Fukui: Futbolli shqiptar tepër cilësor, dua të qëndroj gjatë

redaktor

T’i shënojë sërish Skënderbeut me shpresën që këtë herë goli i tij ti japë pikë Tiranës. Është ky objektivi Masato Fukuit, sulmuesit japonez të bardhebluve.

Në prag të ndeshjes ndaj kampionëve të Skënderbeut 27-vjeçari nipon premtoi se do të japë maksimumin nga vetja për të realizuar përsëri në portën e Orges Shehit të hënën.

Fukui deklaroi se Tirana i ka të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv në Korçë edhe pse nuk do ta ketë të thjeshtë. “Jemi përmirësuar shumë në javët e fundit, duke patur një seri rezultatesh pozitive.

Përjashtoj ndeshjen me Flamurtarin, që na bëri të zhgënjeheshim shumë. Ishte një aksident dhe për këtë më vjen keq. Të hënën luajmë me Skënderbeun dhe kam dëshirë të shënoj sërish, siç kam bërë në fazën e parë, por këtë radhë të shënoj gol dhe të marr rezultat pozitiv”, deklaron sulmuesi i bardhebluve.

Në vijim fjalës së tij japonezi foli për eksperiencën e tij në Shqipëri: “Ndihem shumë mirë këtu, sepse Shqipëria është një vend i bukur.

Jetoj në një qytet ku njerëzit janë shumë miqësorë dhe të ndalojnë në rrugë për të të përshëndetur apo për të bërë një foto. Futbolli është një sport shumë i dashur në Shqipëri dhe ka shumë tifozë, kjo është një nga arsyet që më motivon më tepër për të treguar të gjitha vlerat e mia”.

Sezonin e kaluar, Fukui ishte pjesë e Sutjeskës së Nikshiqit në Malin të Zi. I pyetur për diferencat që ekzistojnë mes kampionatit shqiptar dhe atij malazez, 27-vjeçari theksoi se niveli i Kategorisë Superiore është më i lartë.

“Futbolli në Shqipëri është shumë më tepër cilësor se në Malin e Zi. Futbollistët këtu janë të fortë fizikisht dhe punojnë mirë nga ana taktike. E them me bindje që Shqipëria ka një kampionat shumë më të fortë se Mali i Zi. Unë japonezi i parë në Shqipëri?

Më vjen mirë për këtë nëse qëndroj për disa vite jam i sigurtë se të tjerë futbollistë nga Japonia do të vijnë të luajnë futboll këtu”, thotë Fukui.

Përsa i përket të ardhmes së tij Masato Fukui nënvizoi se nëse klubi dëshiron ai do të qëndrojë te Tirana edhe sezonin e ardhshëm, ndërkohë që me shaka zbuloi se i ka lyer flokët në ngjyrë blu për respekt të klubit në të cilin bën pjesë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *