METE vendos brenda një muaji për fatin e energjisë së prodhuar nga 4 HEC-et
Për të privatizuar sektorë strategjikë sic është enenrgjia apo nafta, koha e shqyrtimit dhe e “shitjes” së aseteve kërkon një afat të gjatë kohor, me qëllim që “shitja” të mos kthehet në falje, apo në një privatizim të dështuar. Por dhe me HEC-et shqiptare kjo ka gjasa të ndodhë. Komisioni i vlerësimit të ofertave për privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz pritet të marrë një vendim në fund të muajit janar. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se vlerësimi i ofertave do të zgjasë për shkak të procesit delikat, që prek privatizimin e sektorit strategjik, atë të veprave gjeneruese të energjisë. Por, nuk janë këto të vetmet arsye që sjellin zgjatjen e shqyrtimit të ofertave, edhe pse sipas ligjit nuk ka një afat kohor të paracaktuar.
Para tre ditësh komisioni në mbledhjen e parë të vitit filloi shqyrtimin e dokumentacionit të ofertave teknike të dorëzuar nga kompanitë. Pjesa më e madhe e dokumentave është në gjuhën angleze, duke marrë parasysh se edhe kompanitë janë të huaja, përjashtuar kompaninë Kurum dhe Agna Consortium, selitë qendrore të të cilave gjenden në Shqipëri.
Megjithatë tej arsyeve që thuhen korridoreve të METE, një privatizim kaq i shpejtë do të thote një dështim i pritshëm, ca para të futura në arkë në prag zgjedhjesh, dhe humbje e sektorëve të rëndësishëm strategjikë që nuk po përdoren si duhen për një investim afatgjatë për vendin tonë. Mund të ndodhë si me Albpetrol, që u trumbetua si një privatizim i suksesshëm, por që ende dhe sot nuk është paguar as 10 për qindëshi i garancisë.
Si janë menduar të privatizohen HEC-et?
Në datë 21 Dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Ministria e Ekonomisë zhvilloi tenderin për privatizimin e këtyre veprave energjetike. Pas 5 dështimesh në zhvillimin e tenderit, në këtë datë METE hapi ofertat për shitjen e shoqërive HEC Bistrica 1, Bistrica 2 dhe shoqërinë Ulëz-Shkopet, që të katërta me kapacitet rreth 80 megavat. Tenderi u zhvillua i ndarë në dy faza dhe orare të ndryshme, ku për të dyja ofertat “Kurum” ofroi rreth 110 milionë euro.
Në tender morën pjesë disa kompani dhe duhet thënë se kishte konkurrencë, ku morën pjesë edhe kompani shqiptare. Veprat janë në gjendje të mirë, sidomos dy HEC-et në jug, Bistrica I dhe Bistrica II, të cilat para tre vitesh kanë përfunduar investimin gjerman me pajisje të fjalës së fundit. Shitja e objekteve rentabël me çmim 110 milionë euro konsiderohet nga ekspertët si lëvizje e dëshpëruar në kërkim të parave për buxhetin e shtetit.
Herën e parë tenderi dështoi, sepse në të nuk u paraqit asnjë ofertë, çka e detyroi qeverinë të ndryshonte ligjin e privatizimeve, duke dhënë më shumë garanci për blerësit, përfshirë dhe një çmim më të lartë, me të cilin ata do e shesin energjinë e prodhuar te Korporata Elektroenergjetike. Përfundimi me sukses i tenderit do t’i mundësojë qeverisë që në total të arkëtojë rreth 110 milionë euro nga shitja e këtyre hidrocentraleve, para të cilat pritet të përdoren si investime në muajt e parë të vitit të ardhshëm, përpara se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Privatizim që po nxitohet të bëhet deri në fund të janarit.
HEC-et
Bistrica I – Është ndërtuar mbi lumin Bistricë më 1960-1963. Impianti ka tri turbina dhe kapaciteti i instaluar është 7.5 MË secila, me një prodhim 165 GWh. Vlera tregtare e prodhimit, 8,3 milionë euro.
Bistrica II – Impianti ka një turbinë dhe kapaciteti i instaluar është 5 MW, me një prodhim mesatar vjetor prej 35 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv. Vlera tregtare e prodhimit, 1,7 milionë euro.
Ulëza – Është ndërtuar mbi lumin Mat. Impianti ka katër turbina dhe kapaciteti i instaluar është 25 MË, me një prodhim mesatar vjetor 120 GWh. Vlera tregtare e prodhimit vjetor është 6 milionë euro.
Shkopeti – HEC-i është ndërtuar në vitin 1963. Impianti ka dy turbina dhe kapaciteti i instaluar është 24 MË, me një prodhim mesatar vjetor prej 90 GWh. Vlera tregtare e prodhimit është 4,5 milionë euro.
Ofertat për Bistrica 1 dhe 2
Georgian American Alloys 30 355 000 euro
Energolinija LLC 44 847 496 euro
Consortium: TRE SPA-Italy
Novapoëer-Camuna 27 500 000 euro
Çalik Enerji 19 300 000 euro
Kurum International 52 000 000 euro
ERPA Investment 35 100 000 euro
Agna Consortium 37 100 000 euro
Ofertat për Ulëz-Shkopet
Georgian American Alloys 26 500 000 euro
Energolinija LLC 31 888 084 euro
Çalik Enerji 15 800 000 euro
Kurum International 57 500 000 euro