FT: Privatizimi i Albpetrol, turp kombëtar për Shqipërinë

editor

 

 

Analiza e Financial Times: Sipas artikullit, vendimi i jep fund asaj që u bë me shpejtësi një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës.

 

Qeveria shqiptare anulon ofertën fituese të kryesuar nga një biznesmen vendas në tenderin për shitjen e firmës shtetërore Albpetrol, pasi ajo nuk arriti që të paguajë, – shkruajti dje Financial Times, që i ka dedikuar një raport të gjatë shitjes së kompanisë shqiptare të naftës.

Sipas artikullit, vendimi i jep fund asaj që u bë me shpejtësi një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës.

Ministri i Energjisë Edmond Haxhinasto javën e kaluar theu heshtjen dy mujore lidhur me fatin e tenderit të tetorit 2012 për  Albpetrol, kur ai tha në televizionin kombëtar se qeveria kishte vendosur që të konsideronte të pavlefshme ofertën e Vetro, pasi ajo nuk arriti të paguante 170 milionë euro, e barabartë me 20% të ofertës fituese.

Kompania Vetro, me bazë në Çikago, që konkurroi përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor-Vetro Silk Road Equity, ofroi një shumë të madhe prej 850 milionë eurosh për Albpetrol, që ishte dy herë më e lartë se oferta tjetër më e lartë e dhënë nga konsorciumi kinez Ëin Business dhe tre herë më e lartë se ajo e vendit të tretë, nga Bankers Petroleum i Kanadasë.

 

Zëvendësministri shqiptar i energjisë, Sokol Dervishaj, u tha gazetarëve në 10 dhjetor, se në rast se Vetro nuk do të arrinte të jepte paratë, qeveria do të pretendonte 10% e ofertës, që sipas rregullave ishte garantuar nga një institucion i respektueshëm financiar, në këtë rast American Chartered Bank me bazë në Çikago. Por siç rezultoi javën e kaluar, duket se American Chartered nuk ishte dhënë një garanci të tillë për 10% e ofertës së Vetro.

“American Chartered nuk mund të japë specifika të marrëdhënieve të saj me klientë, por mund të konfirmoj se American Chartered Bank nuk është e përfshirë në transaksionin në fjalë,” ka shkruar këshilltari ligjor i American Chartered në një email që daton në 13 dhjetor 2012, botuar në gazetën DITA.

Duket se Federal Deposit Insurance Corporation (FDIC), një institucion federal që garanton sigurinë e llogarive të depozituesve të bankave anëtare, ka konfirmuar se nuk ka pasur garanci.

Në fakt, American Chartered është një bankë lokale e Illinois, me aktive totale në fund të vitit 2011 që llogariteshin në 2.3 miliardë dollarë, – dhe një garanci prej 85 milionë eurosh do të përfaqësonte 5% të aktiveve të tij totale. Dhënia e një garancie të tillë është thelbësore për çdo privatizim të madh, ndaj dështimi për ta dhënë atë do të çonte në një skualifikim të menjëhershëm.

Gjithsesi, Vetro nuk u s’kualifikua menjëherë vitin e kaluar. Pretendimi për një garanci bankare nga American Chartered u mbështet nga deklaratat e qeveritarëve të ngarkuar me procesin e tenderit dhe u tha se ai ishte konfirmuar nga këshilltari i tenderit, Patton Boggs, një firmë ligjore me bazë në Uashington që bën punë përkrahëse për qeverinë shqiptare në SHBA.

Patton Boggs tha në një email: “Patton Boggs në mënyrë kategorike mohon se ka pasur keqinterpretim të ndonjë çështjeje të klientit tonë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, dhe çdo sugjerim i kundërt thjesht nuk është i mbështetur.”

 

Pyetjet lidhur me aspektin financiar të ofertës – drejtuar ministrisë së ekonomisë dhe zyrës së kryeministrit, mbetën të gjitha pa përgjigje – shkruan Financial Times që me sa duket i është drejtuar për informacion autoriteteve në Tiranë, por “transparenca” ka bërë të vetën.

“…Dyshimi në lidhje me garancinë e bankës ishte vetëm një nga çështjet që rrethojnë privatizimin e Albpetrol, aktivi më me vlerë i vendit. Për më tepër, kur kryeministri Berisha njoftoi fituesin e tenderit në 3 tetor, fituesi u përshkrua si një kompani ndërkombëtare – ofertë e kompanisë me bazë në Çikago Vetro Energy, përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor, Vetro Silk Road Equity. Vetëm dy ditë më vonë rezultoi se konsorciumi fitues zotërohet konkretisht 51% nga biznesmeni vendas Taçi, që zhvilloi në 5 tetor një konferencë për shtyp dhe tha se e kishte mbajtur përfshirjen e tij sekret nga publiku për shkak se nuk donte që kjo të kishte ndikim në ofertë. Analistët spekulojnë se vonesa mes kërkesës që Vetro të paguante 170 milionë euro dhe njoftimit të 8 shkurtit për të shpallur të pavlefshme ofertën është bërë që t’i lihej kohë Taçit që të siguronte financimin, – përfundon artikullin e zgjeruar Financial Times.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *