Fundi i idiokracisë

redaktor

Rastet e fundit të denoncuara nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe akuzat për titullarët më të lartë të shtetit. Platforma e specialistëve se si mund të shpëtohen dhe ruhen ato që kanë mbetur dhe shpresa se qeveria e re mund t’ia dalë mbanë 

Nga Alida Cenaj*

Një xhami për të justifikuar një qendër tregtare; heqje e zonave të mbrojtura nga lista për t’u hapur rrugë ndërtimit të pallateve; ndryshim destinacioni i Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë sepse selia aktuale e Partisë Demokratike do t’i rikthehet ish-pronarëve, “rastësisht” politikanë të njohur; dhe një shtet që ka degraduar, sidomos këto dy-tre vitet e fundit. Rastet e fundit që denoncon Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë përkthehen në më shumë sesa dëmtime hajdutësh ordinerë të trashëgimisë kulturore dhe historike. Artan Shkreli, arkitekt dhe një prej zërave më të fortë të kësaj shoqate tregon për ndodhitë e para pak ditëve, por edhe për deklaratën e fundit të Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe. Pas muajsh të tërë thirrjesh për t’u ulur në tryezë me të dhe specialistët e këtij institucioni, më në fund Baçe, pak ditë të shkuara deklaroi publikisht se është dakord. “Tani që është në ikje z. Baçe po bën një përpjekje të mbrame për të gjetur rrugën e komunikimit me ata aktivistë të shoqërisë civile të cilët i refuzoi kategorikisht pasi përçudnisht mendonte se Forumi ka objektiv individin Apollon Baçe”, thotë Shkreli në këtë intervistë për Klan, duke e quajtur të mbyllur tashmë këtë çështje. Sepse Forumi tanimë i ka drejtuar sytë tek drejtori pasardhës i tij, qeveria që pritet të vijë dhe platforma që e ka prezantuar ndërkohë për çka mund të shpëtohet nga ato që kanë mbetur. Mund të ruhet trashëgimia, pa u munduar aq shumë sa ç’është pretenduar deri tani, thotë Shkreli. Mjafton të ketë një ligj të fortë dhe ata që vjedhin e dëmtojnë të mos ia hedhin, maksimumi një një gjobë 1 milionë lekëshe, por edhe duke bashkëpunuar me komunitetin e për monumente të veçanta me sisteme alarmi, aspak të papërballueshme nga shteti, siç është pretenduar deri më sot. Është edhe një hap tjetër i madh që pretendohet të hidhet sapo zyra kryeministrore të presë kryeministrin e ri: bllokimin e Planit Rregullues të Tiranës, një vendim me të cilin, sipas Shkrelit, do të shpëtohet parqet, vilat dhe zona e shpallura monument kulture në kryeqytet. E nëse kjo ndodh, parku “7 Xhuxhat” nuk do të prishet e bashkë me të mund të shpëtojnë edhe disa të tjerë, në të cilët sipas këtij plani do të bëhen pallate. Ka edhe një shpëtimtar tjetër në radhë, sipas Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë: Ministrja e re, Mirela Kumbaro. Është folur e disktuar me të dhe këto ditë titullarja do të vizitojë cep më cep në zonat muzeale të Shqipërisë për të mos mbetur vetëm tek raportet në letër. Duhet parë se çfarë është për t’u shpëtuar dhe si.

-Para pak ditësh drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe deklaroi se është gati të ulet në një tryezë bisedimi. A do ta pranoni ftesën që më në fund doli nga ky institucion? 

Eshtë e vërtetë që ai ka thënë se është gati të ulet në tryezë, por vetëm tani që po ikën. Ne i kemi bërë disa ftesa z.Baçe, sa herë që është mbledhur Forumi për Trashëgiminë, aty ku kemi ftuar edhe ambasadorë, të cilët kanë ardhur, por ai nuk e ka gjykuar asnjëherë të vijë. Tani që është në ikje z.Baçe po bën një përpjekje të mbrame për të gjetur rrugën e komunikimit me ata aktivistë të shoqërisë civile të cilët i refuzoi kategorikisht pasi përçudnisht mendonte se Forumi ka objektiv individin Apollon Baçe. Në realitet ai rezultoi njeriu më jodomethënës që ka drejtuar ndonjëherë në fushën e trashëgimisë. Pavarësisht kësaj, ne kërkonim të kishim kontakte dhe komunikim me kreun e institucionit, ashtu siç do e kërkojmë këtë gjë edhe me kreun e ardhshëm, cilido që të jetë ai. Tani nuk kemi pse të takojmë një drejtor, i cili më tepër ka hequr monumente nga lista kombëtare sesa ka shtuar. Në një kohë kur duhet të kishte ndodhur e kundërta.

-Dhe pse ka ndodhur kjo? 

Sepse përveçse krejtësisht i paaftë në punë të drejtimit, besoj se nuk ka mundur t’u rezistojë presioneve korrozive të entiteteve të tjera, siç janë trysnitë e ushtruara nga bashkitë apo individët. Padyshim që ai nuk ka arritur t’i rezistojë këtij presioni. Pastaj është korruptuar apo jo, këtë nuk jam unë që mund ta them. Por aktet që ka bërë ai, me heqjen e monumenteve nga listat lokale, apo mosveprimi ndaj përbindëshave, si në rastin e Krujës, lë hapur rrugën e dyshimeve. Pos kësaj, ai ka një injorancë thelbësore kur mendon se arkitektura e betonit nuk mund të jetë monumentale (në suazën trashëgimore), ndërkohë që vetëm në Francë ka më shumë se 2000 objekte, monument kulture, të realizuara me hekur dhe me beton, të cilat gëzojnë mbrojtje; objekte të Eiffel-it, Hennebique-ut, Le Corbusier-së etj., apo në Zvicër ku mbrohen urat me paratensionim të viteve 20-30 të Maillart-it. Por ne nuk presim nga ai ndonjë kulturë individuale, të paktën jo në këtë rast, por kulturën institucionale një drejtues i dikasterit duhet ta ketë.

-Po i referohem dy rasteve të fundit për të cilët keni ju dalë publikisht, xhamia e Namazgjasë dhe parku “7 Xhuxhat”. Çfarë pritet të ndodhë me to? 

Për “7 Xhuxhat” kemi bërë denoncime mediatike që kur jemi njohur me bocetet e para të Planit Rregullues të Tiranës. Pasi kemi bërë publike një sërë denatyrimesh që pësonin hapësirat e gjelbërta në qendër të Tiranës, të cilat me një “klik” zhdukeshin nga harta e kryeqytetit, ka dalë kryetari i bashkisë, z.Basha dhe me hipokrizinë e tij, tashmë proverbiale, ka deklaruar se tek hapësira e “7 Xhuxhave” nuk do të ndërtohet; dhe ka thënë të njëjtën gjë edhe për kullat që tashmë ka autorizuar të ngrihen tek parku i Namazgjasë me sebepin e xhamisë, por nuk ka kaluar veçse pak kohë dhe rrena i ka dalë sheshit. Zotëriu, me gjithë kryeministrin në ikje, ka dhënë leje jo vetëm për objektin e kultit, por kryesisht për dy shumëkatësh të mëdhenj që do naltohen ngjitur me të. Komuniteti Mysliman nuk i ka paratë për xhaminë çka do të thotë se xhamia, të paktën sot, ka qenë vetëm një sebep për të shndërruar lulishten në shesh ndërtimi, kur në fakt duket se po nuk u ndaluan, kullat e biznesit do të përfundojnë përpara fillimit të xhamisë.

Dua të besoj se një nga aktet e qeverisë se re do të jetë shqyrtimi i këtij rasti, i cili është një kazus kriminal prej të cilit do zhduket përfundimisht një hapësirë publike në qendër të Tiranës me mashtrimin se kjo hapësirë po i ofrohet komunitetit mysliman të vendit. Ky karrem për të mbërritur te kullat, është shumë i shëmtuar si qasje; është e shëmtuar së pari ndaj komunitetit mysliman që i përdhoset një gjë e jashtëzakonshme siç është faltorja, por e shëmtuar edhe për popullin e Tiranës, të cilit për efekt të tolerimit ndaj një objekti kulti në Tiranë, po i ofrohen nën dorë dy “karabina”. Dhe menjëherë pas kësaj thagme të firmosur nga z.Berisha, pasi kjo është leje zhvillimi e firmosur nga kryeministri, ndodh thagma tjetër që SHQUP-in kërkon ta marrë për seli të saj një parti. Si mund të ndodhë kjo gjë? Ndërtesa është institucion publik, ajo i përket shtetit dhe popullit shqiptar. Për më tepër që ka funksion publik dhe në të kryhen me dhjetra aktivitete gjatë vitit. Trualli i saj ka pronarë të vjetër, por ja që vendoset ta marrë një parti. Siç flitet – dhe nuk jam i sigurtë për këtë – kjo po ndodh sepse objekti ekzistues i PD-së bashkë me objektet të tjera përreth janë në pronësi të një politikani me rol tepër strategjik. Unë nuk e di a është e vërtetë kjo, por nëse është, dhe për këtë trazohet urbanistika e kryeqytetit, ndodhemi përpara një absurdi tjetër. Në këtë rast të gjithë qytetarët e Tiranës trajtohen thjesht si debilë. Sipas kësaj llogjike u dashka të bëhesh kryeministër apo president i Republikës për të marrë pronat në këtë vend? Këto janë çudira që vetëm mendje të sëmura dhe njerëz të degraduar nga pikëpamja administrative mund t’i bëjnë. Lojra kaq të mëdha nuk bëhen për pa u përfshirë tre institucione të rëndësishme: presidenca, kryeministria dhe bashkia, dhe kjo është diçka e papranueshme.

