Fundjava vendimtare, nga ‘lufta’ në Spanjë deri te verdiktet kontinentale

anazapta

La Liga do të vendoset në javën e fundit. Jashtë lufte Reali i Madridit që në vend të fanellës “balanco” ngre flamurin e bardhë në kampionat, gjithçka vendoset në “Camp Nou” në një ballë për ballë Barcelona-Atletico, ku “Los Colchoneros” do t’ju mjaftojë edhe një barazim për të ngritur trofeun. Sigurisht gjërat mund të kishin shkuar edhe më mirë për skuadrën e Simeonës që pasi barazoi një çerek ore nga fundi 1-1 me Malagan në “Vicente Calderon” me një tjetër gol mund të ishte shpallur kampion duke marrë parasysh edhe faktin se Barcelona ngeli në barazim pa gola përballë murit të Elches, por gjithsesi tashmë mbetet për t’u zgjidhur në përballjen e fundit me Realin që i mbetet të shkarkojë gjithë bateritë në finalen e Champions pas disfatës 2-0 të pësuar nga Celta Vigo e dhëndrit të ardhshëm të katalanasve, Luis Enrique me Ancelottin që ishte detyruar të hidhte në fushë një formacion të mbushur me linjat e dyta. E jashtëzakonshme ashtu si lufta për titullin është dhe ajo për mbijetesën në La Liga ku janë plot 5 skuadra që luajnë jetën në 90 minutat e fundit, pasi përveç Betisit që ka prerë biletën për në të dytën, rrezikojnë dhe Almeria, Getafe, Granada, Osasuna dhe Valladolid, me këto dy të fundit që nuk varen më vetëm nga rezultatet e tyre.

ITALIA – Plotësoi kuadron e skuadrave që bien nga kategoria maksimale edhe futbolli italian, ku në javën e parafundit i dhanë lamtumirën Serisë A, Livorno, Catania e Bologna. Livorno kthehet në inferiore pas disfatës së pësuar nga Fiorentina, ndërsa i thotë lamtumirë grupit të më të mirëve dhe Bologna që u mposht nga Catania, rezultat që gjithsesi nuk shpëtoi rënien e sicilianëve pasi skuadrat që festojnë mbijetesën janë Sassuolo e Chievo. Për sa i përket pjesës së sipërme të tabelës, i thotë lamtumirë praktikisht Europës pas disfatës në Bergamo ndaj Atalantës dhe Milani. Matematika ende nuk i përjashton kuqezinjtë, por ashtu si shanset e Seedorf për të qëndruar në krye të stolit dhe ato për të siguruar Europa League janë thjesht teorike, pasi që diçka e tillë të ndodhë duhet që si Torino dhe Parma të humbasin në javën e fundit, diçka e vështirisë sidomos nëse merret parasysh fakti se skuadra e Donadonit do të presë Livronon tashmë të rrëzuar. Siguroi vendin e 5-të në mbrëmjen e paharrueshme të lamtumirës së kapitenit dhe Interi, që në një ndeshje të dedikuar krejtësisht krenarisë për një nga legjendat e fundit të futbollit mposhti 4-1 Lazion që i thotë lamtumirë ëndrrës europiane. Shkon në kompeticionin e dytë kontinental pa lodhjet e paraeliminatoreve Fiorentina që siguroi me 3 pikët në Livorno vendin e katërt, në skuadrën vjollcë tashmë mbetet vetëm për t’u plotësuar kërkesat e Montellës që pas dy sezoneve të shkëlqyera kërkon përforcimet e nevojshme për të synuar më shumë sezonin e ardhshëm. I njëjti diskutim, por në terma të tjerë vlen dhe te Juventus, ku pas fitores in-extremis ndaj Romës gjithë vëmendja përqendrohet te e ardhmja e Contes. Në sezonin e tij të tretë radhazi triumfues trajneri i bardhezinjve ka mundësinë ta çojë skuadrën drejt rekordit të 100 pikëve, por në Torino në çdo moment që kalon rrit kuotat e një divorci, me Conten që kërkon investime në lojtarë për të synuar Championsin, dhe Agnellin që nuk e pëlqen aspak një presion të tillë.

GJERMANI & HOLANDË – Në Gjermani, Bayerni festoi “Meisterchalen” e 24-t në historinë e tij në ndeshjen e fundit të Bundesligës, të fituar 1-0 ndaj Stuttgartit. Ndryshe nga 7 javë më parë kur siguronte matematikisht trofeun Guardiola këtë herë e pranoi të laget me birrë kushedi për shkak të rëndësisë së festës apo ngaqë kritikat e kanë vënë në shënjestër pas eliminimit në Champions, gjithsesi sulmi ndaj Europës fillon sezonin e ardhshëm me fanellat e reja që si për koincidencë i ngjasojnë aq shumë atyre të Barcelonës. Ndjekin Bayernin në Champions respektivisht sipas renditjes në klasifikim dhe Dortmundi, Schalke e Leverkusen, ndërsa bien në Bundesliga Nyrenbergu e Eintraicht Braunschweig, që do të zëvendësohen nga Paderborni dhe Kolni, për skuadrën e tretë që do të plotësojë tablonë e Bundesliga 2014-2015 do të shërbejë play-out-i mes Hamburgut që për të evituar rënien e parë në histori duhet të tregojë vlerat përballë Greuther Furth ku militojnë dhe shqiptarët Mërgim Mavraj e Ilir Azemi.

Në Holandë me Eredivisien të mbyllur që para dy javësh, fundjava vendosi finalistët e paly-offit për biletën e fundit në Europa League që do të diskutohet mes AZ Alkmaar dhe Groningen që triumfuan respektivisht Heernven dhe Vitessen.

ANGLI – Në javën e fundit të Premier League feston Manchester City. Skuadra e Pellegrinit u shpall kampione e Anglisë për të katërtën herë në historinë e saj pas fitores 2-0 ndaj West Ham është trofeu i pestë në epokën e sheikut Mansuor, pasi suksesi në Premier League 2013-2014 i shtohet Kupës së Anglisë 2011, kampionatit 2011-2012, Community Shield 2012 dhe Kupës së Ligës që u fitua në 2 Marsin e kaluar në “Wembley”. Fitorja nuk i bëri punë Liverpool-it që kundër Newcastle përmbysi disavantazhin 1-0 me golat e Agerr dhe Sturridge. Gjithsesi, ishte një sezon i jashtëzakonshëm ai i “The Reds” që e mbyllën në vendin e dytë, i treti Chelsea i Mourinhos që fitoi po me përmbysje 2-1 ndaj Cardiff me Schyrle e Torres, dhe kualifikohet në fazën e grupeve të Champions. Arsenali fitoi 2-0 ndaj Norwich, që bie në Championship, vendi i katërt vlen për “Topçinjtë” play-off-in e Champions League. Përveç, Norwichit kishin rënë nga kategoria dhe Fullham dhe Cardiff, ndërsa në Europa League shkojnë Everton dhe Tottenham.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *