Ata që e kanë përdorur teorinë e pabazë të fundit të botës për të nxjerrë para po vjelin fitimet e fundit, ndërsa të tjerë po nxitojnë të bëhen pjesë e kësaj strategjie fitimi. Vendet që deri tani janë cilësuar si mbijetueset e fundit të botës po vijojnë të lëshojnë me qira metra katrore të tokës me çmime të kripura, ndërsa disa agjenci bastesh kanë publikuar edhe koeficientët e çdo skenari apokaliptik.
Ata që e kanë marrë më seriozisht fundin e botës duket se janë kinezët, të cilët kanë boshatisur supermarketet, duke furnizuar shtëpitë me ushqime, ujë e gaz. Në fshatin Bugarach të Francës vazhdojnë dyndjet e vizitorëve, të cilët mendojnë se mund të gjejnë aty strehën që do t’i shpëtojë nga fundi i botës.
Duhet theksuar se pavarësisht zhurmës së stërmadhe të shkaktuar në internet, e cila ka krijuar panik në popullsinë botërore, shkencëtarët nuk shohin asnjë arsye që mund të çojë në shkatërrimin e botës. NASA ka theksuar se këto teori konspiracioni që qarkullojnë prej të paktën 3 vitesh nuk kanë asnjë bazë shkencore, ndërsa vetë pasardhësit e fiseve maja e konsiderojnë lojën me kalendarin e tyre si një shfrytëzim të kulturës së tyre, për qëllime përfitimi.