Fundi i një epoke të paralajmëruar

redaktor

Sipas The Wall Street Journal, Facebook, network-u më i preferuar dikur, po humbet klientët e tij; sot vetëm 34% e klientëve përdor këtë mjet për të vendosur lajmet, fotot personale -50% më pak përdorues se një vit më parë. Sipas gazetës Corriere della Sera edhe Twitter ka probleme serioze: në çdo tre muaj humbjet janë të mëdha të cilat kapin shifrën rreth 100 milionë dollarë, ndërkohë që ka lënë në shtëpi 8% të personelit të punës.

Premtoj që lajmi nuk më befason, përkundrazi, arsyet e kundërshtimit tim ndaj aplikimit dhe ekspozimit masiv tek këto rrjete është absolut. Personalisht nuk i kam aplikuar dhe nuk i disponoj këto kanale “informacioni”. Madje, më ka qëlluar shpesh here të jem takuar me njerëz dhe më kërkonin të lidhesha me ta nëpërmjet facebook-ut, i përgjigjesha – që nuk kam facebook – çuditeshin. Për mua nuk kishte asgjë për t’u çuditur, për kulturën time kjo është diçka normale.

Marr shkak nga këto lajme për të sjellë nën vëmendjen e lexuesit shqiptar një figurë intelektuali italian, Pier Paolo Pasolini: poeti, romancieri, kritiku, dramaturgu, regjizori, opinionisti … i cili u gjend i vrarë në 2 nëntor 1975 në Ostia të Italisë.

U mbushën 40 vjet nga humbja e këtij intelektuali fenomenal dhe Italia e përkujton akoma me dhimbje mungesën e tij! Një vrasje që shënoi vërtet humbjen e një njeriu gjenial, një vrasje tragjike, e cila akoma nuk ka trashgimtarë profetikë siç ishte në jetë Pasolini.

Në vitet ‘70 Pasolini, komunikacionin televiziv, që po triumfonte në mbarë botën, e quante “një epokë të re barbare” , “një fashizëm i ri” i cili, së bashku me mjete të tjera të komunikacionit një ditë do të sjellin “mutacionin antropologjik” të shoqërisë. E më tej: “Asnjë forcë fashiste nuk kishte arritur të barazonte idetë, këtë po arrin ta kryejë dhe po e bën realitet bota e konsumit. Format NEO, neo-kapitaliste/liberiste dhe format POST –liberiste/kapitaliste i drejtohen masave e i shtyjnë drejt idesë së “barazisë sociale”, por harrohet që kjo formë “barazie” që komunikohet do të sjellë gjenocidin kultural të shoqërisë.”

Më konkretisht, pak muaj para se ta vrisnin ai i drejtohej politikës italiane me këto fjalë: “Italianët duhet të dinë se çfarë do të thotë për ta fjala “konditat” njerëzore –politike dhe sociale – sepse nga propaganda masive ata janë shtyrë prej kohësh drejt këtyre “konditave të barazisë”, por ka filluar, që sot, të jetohet një fazë që mbart një kataklizmë natyrore: së pari, i duhet shpjeguar pse ata jetuan një iluzion të zi dhe degradues të mirëqenies dhe së dyti këto iluzione që i dhatë, do t’i bëjnë që të vuajnë, sepse i premtuat mirëqenien dhe ja morët mbrapsht”, (28 shator 1975)

Ndoshta janë të ashpra për veshët e lexuesit shqiptar këto fjalë të thëna gati 50 vjet më parë nga Pasolini, por thelbi i mendimit pasolinian nuk ishte kundër komunikimit dhe teknologjisë, por kundër abuzimit që mjetet e propagandës po përdornin me shoqërinë; jo pa qëllim Pasolini krahasonte këtë mjet me fashizmin. Polemikat nuk rreshtnin rreth fjalëve të Pasolinit kur ishte në jetë, por ai përgjigjej: “Unë nuk ndjek taktika politike/ elektorale, unë nuk jam politikan dhe nëse gaboj nuk më intereson shumë, unë jam një shkrimtar dhe si i tillë qëndroj në politikë e flas për atë që shikoj”. Mbas vdekjes fenomeni pasolinian bashkoi kulturën italiane: Qoftë të majtë apo të djathtë (ekstremist i majtë apo ekstremist i djathtë) heshtin akoma sot kur flitet për Pasolinin. Pasolini diti të shkruante per të gjithë dhe kishte të drejtë. Kur ishte i anëtarësuar në Partinë Komuniste dhe kur u përjashtua prej saj, ai nuk rreshti të ndëshkonte P.K. për gabimet ndaj klasës punëtore, e cila sipas tij po humbiste karakterin e saj vendimtar dhe po kthehej përsëri në një klasë e nënshtruar, siç ishte në 1850 kur shkruante Marksi. Pasolini ndëshkonte, fliste hapur, mbante qëndrim ndaj kapitalizmit të shfrenuar, që po lulëzonte në Itali dhe po kthente klasën proletare në një majmun që kopjon borgjezinë kapitaliste edhe pse shfrytëzohej dhe nënpaguhej prej saj.