-Janë të shumta skandalet e vjedhjeve dhe zhdukjeve të objekteve të trashëgimisë dhe shumica e rasteve ka ndodhur sidomos këto 2-3 vitet e fundit. Ç’domethënie ka kjo? 

Elementi kriminal, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën është shumë i ndjeshëm ndaj barometrit që përcakton se sa i kthjellët është një shtet. Këta kanë parë se gjatë kësaj periudhe shteti ka qenë tepër selektiv në Shqipëri. Shteti është lëshuar për të bërë favore individuale, private, dhe nuk merret prej kohësh me mirëadministrimin e vendit. Elementët kriminalë e kanë kuptuar se po të shkosh në një monument kulture dhe të vjedhësh një objekt, qoftë edhe i rëndësisë së veçantë, nuk të ndodh gjë, ndërkohë që po të vidhet vila e një pushtetari në Lalëz gjithë policia do të ngrihet në këmbë. Kështu, për ditën me diell, u masakruan afresket në Valsh, afreske të Onufrit të cilin kritika e botërore e konsideron si Da Vinçin e Arbënisë, dhe askush nuk foli e nuk veproi. Fjeti policia, prokuroria, gjykata, shteti, ministria, të gjithë. Tashmë këtë e dinë elementët kriminalë. Dhe kjo është shenjë e degradimit të institucioneve shtetërore. Shteti është dhjamosur aq shumë sa nuk i ndjen pickime të këtij lloji. Prandaj lypset të vijë një administratë e freskët dhe e zhgërvjellët.

-A mund të bëhet një llogari sa dëme janë bërë këto vitet e fundit në trashëgiminë kulturore dhe historike? 

Nuk ka një census të mirëfilltë ndaj askush nuk mund të thotë se sa dhe si. Ne sot jemi katandisur një nga vendet me trashëgiminë më të varfër në rajon. Sa trashëgimi ka aktualisht e gjithë Shqipëria, ka vetëm një qytet i Evropës, e megjithatë ne këtë trashëgimi vazhdojmë ta humbasim e ta dëmtojmë për ditë.

Thoni se duhet një qeveri e freskët dhe e zhdërvjellët. Sa e tillë është qeveria që pritet të marrë pushtetin në shtator? 

Në radhë të parë duhet një kryeministër i ndjeshëm ndaj trashëgimisë, pasi përmes aktivitetit të tij ai e transmeton këtë ndjeshmëri jo vetëm te ministritë por edhe tek pushtetet vendore.

-A është Rama lloji i kryeministrit sensibël në këtë fushë? 

Rama është i tillë dhe e ka treguar këtë. Të paktën që kur ka qenë Ministër i Kulturës; asokohe, veç tjerash ka bërë tri akte shumë të mëdha: çeli Pavionin Ikonografik në Muzeun Kombëtar, duke i dhënë për herë të parë pas dekadash peshë ikonografisë sakrale shqiptare. Së dyti z.Rama shtijoi aksionin e famshëm Kthimi në Identitet. Rama restauroi, përveç kompleksit të ministrive, edhe krejt bulevardin Dëshmorët e Kombit, të cilin e riveshi me pllaka cilësore; restauroi fasadat e korpusit të Universitetit, Institutin e Arkeologjisë dhe atë që dikur quhej Komiteti Qendror, sot zyrat e Kuvendit. Pra për herë të parë kryeqyteti ndërroi fytyrën. Veç kësaj restauroi Kullën e Sahatit dhe riparoi orën; ra edhe kambana e ndryshkur që prej gjysëm shekulli (e cila që kur ka ardhur z.Basha nuk bie më). Restauroi dhe rivlerësoi urën e Tabakëve, krijoi udhën këmbësore, rizbuloi kalanë e Tiranës etj., etj. Pra ndjeshmëria e z. Rama ndaj trashëgimisë është pa precedent. Përveç kësaj, si kryetar Bashkie, ai vuri 70 vila të kryeqytetit nën mbrojtje, vila të cilat z.Basha po i heq një nga një nga mbrojtja për t’u hapur rrugë ndërtimeve shumëkatëshe në kryeqytet, a thua se nuk ka më truall Tirana.

