policisë së Shtetit, Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar afatin e nisjes së fushatës futbollistike duke vendosur dhe disa detyrime e njëkohësisht krijuar lehtësira për skuadrat protagonist të Kategorisë së Parë dhe asaj të Dytë. Kështu ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare brenda kësaj jave duhet të derdhin në arkat e FSHF 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015 ndërsa për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me Federatën për t’i likuiduar deri në 31 dhjetor të 2014. Nëse brenda javës klubet pjesëmarrëse nuk plotësojnë kushtin e pagesës së 50 % të shumës që detyrohen atëherë klubet debitore do të humbasin ndeshjen në tavolinë. Gjithashtu për sa i përket infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të dorëzojnë brenda kësaj jave në Federatën Shqiptare të Futbollit garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit dhe në rast se nuk arrijnë diçka të tillë duhet të arrijnë marrëveshje me një nga stadiumet e tjera të miratuara nga Policia e Shtetit për garantimin e sigurisë.

Vendimet e Komitetit Ekzekutiv

– U miratuan çmimet e biletave për ndeshjen Shqipëri – Danimarkë, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” të Elbasanit, më 11 tetor.

– Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të fillojnë aktivitetin në këtë fundjavë. Ekipet që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF, 50% të detyrimeve që kanë për edicionin 2014-2015.

– Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF për t’i likuiduar më 31 dhjetor 2014.

– Nëse brenda javës, klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50 % të detyrimeve, klubet debitore, humbin ndeshjen në tavolinë.

– Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin brenda javës në FSHF, garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt, duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera, të miratuara nga Policia e Shtetit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *