Shefi i Bankës Qëndrore ishte dje para komisionerëve parlamentarë të ekonomisë për të bërë rezymenë e vitit ekonomik që kemi lënë pas dhe pritshmëritë për 9 muajt e mbetit të 2013. Ashtu sic dhe në daljet e fundit publike të Guvernatorit është cilësuar prej tij pesimizmi për zhvillimin ekonomik të vendit, edhe dje u cilësua e njëjta gjë, duke shtuar tonet pesimiste për vitin 2013. “Edhe këtë vit rritja ekonomike, ashtu si në vitin 2012, do të jetë e ngadaltë dhe papunësia do të jetë në nivelin 13.3 përqind”, kështu u shpreh Ardian Fullani, dje para ligjvënësve kuvendorë. “Viti 2012 ka qenë një vit i vështirë ekonomik dhe moti i keq reflektoi në uljen e eksporteve. Gjatë këtij viti ka pasur rritje të vogël të pagave, e cila ka reflektuar edhe në rritje të çmimeve. Rritja ekonomike ka qenë e ngadaltë, pati ulje të konsumit dhe të investimeve”, u shpreh ai duke shtuar se “kjo situatë do të vijojë edhe gjatë këtij viti dhe papunësia do të jetë e njëjtë si vitin e kaluar në nivelin 13.3%. Deficiti buxhetor u ul si pasojë e uljes së shpenzimeve, ndërsa janë rritur kreditë me probleme nga 18 deri në 22 %”. Guvernatori i bëri apel deputetëve të miratojnë në Kuvend të enjten paketën me masat për sistemin bankar, pasi sipas tij është e rëndësishme kreditimi i ekonomisë. “Integrimi i vendit me rëndësi për ekonominë, por sjell edhe sfida. Sistemi financiar duhet të jetë i qëndrueshëm dhe për të arritur këtë duhet të ketë konsensus politik. Gjithashtu duhet reformuar sistemi i sigurimeve shëndetësore dhe financiare”, ka shtuar më tej Fullani. Pas raportimit të Guvernatorit të BSH-së, reaguan deputetët socialistë, sipas të cilëve shifrat e rritjes ekonomike të raportuara nga Guvernatori nuk janë të njëjta me ato të qeverisë. “Ministri i Financave Ridvan Bode pretendon për një rritje ekonomike prej 4.3 %, BSH deklaron një rritje vetëm 1.6 %. Banka e Shqipërisë thotë që punësimi nuk është rritur, kurse qeveria pretendon të kundërtën”, u shprehën ligjvënësit socialistë. Por Guvernatori Fullani është shprehur se BSH-ja ka qenë e kujdeshme në lidhje me parashikimet e rritjes ekonomike. Sipas tij, Banka e Shqipërisë konsultohet edhe me qeverinë ndërsa ka shtuar se ka ende mundësi për vlerësime më të sakta.
