Prokuroria e Tiranës do të hetojë edhe të gjithë tenderët që ka zhvilluar ish-guvernatori Ardian Fullani gjatë detyrës së të tij dhjetë vjeçare në Bankën e Shqipërisë. Prokurimet që mbajnë firmën e ish-guvernatorit do të hetohen të pandara nga skandali i vjedhjes së 713 milionë lekëve dhe procedurave në Thesar me paranë. Organi i akuzës ka bashkuar dosjet, duke kryer një hetim në themel të gjithë asaj që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, me 19 të pandehur. Ndërsa nën verifikim janë edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernatorja në detyrë, Elisabeta Gjoni, pasi firma e saj gjendet gjithashtu në procedurat tenderuese.
Mësohet se Task-Force do të kalojë në sitë procedurat tenderuese, duke filluar letrat A4 që përdorte banka, tenderi i kartolina dhe zarfeve për fundvitin, deri tenderët miliona euro, si hotel Dajti, rikonstruksioni i godinës qendrore të bankës si dhe qiratë që banka paguan tek privati për ambientet. Procedura e radhës hetimore mësohet se është marrja në pyetje e të gjithë anëtarëve të komisioneve të ofertave në prokurimet e kryera nga institucioni. Objekt do të jenë procedurat e ndjekura, nëse janë respektuar ligjet e barazisë në tenderë dhe nëse ka pasur abuzime në pranimin e ofertave. Mbi 6 milionë euro në vit është llogaritur qiraja që banka paguan tek privatët. Tenderi për rikonstruksionin e godinës kryesore të BSH dhe shkelja e afatit të punimeve me dy vjet, do rishikohen nga prokuroria, ashtu si dhe dosja për Hotel Dajtin.