Si mund të mos i japim të drejtë Pasolinit sot? Këto fjalë u bënë realitet, e majta ashtu siç thoshte dhe Pasolini, do vijë një ditë që nuk do të ekzistojë, sepse ka gabuar!

Po me të njëjtën forcë Pasolini dënonte fashizmin dhe e shpjegonte përse: Esenca e fashizmit ishte Pushteti dhe për ta mbajtur atë egërsisht lindi e Keqja absolute prej tij. Pasolini ateist ishte dhe kundër demokristianëve, që vetëm me fjalë dënonin fashizmin, ndërsa me vepra, mbas luftës, ishin ulur në një tavolinë dhe hanin me fashistët. Demokristianët i kishin dhënë Italisë, sipas Pasolinit, një “regjim policësh parlamentarë” ku blloku social nga ku vinin dhe votat elektorale, ishin po ato që kishin mbështetur dikur fashizmin dhe që “papritur” kishin “ndryshuar idetë”.

Por Pasolini nuk la jashtë edhe një “klasë” tjetër, atë studentore:

“ […] Ju studentë jeni bijtë e baballarëve, dhe ju urrej sikurse urrej dhe baballarët tuaj. Po pse e them këtë? Ja: brezi im dhe brezat para meje, pra rinia, kishte përpara syve borgjezinë, si një objekt që qëndronte larg, pra borgjezia ishte dikur një botë më vete. Ne kishim mundësinë ta shikonim borgjezinë pa interes, e shikonim dhe aq, si diçka e jashtme, ajo nuk ishte bota jonë. Kjo mënyrë shikimi na ishte mësuar dhe ofruar objektivisht nga shikimi i etërve tanë, i baballarëve tanë, i atyre që nuk ishin borgjezë por punëtorë dhe fshatarë. Për ju të rinjtë sot, problemi po ndryshon: Ju nuk jeni më në gjendje të shikoni dhe të mësoni nëpërmjet syve të baballarëve tuaj. Përse? Sepse sot borgjezia po triumfon… nëpërmjet neo-kapitalizmit e gjithë shoqëria do të jetë borgjeze, që do zhdukë fjalët fshatarë dhe punëtorë […] Ju jeni bërë borgjezë të dashur studentë, siç janë bërë prej kohësh baballarët tuaj, atëhere përse protestoni? Juve ju pëlqen jeta e borgjezit dhe jo e revolucionarit”. (16 qershor 1968).

Kuptohet qartë forca e mendimit pasolinian, ajo është akoma aktuale në çdo aspekt. Gjenocidi kultural i “modave” masive nuk duhet lejuar, edhe pse mendoj që revolucioni digjital është jashtë mase pozitiv dhe i dobishëm për shoqërinë. Varet nga ne si e përdorim këtë revolucion, siç thotë një fjalë e urtë popullore: Gjella me kripë dhe kripa me karar. Ajo që pak kohë më parë dukej si revolucioni digjital i social network-ut, ku gjithsekush dëshironte të merrte pjesë, sot është një realitet që po shkon gjithmonë e më tepër drejt një krize të thellë të identiteteve personale, edhe në këtë pikë profecia pasoliniane kishte të drejtë!

 

Share This Article
2 Comments
  • http://tecnologia.tiscali.it/articoli/news/15/11/intervista_rudy_bandiera_declino_facebook.html
    lajmet flasin qart network-et facebook dhe twitter drejt krizes se thelle.
    Obama ne facebbok, lexova tek lajmet! Publicitet facebook-ut, kete ben Presidenti amerikane se ka filluar emorragjia, flitet per miliona dollar dhe Obama nxit njerzit te veprojne me facebook-un, sic po vepron edhe ai. Biznes asgje tjeter, por jo te gjithe njerzit kane biznes dhe te merresh me llafollogji…nuk te jep buke ty, por i jep miliona dollare network-eve
    Pse nuk u shkruajt me pare Obama ne facebook,por pikerisht tani??? Obama, Obama…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *