Kampionati i 77-të Kombëtar i Futbollit do të shënojë startin të premten, ora 20:00, dhe kur mbeten vetëm tre ditë nga ky eveniment shumë i rëndësishëm, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar axhendën e javës së parë.
Sipas kalendarit të publikuar nga organi më i lartë futbollistik në vend, Kategoria Superiore do të startojë me ndeshjen Partizani-Laçi, që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Pikërisht para fillimit të këtij takimi FSHF ka programuar të zhvillojë një ceremoni për hapjen e sezonit, ku do të jenë të pranishëm presidenti Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, si dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Java e parë do të vijojë të shtunën me ndeshjen Flamurtari-Teuta, të planifikuar për t’u zhvilluar në stadiumin e qytetit të Fierit “Loni Papuçiu”, në orën 17:00, ndërkohë që sipas kalendarit të zyrtarizuar nga FSHF, ndeshjet Kukësi-Bylis, në stadiumin e qytetit të Kukësit “Zeqir Ymeri ”dhe Tërbuni-Tirana do të zhvillohen ditën e diel, më datë 23.08.2015, ora 17:00.
Të papërcaktuara janë stadiumet që do të presin takimet Tërbuni-Tirana dhe Vllaznia-Skënderbeu. Ndërkohë, veç stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja mes Tërbunit debutues dhe Tiranës 24 herë kampione, drejtuesit e FSHF-së nuk kanë përcaktuar gjithashtu as stadiumin që do të presë takimin mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, i shtyrë për më datë 9 shtator, si pasojë e pjesëmarrjes së kampionëve në fuqi në fazën play-off të Ligës së Kampionëve.
