Pas 4 ditësh reflektimi, gjykatësi nxori vendimin për James Bulger, i arrestuar në 2011-n pas vitesh të tëra në arrati. Ishte protagonist i luftës së bandave që përgjaku rrugët e Bostonit jugor (SHBA), në vitet ’70. Në moshën 82-vjeçare padrinon irlandez e pret burgu i përjetshëm
Bosi i kriminalitetit në Boston, James «Whitey» Bulger, është shpallur fajtor për 11 vrasje dhe krime të tjera të kryera midis viteve 1970-1980, kur ishte në krye të bandës “Winter Hill”. Për vite me radhë kishte qenë armiku publik numër 2 i Shteteve të Bashkuara pas Osama Bin Ladenit. Jetonte në Kaliforni bashkë me të shoqen, i fshehur nga policia, por llogaria e tij me drejtësinë ishte kaq e rëndë sa federalët nuk kishin rreshtur kurrë së e kërkuari, pavarësisht moshës së tij në momentin e arrestimit.
Të martën gjykatësit e Masaçusetsit i dhanë fund epopesë kriminale të njeriut që frymëzoi figurën e Martin Scorseses, të interpretuar nga Jack Nicholson në filmin që fitoi çmimin “Oscar”, “The Departed”. Pas 4 ditë reflektimesh erdhi vendimi i jurisë për James Bulger i fajësuar për 11 nga 19 vrasjet për të cilat akuzohej.
Në dokumentet e procesit, lista e gjatë e viktimave të tij kanë mbiemra irlandezë dhe italianë, gjë që vërteton se sa e ashpër ishte lufta midis bandave rivale dhe sesi ngjitja drejt pushtetit e Bulger zhvillohej pa mëshirë mbi burra e gra, madje pa marrë në konsideratë edhe lidhjet e origjinës me anëtarë të komunitetit të madh irlandez në Boston.
Bulger ishte një nga më të fuqishmit brenda dhe mafies irlandeze përgjatë bregut lindor. Kur në fillim të viteve të ’80 i ndjekur nga FBI-ja humbi gjurmët e tij, u bë një nga personat më të kërkuar në Amerikë dhe mbi kokën e tij u vu një shpërblim prej 2 milionë dollarësh për këdo që do të zbulonte vendndodhjen e tij.
Midis mizorive të shumta që ka kryer, ai akuzohet se ka mbytur me duart e tij dy gra pasi dyshonte se ishin informatore të FBI-së. Gjithashtu ai ka vrarë me plumba në kokë dy burra, pasi i kishte marrë në pyetje për orë të tëra dhe me po aq gjakftohtësi ekzekutoi dy të tjerë teksa dilnin nga një restorant në Bostonin jugor.
Reputacioni i tij si padrino i mafies me fytyrë njerëzore u prish kur filluan të dilnin në shesh kufomat e viktimave të tij dhe kur FBI-ja zbuloi se ai vetë kishte qenë një informator i federalëve midis viteve 1975-1990. Atyre u kalonte informacione kundër organizatave rivale.Për një kohë të gjatë imazhi i tij ka qenë ai i bosit të pamëshirshëm, e në mënyrë paradoksale i kujdeshëm ndaj më të varfërve: Ishte bërë i famshëm sepse çdo vit për festën e Falenderimeve, u blinte gjel deti shumë familjeve të klasës punëtore dhe u dhuronte vaksina falas për lagjen ku banonte.
Vendimi i dënimit, edhe pse gjerësisht i parashikuar ka turbulluar qytetin: midis publikut të pranishëm në sallën e gjyqit një grua bërtiti duke e fyer dhe duke bërë me duar gjestin e pistoletës që qëllonte kundër tij. Ndërsa, jashtë në rrugë përqafimi i familjarëve të viktimave me avokatët e tyre. “Është ai që vrau bashkëshortin tim. Prej vitesh e prisja këtë moment, por është sërish kaq e vështirë”, u shpreh para kamerave e veja e një prej viktimave. 31-vjeçari Thomas Donahue, i cili ishte 8 vjeç kur Bulger i vrau të atin tha i emocionuar: “Passhumë e shumë vitesh kemi drejtësi. Duke dëgjuar vendimin kisha dëshirë të kërceja nga gëzimi”. /D.Gjuzi
Edhe Saliu u ble gjela deti te varferve.