-Po thoni se do të bllokohet edhe ky proces? 

Nuk do të bllokohet, do të sprapsohet, dhe ky do të jetë një nga shërbimet më të mira që mund t’i bëhet banorit që e do qytetin e tij. Tentativa për të prishur trashëgiminë e kryeqytetit do të zmbrapset. Z.Basha nuk do të bllokohet në punimet e veta, në planet rregulluese që do të bëjë në të ardhmen, por ky plan rregullues, të cilin edhe e ka miratuar në mënyrë abuzive e që zhduk hapësirat e gjelbërta dhe zonat me trashëgimi të dëndur siç janë psh. vilat në rrugën e Elbasanit, vilat te Blloku, dua të besoj se do të rishikohet. Ky shtet ka vepruar në mënyrë anormale. Shpesh më duket se administrata e z.Berisha ka frymëzuar filmin amerikan “Idiocracy” të regjizorit Mike Judge. Ndonjëherë duket sikur këtu sundojnë idiotët. Në fakt këtu flitet shumë për kleptokraci, apo oklokraci (“sundim të llumit”, siç do ta quante i ndjeri Klosi), por harrohet një karakteristikë jo e pavërejtshme: idiokracia. Kemi patur jo pak idiotë, të cilët janë ende drejtorë institucionesh, kryebashkiakë apo ministra. Jo shumë kohë të shkuara u zbulua ura Kërçile në Shkodër, por kjo skotë doli e tha se ajo nuk është ura por një kanal ujrash të zeza. Është turp i padëgjuar dhe krim i gjithë atyre arkeologëve që nën presion shitën nderin duke thënë se ajo paraekzistencë e mrekullueshme nuk ishte ura Kërçile.

-Po pse duhet të ndodhë nëse zbulimi ishte vërtet i Urës Kërçile? Kujt i shërben kjo gjë? 

Nga droja e pushimit nga puna. Një njeri nuk mund ta gjykosh rreptë kur atij i rrezikohet buka e fëmijëve, por të tjerët që drejtojnë dikasteret kanë kryer një vepër penale. Gërmimet për zbulimin e urës bllokonin punimet dhe kjo zgjaste termat e dorëzimit të një rruge që bëhej aty. Bllokimi i punimeve do të thoshte edhe bllokim i tenderit. Ajo urë u varros përfundimisht, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një kryetar lokal në Shkodër del si lolo dhe thotë (edhe ai) se struktura madhështore nuk ishte ura e famshme. Del drejtori i institutit përgjegjës dhe thotë të njëjtën gjë, ndërsa shoqëria civile që shkon dhe paraqet filmimet dhe faktet, dhe opinioni shoqëror shkodran nuk dëgjohen.

Por dukeni optimist për një të ardhme të afërt. Nga mendoni se duhet të fillojë puna, kush janë zonat më në rrezik me të cilat duhet filluar menjëherë? 

Çfarë janë të çertifikuara si zona monumentale duhen ruajtur të tilla dhe kush shkel këtë, duhet thjesht të çohet para drejtësisë. Së dyti, të gjitha ndërtimet që janë bërë brenda zonave muzeale dhe arkeologjike duhen shembur pa diskriminim. Fjala vjen ndërtimet pranë Kalasë së Lezhës, e cila është e mbuluar me ndërtime. Gjithashtu zonat që kërkojnë ndërhyrje emergjente janë në përgjithësi zonat e bregdetit, zonat me interes arkeologjik, sidomos ato që janë afër qendrave të banuara. Psh dëgjova në lajme se po rrezikohet Berati (Trashëgimi Botërore) pasi kanë shpërthyer ndërtimet pa leje dhe se kryetari i bashkisë është i pafuqishëm t’i ndalojë sepse nuk e ka mbështetjen e pushtetit qendror. Këtu shteti do veprojë. Duhet që ai që e ka bërë ndërtimin pa leje, ta prishë vetë, të heqë inertet vetë, e nëse nuk e bën këtë, të shkojë para trupit gjykues sepse po i bën karshillëk shtetit. Duhen dhënë shembuj që kjo të mos ndodhë më.

-Ju si forum a keni bërë propozime për zgjedhje dhe nëse po, cilat janë? 

Ne i kemi paraqitur një platformë kryeministrit të ri dhe kemi bërë takime edhe me ministren e ardhshme të Kulturës. Një nga propozimet që kemi bërë është futja nën një ombrellë ministrore të Institutit të Monumenteve dhe atij të Arkeologjisë. Ndoshta jo bashkim fizik i tyre, por të jenë nën të njëjtën varësi në mënyrë që ai që gërmon t’i hapë menjëherë rrugë restaurimit të objekteve të reja që eventualisht zbulohen. Aktualisht po ndodh që gërmohet sot, por për restaurimin paratë i ka një ministri tjetër, pra procesi ndërpritet nëse nuk ka buxhet për restaurim dhe gjetjet arkeologjike humbasin përgjithnjë. Duhet një reformë, por jo centralizuese siç është paraqitur deri më tash, por ristrukturuese. Gjithashtu duhen marrë masa për vënien në efiçencë të rrjetit të kujdestarëve dhe reforma të tjera që kanë të bëjnë me pushtetin lokal. Po të funksiononte rrjeti i kujdestarëve, kisha e Valshit nuk do të ishte grabitur aq mizorisht.

-Keni parasysh edhe ju sistemet e alarmit në objektet kryesore? 

Jo vetëm. Këto objekte komuniteti i mbron vetë. Nëse në një vend ku ka monument kulture paguan dikë që ta vëzhgojë këtë monument, ruajtja funksionon. Ndërsa objektet me rëndësi kombëtare, 100 apo 200 në të gjithë Shqipërinë, mund të ruhen edhe me sisteme suplementare alarmi.

Është thënë se është një sistem i kushtueshëm, siç është thënë gjithashtu nga drejtori i Institutit të Monumenteve që është një proces që ka nisur për disa objekte të rëndësishme. 

Edhe vilat private po bëhen me sisteme alarmi. Nuk mund të merret në konsideratë fakti se është i kushtueshëm. Shteti mund t’i mbrojë disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë. Ai që nuk do ta bëjë, çdo gjë i duket e kushtueshme. Sa për projektit nuk besoj se eksizton një i tillë. Askush nuk ka patur seriozisht ndër mend ta bëjë.

-Ju sugjeroni edhe përfshirjen e komunitetit për ruajtjen e objekteve? 

Komunitetin dhe pushtetin lokal. Duhen bërë trajnime edhe të pushtetarëve lokalë për këto problematika. Gjithashtu është e nevojshme dhe imediate të forcohet ligji, pasi ligji aktual nuk ka ndëshkime të qarta për kundravajtësit. Ka ndëshkime me gjoba, 1 apo 2 milionë lekë, por kjo nuk mjafton; këtu duhet të ushtrohet presion ndaj sistemi gjyqësor në përgjithësi për ndjekjen penale të këtyre dëmtimeve.

Gjë që edhe ka ndodhur apo jo? Për rastin e vjedhjeve të pikturave në Korçë po zhvillohet një proces dhe palët janë në ndjekje penale. 

Në ndjekje penale janë të gjithë, por në burg nuk shkon askush. Po të shohësh listat në Shqipëri të gjithë janë në ndjekje penale. Kjo duhet sanksionuar në ligj. Siç e thashë duhen dhënë shembuj që ai që dëmton trashëgiminë dhe i bën karshillëk shtetit të rrezikojë seriozisht që të shkojë pas hekurave. Sidoqoftë besoj se e ardhmja e afërt është shumë premtuese. Ministrja e re e Kulturës, zj.Kumbaro, e ka marrë seriozisht problematikën. Ajo po i takon njerëzit me radhë e madje do të marrë këto ditë edhe një turne nëpër Shqipëri për të vizituar të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe për t’i takuar vetë drejtorët dhe punonjësit. Ky me duket një fillim shumë i mirë.

 *Marrë nga Revista Klan
Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *