65 subjekte janë vënën nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, në vazhdën e operacionit “Fundi i Marrëzisë” si dhe individë të caktuar për organizim të lotarive të palejuara dhe akuza të tjera. Ndërkohë pjesë e hetimit është bërë edhe policia për veprime të paligjshme, pas kallëzimit të ngritur nga individë të ndryshëm pranë prokurorisë të cilët pretendojnë se policia i ka shkelur të drejtat e tyre, gjatë kontrollit dhe bllokimit të aktivitetit privat. Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se persona të ndryshëm kanë paraqitur kallëzim penal, duke akuzuar policinë e shtetit për veprime të paligjshme gjatë ndërhyrjes në kuadër të aksionit “Fund Marrëzisë”. Nisur nga kallëzimet e shumta që kanë mbërritur pranë organit të akuzës, kjo e fundit ka nisur hetimet duke i bazuar në denoncimet e disa qytetarëve. Sipas prokurorisë, qytetarët pretendojnë se gjatë kontrollit të lokaleve ku janë bllokuar makineta të lojërave të fatit por edhe në vendimet për bllokimin e tyre, policia ka kryer veprimet të paligjshme, si dhe ka ndërhyrë pa urdhër kontrolli apo vendim gjykate. Për 65 subjektet, dosjet e prokurorisë përmbajnë akuzat për “Organizimin e lotarive të Palejuara”; “Vënie në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Transportim i mallrave kontrabandë” dhe “Evazion fiskal duke ju shmangur detyrimeve tatimore”. Vetëm në kryeqytet, policia ka bllokuar 216 subjekte private, brenda të cilave janë sekuestruar 1016 pajisje lojëra fati. “Fundi i Marrëzisë” do të vazhdoje sipas Ministrisë së Brendshme duke bllokuar e sekuestruar makineta të lojërave të fatit si dhe duke dërguar për procedim penal të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete të paligjshme, deri në bllokimin e aktivitetit të fundit.
